Xhuveli kritika vartësve për ndotjen e mjedisit
BERAT - Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli iu flet me nota kritike vartësve të tij në Berat për ndotjen e ambientit. Gjatë një takimi pune të zhvilluar në prefekturë, ministri u tërhoqi atyre vëmendjen dhe u kërkoi shtimin e kontrolleve në aktivitetet që ndotin mjedisin. Ai renditi si subjektet më problematike për ndotjen e mjedisit guroret, zonën përreth uzinës së baterive, zonën naftëmbajtëse në Kuçovë, nxjerrjen e gurit dekorativ në Skrapar etj. Gjithashtu, Xhuveli përmendi ndër problematikat e tjera edhe shfrytëzimin e lumenjve për inerte. Pas inspektimeve të kryera në disa prej këtyre zonave, ministri theksoi se procesi më i fundit i qeverisë për transferimin e sipërfaqeve të pyllëzuara tek pushteti vendor në qarkun e Beratit po ecën me hapa shumë të ngadaltë. Kjo, sipas tij, për shkak se nuk është plotësuar ende kuadri i nevojshëm me specialistët përkatës dhe inspektorë të policisë pyjore në bashki e komuna. Në takimin e djeshëm ministri vuri theksin te guroret, kryesisht në Urën Vajgurore, të cilat sipas tij nuk përdorin impiantet e pastrimit. Kjo ndikon në ndotjen e ambientit në qytet, por edhe në rrethinat e saj. Banorët janë ankuar disa herë, por gjendja vijon të paraqitet e njëjtë prej disa vitesh. Përgjegjësinë direkte për këtë situatë Xhuveli ia delegoi Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Berat. “Kjo drejtori i ka të gjitha kompetencat për zbatimin rigoroz të ligjit. Është në kompetencat e Agjencisë Rajonale të Mjedisit që të marrë të gjitha masat e nevojshme ligjore për të gjitha ato gurore që shkelin ligjin, duke i ndëshkuar, penalizuar e mbyllur si aktivitete”, u shpreh më tej ministri, duke paralajmëruar deri në heqjen e licencave. Sipas tij, edhe në qarkun e Beratit do të zbatohet e njëjta procedurë si në qytetet e tjera. “Do të mbyllen të gjitha guroret që nuk zbatojnë rregullat dhe që shkaktojnë ndotjen e mjedisit”, paralajmëroi Xhuveli. Gjithashtu, ai theksoi me të njëjtat tone kritike se nuk do të tolerohet asnjë person që do të shkelë ligjin e vendosur për ndotjen, për interesa përfituese. d.xh