Buxheti 2011, 106 milionë lekë për shëndetin publik
Investimet në sektorin e shërbimeve të shëndetit publik për vitin 2011 janë parashikuar në masën prej 106 milionë e 718 mijë lekësh. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, në këtë shërbim investimet do të përqendrohen në blerje aparaturash për laboratorët bakteriologjikë të 12 rajoneve, me vlerë 23 milionë lekë. Ndërkohë, janë parashikuar rreth 10 milionë lekë për blerje pajisjesh mobilimi për drejtoritë e shëndetit publik. Ndërhyrjet në infrastrukturën ndërtimore arrijnë në vlerën rreth 50 milionë lekë. Ndërhyrjet kryesore janë parashikuar për drejtoritë e shëndetit publik Pogradec, Sarandë, Krujë, Librazhd, Malësi e Madhe etj. Investimi për blerje aparaturash për shërbimet e shëndetit publik arrin në rreth 26 milionë lekë. Investimet kryesore janë blerje aparaturash diagnostikuese për laboratorët në Institutin e Shëndetit Publik, laboratorin bakteriologjik Shkodër etj.