E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mat, familja Çollaku apel për ndihmë: Po vdesim për bukë

MAT- Familja e Bajram Çollakut, nga fshati Batërr i Matit, në komunën Komsi, bën apel për ndihmë. Kjo familje jeton në kushte shumë të vështira ekonomike. Kryefamiljari tregon se jeton në një banesë vetem prej 9 m2, ku katër pjestarë të familjes, aty gatuajnë, aty presim mikun dhe aty flenë dhe jo vetëm kaq, në kete dhomë nuk gjendet asnjë orendi jetike.

“Kushtet familjare sic e shihni dhe vetë janë aq të vështira sa nuk mund të ekzistojë familje tjetër kështu si ne. Uroj që të mos ketë si puna ime…jam deri në atë shkallë sa fëmijët hanë mëngjesin, drekën deri diku dhe darkën fare, se nuk mund ta përballoj me 40 mijë lëkë të vjetra që më jep komuna. Vetë jam i sëmurë, më kanë thënë për operim, por nuk kam ku ti gjej lekët. Shpresoj të më ndihmojë ndonjë biznesmen që nuk i ka harruar sakrificat e veta…të vëjë dorën në zemër dhe të më ndihmojë”, shprehet kryefamiljari Bajram Çollaku.

Dy fëmijët e Bajram Çollakut, Hygerti dhe Xhiljola, përkatësisht në klasën e 8-të dhe klasën e 5-të të shkollës 9-vjeçare “Hasan Kala”, Batërr, rrëfejnë dhimbshëm se konsumojnë vetëm dy vakte, mëngjesin dhe darkën, nga ushqimet e falura. Ndërsa vakti tjetër i ngrënies, darka, nuk konsumohet asnjëherë, sa s’mbahet mend.

“Ne hamë vetëm pak mëngjesin kur shkojmë tek shkolla, drekën me hurdhra dhe qepë, ndërsa bukën kur na e falin…nuk kemi kushte për ta blerë…darkën nuk e hamë fare”, shprehet Hygert Çollaku.

Sikur ta kuptojnë gjendjen e pamundësisë së tyre ekonomike, në disnivel nga bashkëmoshatarët, Hygertin dhe Xhiliolën i shikon gjithmonë të vetmuar, me rroba të vjetra në trup. Edhe një dollap buke që ia kanë falur Bajram Çollakut, e ka mbushur me rroba, pasi sic thotë ai bukë e ushqime nuk kam që ta mbush këtë dollap.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›