E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masters Djokovic kthehet mbret

Finalja e turneut “Masters” në Londër ishte pika kulmore e sezonit të tenisit, një duel mes dy mbretërve të këtij sporti. Në fund, triumfoi numri 1 i klasifikimit botëror Novak Djokovic, i cili e mbylli duelin në dy sete, 7-6, 7-5 duke mposhtur beniaminin e tifozëve, Roger Federer.

Pas një viti që nuk ka arritur të përcaktojë se cili tenist është paraqitur më mirë, në “O2 Arena” të kryeqytetit anglez, ku në 4 edicionet e fundit të Masterit kanë qenë të pranishëm rreth 1 milionë spektatorë, kurora shkoi për Djokovic.

Ai u konfirmua si numri 1, pasi gjatë 2 orëve e 14 minutave lojë, arriti të realizonte një përmbysje të jashtëzakonshme përballë Federer, duke dhuruar një paraqitje të nivelit të lartë. Për serbin, ky është triumfi i dytë në këtë turne, pas atij të vitit 2008.

Federer dukej sikur kishte kontrollin e sfidës, madje në secilin set e kishte parë veten edhe në avantazhin e një “tie break”. Megjithatë, kjo nuk i mjaftoi zviceranit, sepse Djokovic rikthehej në lojë me një forcë të jashtëzakonshme, e në fund evitoi edhe setin e tretë të ndeshjes për të përcaktuar fituesin.

Në anën tjetër, Roger Federer ka pësuar disfatën e dytë në 8 finale “Masters” të luajtura në karrierë. Zvicerani humbi shansin që ta fitonte për herë të shtatë trofeun “ATP”, të rezervuar për tetë tenistët më të mirë në botë, megjithatë, ai është larguar nga fusha me kokën lart dhe më një paraqitje të shkëlqyer.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›