E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, në Tiranë ose Zagreb në prill

 

ADI SHKEMBI

Presidenti i SHBA-së, Barak Obama mund të vijë pak orë në Shqipëri pas samitit të NATO-s që do të mbahet në 3-4 prill. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta kroate “Javno”, e cila citon disa burime të afërta të Shtëpisë së Bardhë. Bëhet e ditur se Tirana ose Zagrebi mund të jenë ndalesa e Presidentit Obama, e cila do të shënojë edhe udhëtimin e parë të tij në rajonin tonë. Burime jozyrtare citojnë se vizita e Presidentit mund të organizohet në fillim të prillit, pasi ai do të ndjekë në atë kohë takimin e G20 në Londër. Pas kësaj, më 3 dhe 4 prill ai do të takohet me liderët e NATO-s në samitin e NATO-s, i cili mblidhet për të festuar 60-vjetorin e Aleancës. “Pas kësaj, Obama mund të vizitojë një nga vendet e reja anëtare të NATO-s, Kroacinë apo Shqipërinë për pak orë”, bëhet e ditur në raportin e gazetës kroate. Por edhe nëse udhëtimi i Presidentit Obama nuk do të realizohet, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe homologu i tij kroat, Ivo Sanader, do të marrin një ftesë për t’u takuar me të në Uashington. “Sidoqoftë, edhe nëse nuk ka asnjë vizitë, presidentët dhe kryeministrat e Kroacisë dhe Shqipërisë ka shumë mundësi që të marrin një ftesë speciale për në Shtëpinë e Bardhë, kua ata do të mund të takohen me Obamën në muajin maj”, vijon më tej raporti i “Javno”. Nëse kjo vizitë do të realizohet, Obama do të jetë presidenti i dytë i SHBA-së që viziton Shqipërinë. Dy vjet më parë, në 12 qershor, Presidenti Xhorxh Bush erdhi për një vizitë 6-orëshe në vendin tonë, ku premtoi marrjen e ftesës për Shqipërinë në Samitin e Bukureshtit dhe pavarësinë e Kosovës. Në 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë, duke u bërë kështu shteti më i ri në Botë, ndërsa në 3 prill 26 anëtarë të NATO-s votuan pro marrjes së ftesës për anëtarësim me të drejta të plota nga Shqipëria. SHBA ka qenë mbështetësi më i fuqishëm për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pas nënshkrimit të protokollit nga Tirana zyrtare, brenda një kohe të shkurtër në kongresin amerikan u votua protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë, megjithëse SHBA ndodhej në një moment të rëndësishëm për shkak të krizës ekonomike që kishte prekur këtë vend. Në të njëjtën kohë Uashingtoni u ka bërë thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të ratifikojnë shpejt dokumentin që i hap rrugën anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në mënyrë që vendi ynë të bëhet pjesë e Aleancës, sipas parashikimeve në samitin e këtij viti.

“Berisha e Sanader në maj në Uashington”

Gazeta kroate “Globus” shkruan se nëse Presidenti Obama nuk do të vizitojë Shqipërinë ose Kroacinë gjatë zhvillimit të Samitit të NATO-s në prill, Kryeministrat Sali Berisha dhe Ivo Sanader do të ftohen në maj në Uashington. “Nëse për arsye organizative kjo vizitë e Obamës në Shqipëri dhe Kroaci nuk do të realizohet, atëherë ai do të ftojë në muajin maj në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe atë kroat Ivo Sanader”, thuhet në raportin e gazetës “Globus”.

Berisha me kongresmenët e SHBA: Zgjedhjet e ‘09 sipas standardeve

Kryeministri Berisha premton në SHBA zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme sipas standardeve të kërkuara. Në ditën e parë të vizitës përtej Atlantikut, kreu i qeverisë u takua me kongresmenin Eliot Engel si dhe mori pjesë me ftesë të organizatorëve, Senatorit Tom Coburn dhe Kongresmenit Heath Shuler në një darkë me disa senatorë dhe kongresmenë. Gjatë takimit me kongresmenin Engel, një njohës i mirë i çështjes shqiptare, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të gjerë të procesit konsensual të miratimit të kuadrit ligjor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, si dhe në veçanti në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Ai e njohu kongresmenin Engel me hapat e bërë për sigurimin e një regjistri elektronik të popullsisë, shtypjen e kartave të reja të identitetit e pasaportave biometrike, etj., elementë që garantojnë votime të ndershme. Në të njëjtën kohë edhe në drekën me kongresmenët e senatorët, kreu i qeverisë garantoi zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve, duke u nisur nga konsensusi që e ka karakterizuar këtë proces. “Jo vetëm konsensusi politik ndërmjet maxhorancës dhe opozitës për hartimin e një kuadri ligjor modern, por, mbi të gjitha, edhe përpjekjet e shumta të qeverisë për sigurimin e infrastrukturës zgjedhore, si kartat e identitetit, regjistri elektronik i shtetasve etj, janë një bazë e sigurt për standardet e këtyre zgjedhjeve”, u shpreh Kryeministri. Sipas njoftimit për shtyp, Kryeministri Berisha e njohu kongresmenin Engel me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, duke u ndalur tek arritjet e reformave qeveritare si dhe çështjet e anëtarësimit në NATO dhe BE. “Berisha, ndër të tjera, theksoi sukseset në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si një nga hapat që garantuan përshpejtimin e proceseve integruese dhe që e nxorën Shqipërinë nga harta e nxirë e këtyre fenomeneve. Kryeministri Berisha u ndal gjithashtu edhe në reformimin e thellë që pësoi administrata shqiptare në aspektin e elektronizimit të prokurimeve publike, regjistrimit elektronik të subjekteve tregtare, etj”, bëhet e ditur në njoftim. Nga ana e tij, kongresmeni Eliot Engel vlerësoi arritjet e qeverisë Berisha në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, modernizimit të administratës dhe veçanërisht rezultatet e këtyre reformave, si bazë për integrimin në NATO dhe BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›