E Diel, 1 Nëntor 2026

Matematika, vetëm 8 maturantë me pikët maksimale

Autori i Lajmit: red.
Në provimin e matematikës kaluan 89 % e maturantëve në gjithë vendin. AVA publikoi dje rezultatet e provimit të dytë të Maturës Shtetërore. Drejtori i Qendrës së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Edmond Lulja, nënvizoi se nga 31 959 nxënës pjesëmarrës në test, vetëm 8 prej tyre morën pikët maksimale të mundshme (50 pikë). Nga të dhënat e AVA-s, një strukturë në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, rezultoi ndër të tjera se në provimin e dijeve në matematikë 19 015 nxënës gjithsej (59,60 % e numrit total) u vlerësuan me nota të nivelit 5-6, ndërsa me notat 7-8 u vlerësuan 7368 nxënës (23,06 % e numrit total). Me nota të nivelit 9-10 u vlerësuan 2097 nxënës gjithsej (6,56 % e totalit të tyre), 535 prej të cilëve me notën 10. Procesi i korrigjimit të testeve të matematikës, nisi rreth dy javë më parë në të katër Qendrat e Vlerësimit në Tiranë, Shkodër, Elbasan e Fier, ndërkohë që rezultatet e maturantëve do të afishohen sot në të gjitha shkollat e mesme. Maturantët kanë pritur dje në shkolla për të marrë rezultatet, por ato nuk ishin afishuar. “Na kishin informuar që notat do të dalin sot, por në të vërtetë nuk janë afishuar”, - u shprehën dje një grup maturantësh pranë shkollës “Ismail Qemali”. Sipas AVA-s, pas përfundimit të procesit të korrigjimit të testeve në të katër Qendrat e Vlerësimit në Tiranë, Shkodër, Elbasan e Fier, do të fillonte qysh dje pasdite printimi i rezultateve në nota të nxënësve dhe shpërndarja e tyre nëpër DAR/ZA-të, prej ku do të nisen për afishim në shkolla. Por në të vërtetë gjatë vëzhgimit që ne bëmë dje nëpër shkolla, rezultatet e printuara ende nuk kishin mbërritur në Drejtoritë Arsimore. Po sipas AVA-s, vetëm 8 nxënës kanë marrë sasinë maksimale të pikëve të mundshme(50 pikë). Rezultatet e arritura do të jenë objekt studimesh të mëtejshme të thelluara nga ana e AVA-s dhe e MASH.

Kalueshmëria në shkallë vendi është 89,11 %.
Kanë marrë nota të nivelit 5-6 gjithsej 19015 nxënës, dmth 59,60 % e sasisë totale.
Kanë marrë nota të nivelit 7-8 gjithsej 7368 nxënës, dmth 23,06 % e sasisë totale.
Kanë marrë nota të nivelit 9-10 gjithsej 2097 nxënës, dmth 6,56 % e totalit të tyre; prej këtyre 535 janë nota 10.
Ky lajm është publikuar: 02/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›