Miqësorja me Kamerunin, test për të rinjtë

Për dallim prej grumbullimit të fundit, strategu italian për duelin ndaj Kamerunit i ka përgatitur disa risi. Ai në ekipin e tij i ka sjellë disa futbollistë të rinj, me të cilët në të ardhmen mund ta ripërsërisë skuadrën kuqezi.
Bruno Telushi, Armando Vajushi, Sabien Lilaj, Bekim Balaj dhe Renato Arapi janë ardhjet e reja në ekipin kryesor të Shqipërisë. Ndërkohë, pas një kohe të gjatë, italiani në skuadër i ka rikthyer edhe Kristi Vangjelin e Elis Bakajn.
“Kjo ndeshje na shërben për të vlerësuar disa alternativa. Duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë pasi e dimë se me dy “rrëshqitje të mundshme” mund ta shohim vetën jashtë gjithçkaje. Të vlerësosh alternativat do të thotë të kërkosh zëvendësuesit e mundshëm për titullarët. Të mos harrojmë se për të bërë gjëra të mëdha duhet të hedhësh hapa të vegjël, në mënyrën më të mirë të mundshme nga pikëpamja organizative. Duhet të jemi gati për çdo eventualitet”, ka thënë De Biasi në një intervistë për të përditshmen sportive shqiptare Sport Ekspres.
Ndeshja Kamerun – Shqipëri do të luhet në orën 20:45.