Materiet radioaktive futen pa kontroll në Kosovë!

Një sasi e radiofarmakëve, që janë materie e lëngët radioaktive që përdoren për diagnostikë dhe trajtim terapeutik të pacientëve me kancer, kanë alarmuar të shtunën në Kosovë gjithë pikën doganore të aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë.
Ndonëse zyrtarisht askush nuk flet për shkallën e radioaktivitetit që ekspozonin materiet që do të përdoren për trajtimin e pacientëve në Institutin e Onkologjisë si dhe në Mjekësinë Nukleare në QKUK, sipas burimeve të gazetës Tribuna, radiofarmakët e sjellë të shtunën në Kosovë kishin shkallë të lartë rrezatimi.
E për futjen e tyre në Kosovë, as që ishte në dijeni Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore, që është institucion në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Një burim brenda doganës së Kosovës ka njoftuar se detektori për radioaktivitet që e posedonte zyrtari doganor, shkonte në vlerën maksimale numerike posa i ofrohej kavanozave ku ishte e vendosur lënda radioaktive. /Indeksonline/