Shoqata e Bankave, rritet niveli i depozitave në sistemin bankar
Depozitat e familjeve dhe bizneseve shqiptare në sistemin bankar u rritën me 135 milionë euro gjatë muajit janar, duke shënuar rritjen më të lartë mujore që nga gushti i vitit të kaluar, gjë që e rriti totalin e depozitave përtej maksimumit historik të shënuar para krizës së vitit 2008. Sipas statistikave të publikuara nga Shoqata e Bankave, totali i depozitave në sistem arriti në 713 miliardë lekë, (5.16 miliardë euro), duke shënuar një rritje me 10 për qind në krahasim me një vit më parë. Dy të tretat e depozitave të reja u furnizuan nga klientët individë, ndërsa një e treta nga kompanitë e biznesit. Depozitat janë shtuar vazhdimisht që nga gushti i vitit të kaluar, por në gusht dhe janar, rritja ka qenë me ritëm shumë të lartë. Sistemi bankar shqiptar u përball me një krizë besimi në muajt shtator ’08- prill ’09, krizë që u shkaktua nga pasiguritë e krijuara nga kriza financiare botërore. BSH-ja i ndihmoi bankat e nivelit të dytë, duke i dhënë para me interesa shumë të ulëta, por kjo gjë shkaktoi pjesërisht edhe presion nënçmues mbi monedhën shqiptare. I ashtuquajturi “stimul monetar” ishte para e re e hedhur në treg për të mos lejuar mungesën e likuiditetit në banka dhe u konceptua si një ndërhyrje e përkohshme. Një paketë masash të jashtëzakonshme të ndërmarra nga BSH-ë, u mundësuan bankave të tërheqin borxhe nga banka qendrore me interesa të ulëta. Por duket se BSH po has në probleme në përpjekjet për tërheqjen e “stimulit monetar”, i cili arrin në rreth 32 miliardë lekë. Megjithëse depozitat janë shtuar në sistemin bankar dhe kriza e besimit është kapërcyer tërësisht, sasia e parave të hedhura në formë stimuli mbeti e pandryshuar. Disa ekonomistë arsyetojnë se një pjesë e parave që BSH u dha bankave të tjera në formë stimuli, nuk shkoi për kredi për publikun e gjerë, siç ishte konceptuar, por u përdor për blerjen e borxhit publik. Tërheqja e stimulit mund të lehtësojë presionin mbi monedhën kombëtare. BSH miratoi një rregullore të re mbi menaxhimin e likuiditetit në përpjekje për të nxitur bankat të kthejnë borxhet e marra te BSH, por efektet e kësaj rregulloreje të miratuar disa muaj më parë, nuk janë parë ende.
“Alpha Bank”, rezultatet për vitin 2009
Grupi i “Alpha Bank” në Greqi deklaroi rezultatet për vitin 2009 duke raportuar një fitim neto prej 392 milionë eurosh. Yannis S. Costopoulos, Presidenti i Grupit theksoi: “Në 2009-n, ‘Alpha Bank’ u përball me sfidat e ambientit ekonomik me largpamësi dhe kompetencë. Suksesi i lëshimit të të drejtave me vlerë në shumën prej 982 milionë euro, ka forcuar ndjeshëm bilancin si edhe ka rritur besimin tonë për të përballuar ndikimin e kushteve të vazhdueshme të vështira makroekonomike në tregun grek. Prezantimi i një programi të rreptë për konsolidimin fiskal mund të ndikojë negativisht në rritjen për një afat të shkurtër, por ne jemi të sigurt që do të sjellë përfitime afat mesme të përhershme për ekonominë greke dhe për perspektivat tona të biznesit në të gjithë Europën juglindore”. Për sa i takon Shqipërisë, depozitat arritën vlerën e 375 milionë euro dhe kreditimi u rrit duke kapur një vëllim portofoli prej 335 milionë eurosh. Fitimi neto në fund të vitit 2009 shënoi vlerën e 6.481 milionë eurove. “Alpha Bank” në Shqipëri operon me 47 degë në të gjithë vendin, dhe gjithashtu ka prezencë në qendra të rëndësishme tregtare të ngritura kohet e fundit. Një rrjet prej 62 bankomatesh dhe mbi 1,100 aparate të pranimit të pagesave me kartë mbështesin biznesin e kartave të debitit dhe të kreditit. Gjatë vitit 2009, banka rriti bazën e saj të klientëve individë dhe biznese me 58%. Kreditë për individët dhe biznesin e vogël patën rritje, dhe po ashtu depozitat e këtij segmenti (19%), krahasuar me fundvitin 2008. Fokusi kryesor i bankës për 2010-n është biznesi me pakicë, me vëmendje të fuqishme tek shërbimi i shkëlqyer ndaj klientit, produkteve të përshtatur për konsumatorin dhe hyrja e tyre me lehtësi në të gjitha kanalet e shpërndarjes. Mantzounis, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i “Alpha Bank” deklaroi: “Në fillim të vitit 2010, qëllimi ynë kryesor është të adresojmë ndikimin afatshkurtër të krizës së borxhit të qeverisë greke në fonderimin tonë marzhinal. Ne gjithashtu duhet të drejtojmë me efikasitet efektet e masave të rrepta që Qeveria Greke ka ndërmarrë, të cilat mund të ulin mundësitë e klientëve për të përmbushur detyrimet e tyre për shlyerjen e kredive. Këto dy vitet e fundit i është dhënë fokus kryesor forcimit të bilancit të Bankës, gjë që na ka vendosur në pozita veçanërisht të forta për të përballuar këto sfida. Prezantimi i masave shtesë për të konsoliduar bazën e kostos, duhet të ruajë fitueshmërinë për këtë vit në pritje të normalizimit të spredit për borxhet e qeverisë, të cilat nga ana tjetër do të sjellin një përfitim të menjëhershëm për biznesin tonë”.
Kishin 10 muaj pa paga, punëtorët kallëzojnë në prokurori firmën
Punonjës të autostradës Levan-Vlorë kanë kallëzuar penalisht firmën që po kryen punimet pasi nuk u jep pagat prej 10 muajsh. Punonjësit e autostradës Levan-Vlorë janë hedhur dje në një protestë ku kanë protestuar për pagat e mohuara nga firma “Alban Tirana”. “Kemi 10 muaj që nuk marrim pagat që në muajin qershor të vitit 2009. 10 muaj pa lekë dhe asnjë përgjigje konkrete nga drejtuesit e firmës”,- shprehen punëtorët e shqetësuar. Në këto kushte ata shprehen se janë të detyruar që pagat në shumën totale prej 1.5 milionë eurosh ti marrin nëpërmjet gjyqit. Punëtorët duke protestuar shprehen se kanë dorëzuar një padi penale në Prokurori ndaj drejtuesve të për çështjen që i mundon prej muajsh. “Punojmë dhe nuk paguhemi, oraret na shënohen, puna e rëndë dhe pagat na premtojnë, jo muajin tjetër, jo tjetrin dhe asnjë zgjidhje. U detyruam ti drejtohemi prokurorisë për një zgjidhje të mundshme”,- thanë punonjësit. Prej më shumë së një vit banorët po punojnë për ndërtimin e autostradës Levan-Vlorë.
30 Mars 2010