E Diel, 1 Nëntor 2026

Objektet shtetërore, pronarët mund të blejnë 80 për qind e vlerës me bono



Ervin KOÇI

Të gjithë pronarët, të cilët duan të blejnë objektet shtetërore që janë ndërtuar mbi pronat e tyre do të mund ti paguajnë ato me bono privatizimi. Ligji i ri i privatizimeve u njëh të drejtën e parablerjes ish-pronarëve dhe pronarëve aktual të trojeve ku janë ndërtuar objektet shtetërore. Ky ligj u jep gjithashtu mundësi subjekteve të shpronësuara që të përdorin bonot për deri në 80 për të vlerës së objektit, ndërkohë që pjesa tjetër, pra 20 për qind do të paguhet me para në dorë (cash). Kjo mënyrë parashikon që të favorizojë subjektet e shpronësuara, si dhe të ndikojë në rritjen e vlerës së bonove në tregun valutor. Aktualisht, mësohet se janë rreth 300 komisione të ngritura në të gjithë vendin që po merren me vlerësimin e ndërmarrjeve dhe objekteve që do të përfshihen në procesin e privatizimeve. Krahas kësaj pune, të gjitha ministritë janë duke përgatitur listat me asetet e pavëna në eficencë nga institucionet shtetërore, nga të cilat do të dalë edhe lista konkrete me objektet për privatizim.

Lista e objekteve
Ministria e parë që e ka dorëzuar këtë listë ka qenë ajo e mbrojtjes, ku janë të paktën 420 objekte që do të privatizohen. Megjithatë, në pritje të plotësimit të kësaj liste, Ministria e Ekonomisë e ka gati listën me 13 ndërmarrje në varësi të saj, të cilat do i nënshtrohen privatizimit 100 për qind. Janë të paktën 100 specialistë që po merren me përgatitjen e listës me objektet shtetërore që do të kalojnë në procesin e privatizimit. Sipas asaj, çka është deklaruar më parë qeveria shqiptare do të heqë dorë nga të gjitha aksionet e mbetura në kompanitë shtetërore, si dhe në ato kompani që tashmë janë në duart e investitorëve privatë. Në përmbushje të kësaj nisme mësohet se brenda këtij muaji fillon puna për privatizimin e aksioneve shtetërore tek Albtelekom, proces i cili do të pasohet edhe me shitjen e aksioneve të mbetura tek ARMO dhe OSSH. Për tu dhënë më tepër informacion të interesuarve që dëshirojnë të hyjnë në privatizime, të gjitha materialet për kompanitë që do të përfshihen në këtë proces do të hidhen në faqen e Ministrisë së Ekonomisë, ku do të jenë të hapura për publikun.

Procedura
Të gjithë pronarët e trojeve mbi të cilët janë ndërtuar objektet që do të përfshihen në procesin e privatizimit kanë të drejtën e parablerjes së tyre, por me një procedurë të re. Tani asnjë prej tyre nuk duhet të depozitojë kërkesë për të fituar këtë të drejtë, por do të jenë Drejtoria e Shitjes dhe Administrimit të Pronës Publike që pasi të marrë informacionin se trualli është me pronar, do tu japin këtyre të fundit mundësinë e parablerjes.

Ankandi, BSH-ë nxjerr për shitje 20.8 miliardë lekë bono thesari

Banka e Shqipërisë bëri të ditur dje se do të nxjerrë në ankand 20.8 miliardë lekë bono thesari të Qeverisë. Mësohet se Departamenti i Operacioneve Monetare, në bashkëpunim me Ministrinë e Finance do të nxjerrin në shitje bono me afat 3 dhe 12-mujor, të ardhurat që do të shfrytëzohen për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Bonot e thesarit me maturim 12-mujor do të jenë 7.6 miliardë lekë bono thesari, ndërsa me maturim 3-mujor do të jenë 13.2 miliardë lekë.

30 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›