Kriteri politik shtyn me 2 javë dorëzimin e përgjigjeve të Pyetësorit
Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha bëri të ditur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike se në mes të muajit prill qeveria shqiptare do t’i dorëzojë Komisionit Europian përgjigjet e Pyetësorit për marrjen e statusit kandidat në BE. Në fakt, qeveria kishte parashikuar se ky pyetësor do të dorëzohej në fund të muajit, dhe pikërisht më 31 mars, por burimet kanë bërë të ditur për gazetën se pengesa në plotësimin e këtij afati ka sjellë pikërisht kriteri politik. Burime nga Ministria e Drejtësisë kanë bërë të ditur se kapitulli i përgjigjeve që lidheshin me kriterin politik është kthyer mbrapsht për rishikim, pasi për shkak të situatës së vështirë politike përgjigjet që u janë dhënë pyetjeve kanë qenë më të gjata se rregulli i vendosur nga KE-ja. Faktori ndërkombëtar njëzëri ka vënë theksin në domosdoshmërinë e plotësimit të kriterit politik, që është parësor për vlerësimin e situatës në Shqipëri. Megjithatë, vendi vazhdon të ketë një ngërç politik, por kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, është shprehur se pavarësisht zhurmës së kutive, vendi ka njohur reforma të rëndësishme. Ndërsa në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Integrimin, Berisha kërkoi rileximin e plotë të të gjitha përgjigjeve në mënyrë që materiali përfundimtar të jetë sa më i saktë. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komitetit Ndërministror për Integrimin u miratuan 5 kapitujt e fundit, midis të cilëve dhe kapitulli për kriterin politik. Kryeministri tha se kriteri politik ka pasur gjithsej 120 pyetje dhe me të është marrë Ministria e Drejtësisë. Pyetjet për këtë këtë kriter janë bërë në lidhje me funksionimin e shtetit ligjor, funksionimin e demokracisë dhe respektimin e ndarjes së pushteteve.
Përgjigjet
“Jashtë zhurmës së kutive, vendi ka njohur reformat më të fuqishme, më të shpejta, më të vendosura se në çdo periudhë tjetër të tij, reforma, të cilat kanë sjellë dhe sjellin transformime epokale. Po të marrim vetëm ato që janë bërë gjatë këtyre muajve për heqjen e vizave, ato kanë realizuar ndryshime në shumë fusha, si nata me ditën”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka informuar deputetët me miratimin e kapitujve përfundimtarë të Pyetësorit të BE-së. “Sot do të bëjmë miratimin përfundimtar të 2283 përgjigjeve për 2283 pyetje të Pyetësorit të Bashkimit Europian. Kjo përbën një ngjarje madhore në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pyetësori, i cili finalizohet në këtë mbledhje me të gjitha përgjigjet, përkthimet dhe është i gatshëm për t’u depozituar në Komisionin Europian, përbën një dokument jashtëzakonisht të rëndësishëm për vlerësimin e Shqipërisë për akordimin e statusit të kandidatit. Vendimi i 16 nëntorit të vitit 2009 ishte një vendim historik, ishte vendimi më i rëndësishëm që Bashkimi Europian ka marrë në 20 vitet e fundit për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane. Pas këtij vendimi, Komisioni Europian dorëzoi Pyetësorin, në të cilin u angazhuan sipas kapitujve, nga 400 gjer në 1200 zyrtarë të të gjitha niveleve, u angazhuan 28 ekspertë të huaj dhe një numër i konsiderueshëm institucionesh dhe agjencish ndërkombëtare, të cilat u konsultuan për probleme dhe çështje specifike të Pyetësorit”, - është shprehur Berisha.
Sipas tij, në dhënien e përgjigjeve është mbajtur si prioritet parësor vërtetësia e tyre.
“Në trajtimin e problematikës së pyetjeve është bërë një paraqitje e kthjellët dhe e saktë e të gjitha reformave të ndërmarra, reforma që kanë transformuar shoqërinë shqiptare dhe Shqipërinë në tërësi, sikundër është paraqitur edhe vizioni për zhvillimet e ardhshme në të gjitha fushat. Unë ju garantoj se nuk është përjashtuar asnjë, sepse 2283 pyetje kanë mundur të tejshkojnë çdo qelizë të veprimtarisë së shtetit shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare. Procedura është standarde, do t’i dorëzohet Komisionit Europian në gjysmën e parë të prillit dhe pastaj, natyrisht, Komisioni Europian do të ketë të gjithë kohën e nevojshme për vlerësimin e përgjigjes së Pyetësorit dhe vlerësimin e situatës në tërësi. Ne, edhe njëherë, në mënyrën më të përsëritur, insistojmë se vlerësimi duhet të jetë i bazuar tërësisht mbi performancën e Shqipërisë, performancën e demokracisë shqiptare, mbi performancën e institucioneve të këtij vendi, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut. Reformat kanë qenë dhe mbeten motoja jonë kryesore”, - është shprehur kreu i qeverisë shqiptare.
Berisha: “Jam operuar në këmbë, por Rama të mos merret me operacionet e mia”
Kryeministri Sali Berisha pranoi se ka kryer një operacion në shputën e këmbës për një problem që, sipas tij, ishte i vogël. Ai ka akuzuar kryetarin e PS-së, Edi Rama për nxjerrjen e këtij informacioni, ndërsa i bëri thirrje atij që të mos merret me operacionet e Berishës, por me transplantimin e flokëve të vet. “Është e vërtetë që të premten, në 20:15, iu nënshtrova një ndërhyrjeje kirurgjikale për një problem në këmbën e djathtë, i cili më vështirësonte në ecjet e mia. Por ecja është pasioni im. Operacioni zgjati 1 orë e 15 minuta, shkova në shtëpi pa asnjë ndërlikim. Dje dhe sot kam përmbushur gjithë detyrimet e mia”, - theksoi ai. Por ai, nga ana tjetër, e akuzoi kryetarin Rama që ka abuzuar me këtë lajm duke shpërndarë në media mesazhe me celular duke e zmadhuar këtë lajm. Berisha vijoi më pas duke sjellë publikisht disa operacione që sipas tij kishte bërë Rama si transplantimi i flokëve, vendosja e dhëmbëve, operacion në vetulla e të tjera. “Por dy fjalë i them këtij zotërisë. Operacionet janë për njerëzit. Nuk mund të mos them se janë disa operacione, të cilat kanë domethënie tjetër. Kur detyrohesh t'i bësh 30-40 vjet para kohe, flasin vetë. Se shkon të transplantosh flokët, rri 2 javë në klinikë dhe nuk të mbin 1 qime, dhe kjo jo për faj të rasatit, por për faj të arës. Kur shkon të heqësh xhufkat në qepalla dhe nxihen më keq, kur bën dhëmbët dhe të bien, këto operacione dhe disa të tjera, këto edhe mund të bëhen, edhe jo. Ndaj mos dërgo më mesazhe në celularët e gazetarëve”, - është shprehur kryeministri.
Fill pas kësaj deklarate ka reaguar selia rozë. Zëdhënësja për shtyp e PS-së, Armela Imeraj, deklaroi se Berisha po vazhdon me shpifjet e tij publike. “Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shpreh të gjithë habinë e tij për shpifjen më të freskët të kryeministrit. Duke i uruar të shkuara zotit Berisha, e konsideron shpifjen e sotme së bashku me fyerjet që e shoqëruan atë, një tjetër shembull të keq të etikës së komunikimit publik”, - është shprehur Imeraj.
Shtyhet raportimi i kreut të ILDKP-së në Kuvend
Kreu i Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive nuk ka mundur të raportojë para deputetëve të Komisionit të Ligjeve. Adriatik Lalla, pasi mbërri në ambientet e Kuvendit, pati një problem shëndetësor dhe u dërgua në spital. Në këtë situatë u shty raportimi. ILDKP konstaton ndërkaq se gjatë 2009-s, 1042 deklarata të pasurisë së zyrtarëve rezultuan me probleme, pasaktësi, mungesa, gabime etj.
Gjatë periudhës janar - dhjetor 2009, në këtë institucion janë depozituar gjithsej 4964 deklarata të interesave private. ILDKP-ja ka dërguar në organin e Prokurorisë kallëzim penal ndaj 16 zyrtarëve të kategorive të ndryshme nën akuzën e refuzimit të deklarimit, fshehje ose deklarim të rremë ndaj 37 zyrtarëve. Sot, në Komisionin e Ligjeve do të raportojë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani.
30 Mars 2010