E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perplasen per te perndjekurit. Topalli Po dekorohen ekzekutoret. Topi Melodi e vjeter

 Të pranishëm në homazhet për Sokol Sokolin dhe Tom Ndojën, dy të rinjtë e pushkatuar pa gjyq në 1984, eshtrat e të cilëve u gjetën pak ditë më parë në Kuç të Shkodrës, Bamir Topi dhe Jozefina Topalli kanë replikuar mes tyre për krimet e komunizmit dhe dënimin e autorëve.
“Mos guxoni më të dekoroni ata që kanë vrarë në mënyrën më barbare si këta dy djem të rinj, Sokol Sokolin dhe Tom Ndojën, ashtu dhe nijra të tjerë. ajo është fyerja më e madhe që mund t’i bëhet veprës së tyre, familjeve të tyre, por dhe ne si komb. Ata që dekorojnë vrasësit e tyre janë më tepër se hipokrit”- deklaroi Topalli. 

“Çdo adresim për elementë të tillë që unë nuk e di se ku drejtohen, por pavarësisht nëse kanë një nëntekst, besoj se janë të gabuar. Unë do t’i kujtoja gjithsecilit se nuk është momenti për të luajtur një melodi të vjetër. Ata që kanë në dorë vendimmarrjen politike që kjo klasë e të përndjekurve politikë të mos nderohet vetëm me fjalë, në mënyrë demagogjike. Të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur skema e kompensimit”- u shpreh Topi.

Kreu i shtetit ka quajtur një rast sporadik dekorimin e një prej prokurorëve të komunizmit për të cilin u vu në shenjestër të akuzave të maxhorancës. Është një rrjet i gjerë institucionesh dhe individësh sipas tij me të cilët konsultohet para dekoratave dhe emërimeve.

Homazhe në Institutin e të Përnjekurve politikë për dy të pushkatuarit bënë dhe kryeministri Berisha dhe kandidati për kryebashkiak, Lulzim Basha. Kreu i qeverisë hoqi një paralele mes luftës për liri të Sokolit dhe Ndojës me zgjedhjet lokale në Tiranë.

”Kur ata burra kanë votuar janë paraqitur para dy kutive. Njëra ishte kutia e frontit, e barbarisë, kurse tjetra quhej kutia e armikut. Nga nga ata të cilët votën e hedhur në një kuti tjetër duan ta konsiderojnë si votë të ekzekutuar” tha Berisha.

”Eshtrat e martirëve të zhdukur, të ekzekutuar pa gjyq apo në mënyrë klandestine gjatë rregjimit diktatorial, të gjehen, të identifikohen dhe shoqëria, familjarët miqtë, të kenë mundësinë t’i përkujtojnë” tha Basha.

Në kuadër të vemendjes për ish- të përndjekurit politikë, kreu i shtetit bëri thirrje për ndërtimin sa më shpejt të Muzeut Përkujtimor për këtë kategori.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›