Masterat, kushtet për universitetet
• Ministria e Arsimit nuk do të miratojë Mastera për asnjë universitet publik, nëse nuk plotësojnë kërkesat e përcaktuara prej saj.zirina llambro Në udhëzimin e ri “Për hapjen dhe organizimin e programeve Master të nivelit të parë dhe të dytë”, të firmosur nga ministri Genc Pollo, më 22 janar janë saktësuar të gjitha kushtet dhe mënyra sesi do të organizohen. Kështu numri minimal i krediteve për këto programe nuk mund të jetë më i vogël se 60 apo 1500 orë punë të studentit të shpërndara në jo më pak se një vit akademik. Masterat mund të ndiqen edhe me kohë të pjesshme dhe por në këtë rast ato zgjasin dy vite akademike. “Frekuentimi nga studentët është i detyrueshëm dhe për të marrë titullin duhet të jenë ndjekur të paktën 80% e orëve mësimore”. Në programet e studimit Master pranohen vetëm ata persona të cilët plotësojnë kriteret akademike të vendosura nga vetë institucionet e arsimore bazuar mbi Ligjin e Arsimit të Lartë. Kriteret bëhen publike, thuhet në udhëzimin e MASH. Në përfundimin e studimeve parashikohet dhënie e një prove (mikrotezë, testim) që të vërtetojë fitimin e kompetencave profesionale apo njohurive të parashikuara. Propozimet nga universitet për hapjen e masterave bëhen atëherë kur disponohen burimet njerëzore të nevojshme. Ato shqyrtohen edhe në senatin akademik të institucionit.Kërkesa e universiteteveNë kërkesën drejtuar ministrisë për hapjen e programeve Master universitet duhet të bashkëngjisin një sërë të dhënash e dokumentesh. “Kriteret e pranimit të studentëve, procedurat e pranimit dhe njohjes së krediteve universitare të fituara më parë prej tyre, kohëzgjatja e programit, numri i pjesëmarrësve”, janë disa prej kushteve të përcaktuara në Udhëzim. Veç tyre duhet të jetë e dokumentuar frekuenca e aktiviteteve të ndryshme formuese, plani mësimor i programit i shoqëruar edhe me numrin përkatës së krediteve. Universitetet duhet të sqarojnë në kërkesën e tyre edhe për personelin akademik që do të përfshihet në programet Master bashkë me të dhënat përkatëse”. Në kërkesën e tyre institucionet e arsimit të lartë duhet të paraqesin pranë MASH edhe të dhënat për tarifën e çdo studenti që do të ndjekë Masterin dhe mënyrën si do të paguhet ajo”, thuhet në Udhëzim. Hapja dhe mbyllja e programeve Master bëhet duke iu referuar neneve përkatëse në ligjin “Për arsimin e lartë”. “Kërkesat e universiteteve për hapjen e këtyre programeve studimi paraqiten pranë MASH brenda datës 15 mars të çdo viti”, saktëson Udhëzimi. Në të theksohet se Masterat vetëfinancohen nga tarifa që paguan çdo student që i ndjek. Por mund shfrytëzohen edhe financime nga subjekte bashkëpunuese. Sa i përket ekuivalentimit të diplomave sipas Udhëzimit, asnjë nga programet e studimit Master të nivelit të parë dhe të dytë nuk mund të ekuivalentohet më diplomat e nivelit të dytë.Këtë vit mastera vetëm Fakulteti EkonomikVetëm studentët e Fakultetit Ekonomik do të mund të ndjekin këtë vit Masterin e universitetit publik. Për degët e tjera ky cikël studimesh është mbyllur. Konflikti mes MASH-it dhe universiteteve nuk arriti të gjejë zgjidhje dhe për këtë arsye studentët duhet të presin vitin e ardhshëm për t’i dhënë vetes mundësinë për një stad më të avancuar studimesh. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë me dije se kanë qenë vetë universitetet ato që nuk kanë riformuluar kurrikulat, ashtu siç iu kërkua duke iu përshtatur ligjit “Për arsimin e lartë”. Por këtë fakt e hedhin poshtë vetë universitetet. Burime pranë fakulteteve sqarojnë se kuotat janë dërguar që në nëntor të vitit të kaluar. “Më pas meqë ministria nuk i pranoi ato, u ribënë kurrikulat, por sërish MASH mbeti e pakënaqur, ndonëse kërkesa iu plotësua”, sqarojnë burimet. Gjithsesi, pasojat e kësaj situate bien vetëm mbi shpatullat e studentëve, të cilët këtë vit nuk do të mund të nisin Masterat e nivelit të parë dhe të nivelit të dytë.