Edhe KESH kërkon rritjen e çmimit të energjisë elektrike
Fabiola Çela
Edhe KESH do të kërkojë rritjen e çmimit të energjisë. Për herë të parë KESH do të aplikojë për rritjen e çmimit të energjisë që i shet OSSH-së. Por kjo rritje çmimi do të ndikojë edhe tek vetë çmimi i energjisë për konsumatorët. Kreu i KESH-it, Muharrem Stojku, në një prononcim për mediat ka deklaruar se Korporata do të kërkojë rritjen e çmimit të energjisë që i shet OSSH-së nga 1.6 lekë kilovat/orë që është aktualisht në 2.5 lekë kilovat/orë.
Çmimi
Vetëm pak kohë më parë çekët e OSSH-së aplikuan pranë ERE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. OSSH-ja ka kërkuar nga enti rritjen e çmimit të dritave me 22-23 për qind për të gjitha kategoritë. Sipas ligjit, në rast se ERE-ja miraton tarifat e reja, ato do të hyjnë në fuqi nga data 1 mars 2010. Kjo është rritja më e lartë që është kërkuar për çmimin e energjisë. Sipas procedurave ligjore me dorëzimin e kërkesës nga OSSH-ja, ERE nis edhe shqyrtimin, i cili do të kryhet brenda një periudhe 12-ditore për të parë nëse ajo është konform rregullave dhe do t’i kërkojë OSSH-së të paraqesë brenda 10 ditëve treguesit për energjinë elektrike, si dhe të publikojë tarifat në tre prej gazetave më të njohura në vend. Pas kësaj periudhe, OSSH-ja do të zhvillojë një seancë dëgjimore me të gjithë aktorët. Kjo kërkesë do të bëhet transparente dhe pas një analize deri në datën 15 dhjetor nga ERE do të merret vendimi për këtë çështje. Në fakt rritja e çmimit të energjisë është kërkuar shpeshherë edhe nga ndërkombëtarët. Por për këtë vit Qeveria vendosi që të mos ketë ndryshim të çmimit të energjisë elektrike. Tarifat ekzistuese të energjisë hynë në fuqi në mars të vitit 2008 dhe vazhdojnë të aplikohen edhe sot. Tarifat e reja do të varfëronin ndjeshëm buxhetin e familjeve shqiptare që paguajnë energjinë. Aktualisht çmimi i dritave është 7 lekë për bandën e parë dhe 12 lekë për bandën e dytë. Bashkë me TVSH prej 20 për qind, tarifat janë 8.4 lekë për kilovat për bandën nën 300 kilovat dhe 14.4 për bandën mbi 300 kilovat. Me propozimin e ri tarifat bëhen 10.33 lekë/kilovat për bandën nën 300 kilovat dhe 17.71 lekë/kilovati për bandën mbi 300 kilovat. Kompania çeke ‘CEZ’ u shpall fituese e tenderit ndërkombëtar për privatizimin e OSSH-së. Në bazë të kontratës së shitjes, kompania çeke ‘CEZ’ ka derdhur për llogari të qeverisë shqiptare në fund të transaksionit 102 milionë euro. Përsa i takon humbjeve, në kontratë është parashikuar që ‘CEZ’ të ulë me 8% humbjet në 2 vitet e para.
ERE: 210 kilovat konsumi me çmim të lirë
Vetëm një muaj më parë ERE ka kryer një studim mbi konsumin e energjisë elektrike në familje. “Nga studimi i ERE-së, konsumi maksimal i energjisë elektrike, të cilin janë në gjendje ta paguajnë familjet në nevojë nëpërmjet përkrahjes aktuale sociale nga ana e shtetit, rezulton 210 kwh/muaj”, thuhet në raportin e Entit. Sipas raportit, sasia e energjisë elektrike mujore që shpenzohet nga familjet me të ardhura të pakta rezulton 211 kwh/muaj, kurse shpenzimi për pagesën e kësaj sasie energjie përbën 7% të të ardhurave mujore të këtyre familjeve. Madje, edhe pse me të ardhura të pakta, këto familje rezultojnë të jenë më korrekte në pagesën e energjisë elektrike. Konkretisht nga të dhënat e OSSH-së rezulton se kategoria e familjeve me të ardhura të pakta që përfiton nga ndihma ekonomike, përfaqëson një kategori konsumatorësh korrekt, të cilët e paguajnë rregullisht faturën e energjisë elektrike të konsumuar. Në raportin e saj ERE ka bërë një analizë të detajuar, se pse duhet ndryshuar banda e parë e konsumit të energjisë. Pra pse duhet të jetë 210 kilovat/orë në muaj dhe 300 kilovat/orë, siç është aktualisht.