E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mat, Prokuroria kundër Gjykatës

 

BURREL/ HASAN PASHA

Prokurorët e Matit ankohen te ministri i Drejtësisë për mosmarrëveshjet që prej dy muajsh kanë me gjyqtarët e këtij rrethi. Ditët e fundit, grupi i punës së organit të akuzës i është drejtuar me një letër ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, me anë të së cilës sqarojnë marrëdhëniet e ndera që ata kanë me gjyqtarët e Burrelit. Burime të sigurta pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat thonë se prej disa ditësh kanë kërkuar ndihmën e ministrit, pasi sipas tyre mosmarrëveshjet e shumta mes tyre kanë dëmtuar rëndë disa procese gjyqësore. Pa përmendur dosje, ata pohojnë si shembuj disa raste masash arresti, kur gjykata nuk ka caktuar të njëjtën masë siç kishte kërkuar prokuroria. “Ne i kemi kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të mundësojë një takim mes prokurorëve të Matit dhe gjyqtarëve të këtij rrethi”, thanë burime pranë organit të akuzës. Burime jozyrtare sqarojnë se prokurorët janë shprehur në letrën e nënshkruar nga autoritetet vendore se mosmarrëveshjet kanë çuar deri aty sa prokurorë e gjyqtarë të mos komunikojnë me njëri-tjetrin, madje dhe në procese mjaft delikate. Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë është kërkuar një “ballafaqim” kur të pranishëm të jenë gjyqtarët dhe prokurorët e rrethit të Matit. Mirëpo kërkesa e MD-së për një takim të përbashkët nuk është pranuar nga ana e gjyqtarëve të Burrelit, të cilët janë shprehur se “marrëdhëniet me proku-rorët janë korrekte dhe ligjore”. Prokurorë të Matit kundërshtojnë gjyqtarët kur thonë se aktualisht “gjyqet zhvillohen vetëm me një palë, ku roli i prokurorit dhe avokatit përbuzet dhe anashkalohet padrejtësisht nga gjyqtarët e Burrelit”. Akuzat shkojnë më tej kur prokurorët e Matit pohojnë se këto marrëdhënie të brishta mes prokurorëve dhe gjyqtarëve janë mjaft të theksuara dhe mes vetë gjyqtarëve, shumica e të cilëve nuk komunikojnë me njëri-tjetrin për shkaqe nga më të ndryshmet. Përfaqësuesit e akuzës deklarojnë se kjo “xhelozi” dhe “sherr” mes përfaqësuesve të organeve të drejtësisë lidhet me nivelin e ulët profesional të gjyqtarëve, shumica e të cilëve nuk kanë përfunduar studimet e larta me shkëputje nga puna.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›