E Diel, 1 Nëntor 2026

Zamira Durda: “Vota ime për Ilir Metën shkoi për vrasësit e tim biri”Nga Bledar Lumani Që prej vdekjes së të birit, më 15 mars, në mendjen e Zamira Durdës ekziston vetëm një mendim, të cilin do që ta kthejë patjetër në veprim. Të bëjë të mu

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Zamira Durda: “Vota ime për Ilir Metën shkoi për vrasësit e tim biri”Nga Bledar Lumani

Që prej vdekjes së të birit, më 15 mars, në mendjen e Zamira Durdës ekziston vetëm një mendim, të cilin do që ta kthejë patjetër në veprim. Të bëjë të mundur që përgjegjësit e vdekjes së Edisonit, të ndëshkohen. “Unë tashmë jetoj vetëm për t’u çjerrë maskën autorëve dhe përgjegjësve të shpërthimit të Gërdecit. Jam betuar para varrit të tim biri se do t’i shkoj deri në fund kësaj çështjeje dhe do të bëj çmos që përgjegjësit e vdekjes së tij të dalin përpara drejtësisë dhe të ndëshkohen”, - thotë Zamira.

Mediu përgjegjës, të gjykohet me çdo kusht

Vetëm dy ditë më parë, në emër të familjarëve të viktimave të Gërdecit, Zamira Durda dorëzoi në prokurori kallëzimin penal ndaj ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu. Sipas saj, Mediu është përgjegjës për shpërthimin më 15 mars dhe për këtë arsye duhet të përballet me akuzat në gjykatë. “Kërkoj me çdo kusht gjykimin e Fatmir Mediut, pasi mendoj se ai është përgjegjësi kryesor për tragjedinë e 15 marsit. Ne kërkojmë që ai të dalë para gjykatës dhe të gjykohet për akuzat. Duhet që të përballet me gjykatën dhe kjo e fundit të vendosë, nëse është fajtor apo jo”, - thotë e ëma e Edisonit, i cili humbi jetën vetëm në moshën 6-vjeçare.

Zamira Durda thotë se prokuroria nuk ka hetuar siç duhet për këtë çështje, madje, sipas saj, organi i akuzës duhet që ta kishte akuzuar Mediun edhe për vrasje dhe jo vetëm për shpërdorim detyre. “Mendoj që çështja nuk është hetuar si duhet nga ana e prokurorisë dhe akuzat e ngritura në rastin e Mediut janë të padrejta. Përveç akuzës së shpërdorimit të detyrës, ai duhej që të akuzohej edhe për vrasje, ashtu si dhe Delijorgji dhe Pinari. Është e patolerueshme ajo që ka ndodhur, dhe ai si ministër i Mbrojtjes ka përgjegjësinë kryesore për tragjedinë, pasi lejoi që të demontoheshin municione dhe predha në një zonë të banuar, dhe për më tepër nuk urdhëroi kontrollet për masat e sigurisë, kur dihet që ato nuk ekzistonin, ndërsa në fabrikë punonin edhe fëmijë”, - pohon Zamira.

Mediu ministër, turp i madh!

Emërimi sërish ministër i Fatmir Mediut është fakti më irritues për Zamira Durdën. Sipas saj, ky është një turp dhe fyerje e madhe, jo vetëm ndaj viktimave dhe familjarëve të shpërthimit të 15 marsit, por gjithë shqiptarëve. Madje, Zamira thotë se emërimi i Mediut ministër tregon qartë se, jo vetëm qeveria, por edhe Presidenti i Republikës, që emëroi dekretimin e tij, janë të korruptuar.

“Emërimi i Fatmir Mediut si ministër i Mbrojtjes është një turp i vërtetë dhe një fyerje, jo vetëm për ne që humbëm të afërmit tanë, por për gjithë shqiptarët, që duhet të kenë për ministër një të akuzuar për vrasje, i cili nuk përballet me drejtësinë. Emërimi i tij si ministër tregon qartë që gjithë qeveria është e korruptuar, madje edhe presidenti, i cili përgjegjësinë e emërimit të Mediut ia la Berishës. Ai nuk duhej të kishte dekretuar Mediun si ministër”, - shprehet Durda.

Ajo thotë se tashmë e ka humbur besimin te politika, e cila jo vetëm që nuk i ka ndihmuar për zbardhjen e çështjes dhe ndëshkimin e autorëve të tragjedisë, por iu është kundërvënë. Sipas saj, politikanët e të dyja krahëve janë të zhytur në korrupsion. “Te politika e kam humbur besimin se mund të na ndihmojë për të ndëshkuar përgjegjësit e shpërthimit. Të gjithë politikanët, si të djathtët, ashtu dhe të majtët, janë të përlyer dhe të zhytur në korrupsion”, - thotë ajo.

Zamira shpreh zhgënjimin e vet edhe ndaj opozitës, e cila, sipas saj, nuk i ka mbështetur dhe nuk i ka ndihmuar dhe për më tepër i ka përdorur politikisht ata. “Opozita nuk ka na përkrahur dhe nuk na ka mbështetur si duhet. Madje, ata na kanë përdorur vetëm për interesat e veta. Që kur ndodhi tragjedia, ajo duhet që të kishte reaguar dhe të kërkonte rrëzimin e qeverisë dhe jo ta mbështeste atë. Opozita duhet të kërkojë me patjetër heqjen e imunitetit të Mediut dhe duhet të ndikojë për miratimin e një ligji të posaçëm që familjarët e viktimave të marrin pension”.

Gjykata e Lartë dhe drejtësia e munguar

Pushimi i dosjes penale ndaj Fatmir Mediut nga ana e Gjykatës së Lartë, sipas Zamirës, ka qenë një fyerje e rëndë për familjarët e viktimave dhe një vrasje e dytë ndaj këtyre të fundit. Sipas saj, kur nuk jep drejtësi institucioni më i lartë i drejtësisë sonë, atëherë nuk mund të presim drejtësi nga institucionet e tjera. “Gjykata e Lartë është treguar e njëanshme, si në rastin e ndarjes dhe veçimit të dosjes së Mediut, ashtu dhe në pushimin e akuzës ndaj tij. Për më tepër, ajo nuk pranoi që ne të ishim palë në këtë proces, edhe pse jemi prekur drejtpërdrejt nga ngjarja dhe kemi humbur të afërmit tanë. Mund të them që Gjykata e Lartë, me atë që ka bërë, ka treguar veten, ndërsa ne na ka fyer rëndë dhe na ka vrarë për herë të dytë. Kur nuk vendos kjo gjykatë drejtësi, që është dhe institucioni më i lartë i drejtësisë, atëherë nga kush do vendoset drejtësia në vendin tonë?! Dua të them se edhe Gjykata e Shkallës së Parë nuk ka vepruar si duhet, duke na mohuar të drejtën të jemi palë në procesin ndaj të pandehurve”, - shprehet Zamira.

Kjo e fundit pohon se, pavarësisht një sërë veprimesh, si ndarja e dosjes, pushimi i dosjes penale ndaj Mediut, mospërfshirja e tyre si palë në proces etj., ajo vazhdon që të shpresojë. Por, shpresa, sipas Durdës, ka një kufi. Dhe nëse nuk vendoset dhe veprohet sa më parë, ajo thotë se do të veprojë njësoj si ata që i vranë djalin e vogël. “Pavarësisht hetimeve të mangëta, pavarësisht ndarjes së dosjes, pavarësisht se nuk kanë pranuar si palë, pavarësisht pushimit të dosjes penale të Fatmir Mediut, ne do të vazhdojmë që të kemi besim dhe shpresë te drejtësia. Por ky besim dhe kjo shpresë nuk mund të zgjasin përjetë. Nëse drejtësia nuk vepron sa më parë, unë jam gati që të bëhem kamikaze dhe të vras ata që më morën jetën e djalit. Tashmë mua nuk më bën përshtypje asgjë. Për të vendosur drejtësinë ndaj atyre që më vranë djalin, jam e gatshme që të veproj njëlloj si ata. Si të mos veproj në këtë mënyrë, kur unë ende nuk kam as trupin e tim ati për ta qarë, që gjithashtu humbi jetën në shpërthimin e 15 marsit?”- pohon Durda.

Fjalët e fundit të tim biri: “Më fal që ika pa leje”

“Më fal që ika pa leje”. Kanë qenë këto fjalët e fundit që Edison Durda, 6 vjeç, i ka thënë së ëmës, a thua se ishte faji i tij që i morën jetën në mes të ditës, teksa luante me biçikletë. Për Zamirën, mamanë e Edisonit, këto fjalë do të mbeten gjatë në memorie. Ajo thotë se nuk do të reshtë kurrë që falje të kërkojnë përgjegjësit e vdekjes së djalit të vet, pasi vetëm kështu do të gjejë qetësi. E përlotur, Zamira rikujton edhe njëherë ngjarjen e rëndë, kur djali i vogël i saj humbi jetën në mënyrë tragjike. “Edisoni ditën e tragjedisë ka qenë duke luajtur në rrugë me biçikletën e të vëllait. Ai po luante me djalin e kunatës. Në këtë kohë, vjehrra ime i ka kërkuar djalit të kunatës që t’i çonte bukën kësaj të fundit dhe kunatës tjetër, të cilat punonin në fabrikën e demontimin të municioneve në Gërdec. Bashkë me të ka shkuar edhe Edisoni. Fëmijët kanë shkuar brenda në fabrikë dhe, pasi kanë çuar bukën, janë kthyer. Pasi kanë dalë nga fabrika, ka ndodhur edhe shpërthimi. Flakët e zjarrit kanë prekur tim bir. Pavarësisht kësaj, ai ka mundur që të ecë deri tek oborri i shtëpisë, pasi ka pasur një palë këpucë lëkure, të cilat nuk janë djegur nga flakët. Atje ai është gjetur nga komshinjtë e mi i djegur dhe duke qarë nga dhimbjet e shumta. Kur e kam parë, nuk u kam besuar syve të mi. I ishte djegur gjithë trupi, me përjashtim të këmbëve, ndërsa sytë i ishin ënjtur dhe nuk shihte më fare. Nga qafa ishte i çjerrë, pasi kishte tentuar që të hiqte bluzën, një golf, e cila ishte djegur pothuajse plotësisht. Edhe pse i shformuar dhe i djegur në masën 65%, ku nga dhimbjet vetëm qante pa pushim, të vetmet fjalë që më tha ishin: “Më fal që ika pa leje”. Pas kësaj, atë e çuan për kurim në Itali, por nuk mundi të mbijetonte dhe unë nuk e pashë më të gjallë dhe nuk e dëgjova të fliste tim bir”, - përfundon rrëfimin e vet Zamira.

Kjo e fundit thotë se është betuar përpara varrit të të birit se do të përpiqet që përgjegjësit e vrasjes së tij të gjykohen dhe të dënohen.

“Meta më kërkoi votën në shtëpi për të ndëshkuar qeverinë e Gërdecit”

Edhe pse është përpjekur që t’i shmanget politizimit të dhimbjes dhe fatkeqësisë së saj, Zamira Durda nuk mund ta pranojë faktin që vota e saj në zgjedhjet e 28 qershorit shkoi për ata që ajo i cilëson si vrasësit e të birit. Zamira tregon se është e zhgënjyer nga Ilir Meta, të cilin e ka pasur mik shtëpie dhe i dha votën. E irrituar ajo thotë se kreu i LSI e kishte vizituar në shtëpi dhe i kishte premtuar që pas 28 qershorit “qeveria e Gërdecit”, siç e quante ai, nuk do të ishte më në pushtet. Ndërsa pas zgjedhjeve ndodhi krejt e kundërta, pasi Meta, jo vetëm që nuk e mbajti premtimin e dhënë ndaj Zamirës, por u bashkua me ata, të cilët i akuzonte si vrasës. “Jam e zhgënjyer nga Ilir Meta, i cili para zgjedhjeve të 28 qershorit më erdhi në shtëpi dhe më tha se do të ndikonte për dënimin e shkaktarëve të tragjedisë që më mori djalin. Unë i dhashë votën atij që të rrëzonte “qeverinë e Gërdecit”, siç e cilësonte Meta dhe jo të bashkohej me të. Ndihem e zhgënjyer që vota ime ka shkuar dhe ka ndihmuar pikërisht vrasësit e tim biri. Nuk mund ta mendoja kurrë këtë gjë. Si mos të irritohem nga ky fakt, kur vota ime shkon pikërisht te vrasësit e djalit tim? Si mos të bëhem kamikaze, kur shoh këtë padrejtësi dhe këtë fyerje të rëndë që më është bërë?” - shprehet e irrituar ajo.

Zamira thotë se nuk do t’ia kishte dhënë kurrë votën Metës, nëse do ta dinte se ky i fundit do të bashkohej në të njëjtën qeveri, të cilën ajo e akuzon si përgjegjëse për vdekjen e të birit.

“Berisha hipokrit. Na nxori forcat e Sigurimit, kur shkuam ta takojmë”

Zamira Durda thotë se në gjithë historinë e Gërdecit, kryeministri Berisha ka qenë më hipokriti. Sipas saj, ai u ka premtuar atyre se do t’i ndihmonte dhe do të bënte të mundur ndëshkimin e përgjegjësve, që në fakt nuk ka ndodhur. Madje Zamira thotë se ka tentuar disa herë që ta takojë personalisht atë, por i kanë nxjerrë përpara forcat e Sigurimit. Ajo thotë se qeveria e Berishës është tallur keq me fatkeqësinë e tyre dhe në vend që t’u lidhte një pension të veçantë, u thoshte se viktimat nuk kanë paguar siguracionet. Aq hipokrit është treguar Berisha, sipas Durdës, sa njerëzit e vet i kanë telefonuar familjarëve të saj për t’u shkuar vizitë në banesë gjatë fushatës zgjedhore, gjë që ata e kanë kundërshtuar me përbuzjes. Berisha, sipas Zamirës, është nga ata tipa që të vret ditën dhe të qan natën. “Kryeministri Berisha ka qenë më hipokriti në këtë histori. Ai na premtoi se do të na jepte pension dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Unë personalisht nuk kam marrë gjë, ndërsa gratë e burrave që gjetën vdekjen në Gërdec marrin vetëm një pension qesharak për 50-60 mijë lekë. Dhe këto i marrin, sepse u takon me ligj, jo sepse ua dha posaçërisht qeveria. Kur shkuam te kryeministri për të kërkuar që të na lidhte pension, drejtori i Marrëdhënieve me Publikun, Elham Sharra, na tha që nuk u takon pension, pasi të afërmit tanë që humbën jetën nuk kishin paguar siguracionin. A ka tallje më të madhe se kjo?! Madje, disa herë, kur kemi shkuar për të takuar kryeministrin, na kanë sjellë edhe forcat speciale, të cilat na kanë kërcënuar. Kryeministri Berisha është treguar hipokrit që në fillim, kur tha se nuk e dinte se ku binte dhe çfarë bëhej në Gërdec, madje nuk e dinte që në fabrikën e demontimit të municioneve punonte baxhanaku i tij.

Berisha madje mashtroi dhe u tall me Mimoza Krujën, e cila u detyrua që ta priste atë në shtëpi. Ai i premtoi asaj se do ta ndihmonte të merrte pension tri ditë më pas, ndërsa një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më sot dhe ajo duhet që të mbajë tri vajzat e veta me rrogën prej 15 mijë lekësh që merr si pastruese në Bashkinë e Vorës. Berisha është aq hipokrit, sa njerëzit e tij gjatë fushatës zgjedhore morën në telefon shtëpinë e tim ati, i cili gjeti vdekjen më 15 shtator, për të bërë vizitë te mamaja dhe vëllezërit e mi. Ne e përbuzëm dhe nuk e pranuam kërkesën e tij, pasi Berisha është nga ata njerëz që të vret ditën dhe të qan natën”, - pohon gjatë fjalës së saj Zamira Durda.

“Gërdeci, njolla e turpit për PD, dhe jo e krenarisë”

Irritimin më të madh Zamira Durda thotë se e ka ndjerë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kur zëdhënësja e PD, Majlinda Bregu, dilte dhe tregonte me arrogancë se Partia Demokratike kishte fituar në Gërdec. Sipas saj, Gërdeci nuk duhet të jetë krenaria e PD, por turpi i saj, pasi është shenja e qartë e korruptimit të kësaj të fundit.

“Na kanë fyer rëndë dhe me hipokrizinë më të madhe. Nuk dija ku të futesha nga irritimi, kur pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Majlinda Bregu dilte në televizor dhe thoshte me krenari dhe arrogancë se PD kishte fituar në Gërdec. Si nuk i erdhi turp asaj femre? A ka fëmijë vetë ajo? A kanë zemër këta politikanë, që na fyejnë dhe luajnë përditë me dhimbjen tonë? Si mund të krenohet PD se fitoi zgjedhjet në Gërdec, kur ajo na vrau të afërmit tanë? Ajo na mori jetën. ǒkuptim ka tashmë fitorja në Gërdec, kur në fakt është njolla e zezë e kësaj qeverie dhe shenja më e qartë e korrupsionit dhe kapjes së shtetit?” - shprehet Zamira.

Kjo e fundit pohon se ka shkuar edhe në zyrën e kryeparlamentares, Jozefina Topalli, e cila i ka premtuar se do ta ndihmonte që të zgjidhte çështjen e pensionit për familjarët e viktimave të Gërdecit. Por, që prej asaj kohe, ajo thotë se Topalli nuk ia ka ngritur më telefonin, edhe pse ka tentuar që ta marrë me qindra herë në telefon. “Kryeparlamentarja Jozefina Topalli më priti në zyrën e vet dhe më premtoi se do të na ndihmonte për zgjidhjen e problemeve tona. Ajo më dha numrin e telefonit dhe më kërkoi që ta merrja për çdo shqetësim. Por, premtimi i saj mbeti vetëm formal. Kam tentuar me qindra herë që ta marr në telefon, por tashmë nuk ma hap më”, - thotë Zamira.

“Stresi dhe dhimbja, pjesë e pandarë e jetës sonë”

Që prej 15 marsit, Zamira Durda thotë se stresi dhe dhimbja janë kthyer në pjesë të pandarë të jetës së tyre. Ajo thotë se është shkatërruar si njeri dhe i duhet që të marrë tri herë në ditë ilaçe kundër stresit.

“Që prej vdekjes së tim biri jam bërë tjetër njeri dhe nuk kam gjumë natën. Jeta tashmë më duket e pakuptimtë. Madje, që prej ditës tragjike stresi është bërë pjesë e pandarë e jetës sime. Për këtë marr ilaçe tri herë në ditë. Ashtu si unë janë edhe gjithë banorët e Gërdecit. Vetëm dëmi psikologjik që na kanë shkaktuar është i pariparueshëm, pasi na kanë transformuar si njerëz. Një gomë makine të pëlcasë dhe të gjithë kthejmë kokën, pasi ankthi dhe frika tashmë kanë zënë vend te ne”, - shprehet Zamira.

Sipas saj, ata nuk po kërkojnë asgjë nga shteti, veç trajtimit të tyre si njerëz dhe jo të tregohen kaq indiferentë ndaj dhimbjes së tyre. “Ne nuk po kërkojmë që të na trajtojnë ndryshe dhe të na favorizojnë. Ne kërkojmë vetëm të na kërkojnë falje publike për atë që na bënë. Duam që të na trajtojnë si njerëz me dinjitet dhe jo të tregohen indiferentë ndaj dhimbjes dhe tragjedisë sonë. Duam që të vendoset drejtësia, pasi nuk mund të shoh Mediun, ndërkohë që djali im ka vdekur. Ai duhet të ishte në shkollë sot dhe jo aty ku është. Përse djali im duhej që të humbiste jetën në atë mënyrë të tmerrshme?!”- thotë ajo.

Zamira Durda është shprehur edhe në lidhje me dëmshpërblimin e qeverisë, e cila, sipas saj, nuk ka asnjë vlerë përpara jetës së djalit të vet. “Për mua dëmshpërblimi material është gjëja me e parëndësishme, pasi unë kam humbur djalin tim të vogël. Është e vërtetë që qeveria na dëmshpërbleu për shtëpitë, po ç’rëndësi ka tashmë që unë nuk kam më djalin tim. Për më tepër, edhe vlerësimi i dëmeve nuk ishte i drejtë, pasi një metër katror u vlerësua me vetëm 25 mijë lekë. Edhe për dhënien e pensionit qeveria na mashtroi. Shtëpinë kisha vetëm 5 muaj që e kisha ndërtuar, përpara se të më shkatërrohej nga shpërthimi i 15 marsit. Tashmë, kam tre muaj që e kam rregulluar sërish, po nuk më bëhet që të rri më në të, kur e di që djali im i vogël nuk do jetë më me mua. Kemi kërkuar një ligj të veçantë, në mënyrë që prindërit, bashkëshortët, fëmijët dhe të afërmit e tragjedisë të marrin pension. Por, kjo kërkesë nuk na është plotësuar. Ime më, e cila punonte në fabrikën e Gërdecit dhe u plagos më 15 mars, merr pension vetëm 60 mijë lekë dhe këto i merr jo për tragjedinë, por për shkak të moshës. Ndërkohë, im vëlla, i cili gjithashtu mbeti i plagosur në tragjedinë e 15 marsit, merr nga shteti vetëm 37 mijë lekë të vjetra, të cilat nuk i dalin as për të paguar rrugën për në Durrës, ku dhe vazhdon shkollën e lartë”, - përfundon Zamira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›