Masterat, kuotat e pranimit për të gjitha universitetet
Plot 17.654 studentë do të ndjekin këtë vit masterin e shkencave dhe atë profesional.
Qeveria miratoi dje vendimet përkatëse me kuotat për çdo program. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i pranimeve është rritur me rreth 1000 studentë. Po kështu, është përcaktuar mënyra si do të përzgjidhen kandidatët nga vendi dhe trojet. Në masterin e shkencave, në total do të pranohen 8276 studentë, ndërsa atë profesional do ta ndjekin 9368 kandidatë. Tarifat e shkollimit do të paguhen me këste, të cilat do të përcaktohen nga vetë fakultetet. Për një sërë kategorish sociale është vendosur që tarifa e shkollimit të paguhet në masën 50%. Kandidatët që u përkasin shtresave sociale të personave që nuk shikojnë dhe që nuk dëgjojnë, invalidë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijët që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë apo fëmijët e policëve dhe ushtarakëve të rënë për shkak të detyrës, si dhe fëmijë të ish-të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë në masën 50% të tarifës së shkollimit, thuhet në vendimin e qeverisë. Tarifën e shkollimit nuk e paguajnë gjithashtu studentët e shkëlqyer. Pas përfundimit të kohëzgjatjes normale të programit të studimit, studentët që nuk e kanë përfunduar ende programin përkatës, paguajnë vetëm tarifën për kredit të lëndëve të prapambetura, thuhet ne vendimin e qeverisë. Kandidatët nga Republika e Kosovës, e Maqedonisë, e Malit të Zi dhe nga prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës aplikojnë direkt në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë.
KRITERET E PRANIMIT
Do të jenë vetë universitetet që do të përcaktojnë kriteret e pranimit të kandidatëve, duke i bërë ato publike paraprakisht. Programet e studimit si për masterin shkencor, ashtu edhe për atë profesional, do të nisin të funksionojnë vetëm në rast se i ndjekin të paktën 10 studentë. Këtu bën përjashtim Universiteti i Arteve, ku ky kriter nuk do të zbatohet. Për ndjekjen e një programi studimi të ciklit të dytë, çdo kandidat duhet që më parë të ketë marrë një diplomë në ciklin e parë të studimeve Bachelor. Kohëzgjatja e studimeve për masterin e shkencave është 2 vjet. Studentëve u duhet të plotësojnë 120 kredite për të marrë diplomën. Masterat profesionalë zgjasin 1 vit akademik dhe studentëve u duhet të plotësojnë 60 kredite.
ZIRINA LLAMBRO