Gurët prishin ‘rehatinë’

Është e pamundur që në futbollin kosovar të kalojë një gjysmë sezoni dhe të mos ndodhë ndonjë incident. Pas 14 xhirosh kryesisht të qeta, në atë të 15-të, e cila u zhvillua fundjavën që shkoi, ndodhi ajo që askush nuk e kishte dëshiruar.
Pas ndeshjes ndërmjet Dritës dhe Llamkos Kosovës, e cila u takoi vushtrriasve, tifozët gjilanas ‘Intelektualët’ sulmuan ata vushtrrias ‘Forca’, respektivisht autobusët e tyre, të cilët i demoluan plotësisht. Si pasojë, mbetën të lënduar pesë persona, prej tyre dy shoferët e autobusëve, dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe një anëtar i sigurimit privat në stadium, ndërsa u dëgjuan edhe të shtëna armësh.
Rasti i Gjilanit pritet të diskutohet të martën në mbledhjen e rregullt të Komisionit të Garave (KG) të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Kryetari Isuf Ajeti thotë se do të veprohet në bazë të raportit të gjyqtarëve dhe vëzhguesit.
“Ky është rast paksa i veçantë, sepse ka ndodhur shumë larg stadiumit, pra rreth një kilometër e gjysmë prej stadiumit në hyrje të Gjilanit. Ne do t’i marrim raportet e lojës dhe të shohim se çka shkruan në to. Nëse nuk ceket asgjë, atëherë do ta kemi vështirë të ndërmarrim diçka. Por, të shohim nesër”, është shprehur Ajeti për Express.
“Mendoj se kjo është punë ekskluzive e policisë. Organet policore duhet të merren me këtë punë, pasi që ajo ka ndodhur pas lojës dhe shumë larg stadiumit. Do të shohim nëse nikoqiri ka bërë ndonjë lëshim apo jo”, vazhdoi ai.
Ajeti ka kërkuar nga organet kompetente të jenë më syhapur për t’i ndaluar incidentet e tilla, të cilat, sipas tij, po rriten dita-ditës. Nëse bazohemi nga praktika, Federata vështirë se mund ta marrë ndonjë vendim për tifozët gjilanas. Në të kaluarën, një tifoz vushtrrias ishte therur në Prishtinë larg stadiumit dhe shtëpia e futbollit kosovar nuk kishte ndërmarrë ndonjë masë ndaj Prishtinës.
Ndërkohë, Llamkos Kosova e ka dënuar rastin e ndodhur në Gjilan, duke i fajësuar tifozët gjilanas, të cilët kryesisht ishin në një moshë shumë të re.
“Ne kemi marrëdhënie shumë të mirë me kryesinë e Dritës, por tifozeria e saj pas ndeshjes prishi atmosferën që mbretëroi në stadium. Shumica e tifozëve gjilanas kanë qenë nën moshën 18 vjeç dhe si duket e kanë keqkuptuar punën e tifozerisë. S’kisha pas qejf që të ndodhë kurrë një ngjarje e tillë, është diçka e keqe që nuk i shërben askujt. Provokimet kanë filluar qysh tek rezultati 0:0”, tha kryetari i vushtrriasve, Labinot Demi.
“Çfarë faji kishin shoferët e autobusëve?Ata kanë ardhur ta kryejnë punën e tyre, ndërsa e pësuan më së keqi”, vazhdoi ai.
Ndërsa, edhe kryesia e Dritës ka reaguar menjëherë pas rastit të ndodhur, duke e dënuar incidentin dhe duke u zotuar se kjo nuk u shkaktua nga ‘Intelektualët’, por nga disa tifozë të pandërgjegjshëm.
“KF Drita shpreh indinjatën e thellë për situatën e cila ka ndodhur në qytetin e Gjilanit. Gjendja e ekzaltuar jashtë qytetit, e shkaktuar nga disa tifozë, nuk ka mundur të kontrollohet nga klubi. Loja në fushë ka qenë korrekte, mirë e organizuar dhe me korrektësi. E gjithë kjo që ka ndodhur dëshirojmë të mos ndodhë askund, e sidomos pas ndeshjeve të futbollit”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga kryesia e klubit gjilanas.
Rasti i fundit, i ndodhur në futboll, është vazhdimësi e incidenteve të njëpasnjëshme që e përshkuan basketbollin kosovar muajin e kaluar. Në atë rast, Federata e Basketbollit e Kosovës vendosi që t’ua ndalojë tifozëve udhëtimin.
Policia kërkon tifozët problematikë
Policia e Kosovës (PK) është vënë në kërkim të personave që u përfshinë në incidentin që ndodhi të dielën në Gjilan, ku u sulmuan tifozët vushtrrias nga ata gjilanas, të cilët thyen dy autobusë të kundërshtarëve të tyre. Siç njofton PK, për momentin janë arrestuar dy persona, ndërsa janë duke u kërkuar edhe disa të tjerë.
“Policia po punon në ndaljen e personave që kanë marrë pjesë ose që dyshohet se kanë marrë pjesë. Ata janë të njohur për policinë, pasi që janë identifikuar në bazë të fotografive dhe deklaratave të dëshmitarëve. Është duke u punuar të ndalen edhe personat tjerë, pas dy të parëve që u ndalën të dielën”, ka shpjeguar Ismet Hashani, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjilanit.