E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Matrix 4”, kapen kartat e 400 vjedhjeve

 

Dashamir Biçaku

Sekuestrohen nga policia 65 karta krediti "Mastercard" dhe "Visa", që janë përdorur për vjedhjen e rreth 2 milionë dollarëve nga grupi i "hackerave" të arrestuar nga operacioni "Matrix 4". Lajmi konfirmohet për gazetën "Panorama" nga specialistë të hetimit, të cilët pohuan se, oficerët e antikorrupsionit dhe antikrimit ekonomik bllokuan në banesat e të arrestuarve, 52 karta të plotësuara të llojeve "Mastercard" dhe "Visa", identike me ato që në të paktën 400 raste u përdorën për realizimin e vjedhjeve. Sipas policisë, një pjesë e kartave kanë qenë për llogari krediti, ndërsa të tjerat përdoreshin si karta debiti. Të gjitha ato, sipas hetuesve kanë qenë në emër të personave me shtetësi gjermane, franceze, angleze, kanadeze, të cilët kishin llogari bankare në institucione financiare të nivelit të dytë në Gjermani, Angli e Kanada. Madje, sipas burimeve të hetimit, zyra e antikorrupsionit ka mësuar se vjedhja e fundit është kryer javën e kaluar në një prej bankomatëve të BA-së, në Rrugën e Dibrës, fare pranë Medresesë. Sipas burimeve të policisë, që i janë referuar punonjësve të bankës, vjedhja është kryer në njërin prej bankomatëve me një kartë të prodhuar dhe të klonuar disa javë më parë, prej makinerisë që posedonin personat e arrestuar. Ende nuk dihet shuma e cila është marrë nga personat në këtë bankomat. Duke llogaritur edhe 13 karta të tjera të klonuara që janë bllokuar në bankomate gjatë vjedhjeve, të cilat më pas iu dorëzuan policisë nga vetë bankat, numri i kartave të bllokuara arrin në 65 copë të tilla. Njëra prej tyre është përdorur pak ditë më parë, megjithatë policia nuk bëri të ditur kush nga të arrestuarit kishte kryer vjedhjen e fundit, duke nënkuptuar se kjo çështje është ende duke u verifikuar. Agjentët që janë angazhuar në hetimin e çështjes, kanë mësuar se veç vjedhjes së fundit të kryer javën e kaluar në Rrugën e Dibrës, disa ditë më parë personat e arrestuar kanë kryer një vjedhje tjetër në qendër të Tiranës, në bankomatin e një prej bankave më të njohura në vend. Me paratë e mbledhura prej personave të arrestuar, babai i Endrit Gjergjanit, Anil Gjergjani, dyshohet se ka kryer edhe "pastrimin e fitimeve". Ai merrte paratë dhe me to blinte në qendrat e mëdha tregtare, bizhuteri, pajisje elektronike, telefona celularë dhe mallra të tjera të cilat më pas u shpërndaheshin anëtarëve të grupit. Pasi Anil Gjergjani blinte sendet e ndryshme në qendrat e mëdha tregtare, ato rishiteshin për vlera më të vogla në tregun e zi, një mënyrë ende e pakuptueshme përse kryhej një veprim tillë. Sipas policisë, veprime të tilla kanë qenë thjesht një maskim me qëllim që të arrestuarit të portretizoheshin si tregtarë, kur në fakt fitimet marramendëse i kanë siguruar në mënyrë të paligjshme duke vjedhur nga "xhepat" bankare të dhjetëra personave, kryesisht të huaj, por edhe shqiptarë.

Burrel, vidhen 1 milion në bankomat

Dy persona u arrestuan dje në mbrëmje nga policia e Burrelit për shkak se rreth orës 15:30 të ditës së djeshme, kanë grabitur 1 milion lekë në një bankomat. Policia lokale fillimisht konfirmoi se vjedhja ishte kryer në një bankomat e më pas ndryshoi variant duke thënë se, ishte grabitur një pikë e këmbimit valutor. Megjithatë konfirmohet zyrtarisht nga policia se, janë arrestuar Spartak Nikolla dhe Gentian Sula, të cilët kanë kryer vjedhjen në bashkëpunim mes tyre. Pasi kanë marrë paratë përmes thyerjes me leva të pajisjes së bankës, ata kanë lëvizur në dalje të qytetit me makinë kur edhe kanë rënë në pranga.

Hetimi edhe jashtë Shqipërisë

Prokuroria shqiptare ka pohuar dje se, mund të kërkojë bashkëpunim me organet homologe jashtë vendit për të zbardhur aktivitetin kriminal të bandës së vjedhjes së bankomateve. "Do të kërkohen deklarime nga personat, me të cilët bashkëpunonin jashtë vendit të arrestuarit nga policia shqiptare në Tiranë. Pyetja e tyre do të bëhet nga prokuroritë respektive, ndërsa deklarimet do të paraqiten si prova në gjykatën shqiptare përmes procedurës së letërporosive", thanë hetuesit.

Kamerat e bankomateve zbuluan grupin
Gjatë tetë muajve të veprimtarisë së tyre kriminale, 16 nga 17 anëtarët e grupit kriminal kanë bërë 400 tërheqje të sasive të ndryshme financiare, nga llogaritë e qindra personave. Sipas hetimit, 130 tërheqje nga bankomatet janë bërë në Tiranë. Gjatë këtyre veprimeve, të arrestuarit janë filmuar nga kamerat e sistemit të sigurisë së bankave, të cilat veç vëzhgimit të gjithë zonës rreth bankomatit, fiksojnë në mënyrë të identifikueshme personin që kryen veprime në "sportelin" elektronik të bankës.

"Strategjia kriminale"

Grupi kriminal i hajdutëve të bankomateve ka pasur një strategji të mirëfilltë, për t'i shpëtuar zbulimit dhe arrestimit nga policia. Në këtë mënyrë, mësohet se përmes bashkëpunimit dhe qarkullimit të informacionit me anë të internetit dhe pajisjeve speciale, të arrestuarit në Tiranë u transmetonin "hackerave" jashtë vendit të dhënat, me të cilat ata hynin në llogaritë e shtetasve shqiptarë duke vjedhur shuma parash. Si shpërblim, "hackerat" rusë dhe anglezë u dërgonin shqiptarëve të dhënat e qindra personave me qëndrim në Evropë dhe Kanada. Vjedhja e llogarive të tyre bëhej nga të arrestuarit në Tiranë, të cilët klononin  kartat e kreditit e më pas arrinin t'i përdornin ato për realizimin e vjedhjeve.

“Piratët bënin qejf me paratë e vjedhuranga bankomatet”

Fatos Mahmutaj

Anëtarët e grupit të 17 hajdutëve të bankomateve kanë kaluar një periudhë të artë që kur shpikën klonimin e kartave të kreditit. Me shuma marramendëse parash të vjedhura në plot 400 bankomate në të gjithë vendin, ata kalonin fundjava të shfrenuara në Durrës e Vlorë, bënin shoping duke ndjekur tendencat e fundit të modës dhe teknologjisë, si dhe mbanin makina luksoze. Për këtë shkak hetuesit mendojnë se verifikimi i pasurive të personave të arrestuar nuk do të sjellë ndonjë rezultat, pasi paratë e vjedhura besohet të jenë shpenzuar për të bërë qejf. "Po vij në Vlorë. Jam me një kabriolet. Nuk kam shumë lekë me vete. Ku do më presësh? Si do ia bëjmë?". Bashkëbiseduesi nga ana tjetër e telefonit përgjigjet i qetë: "S'ka gjë, sa të vish këtu flasim dhe do e zgjidhim këtë punë". Gjithçka flitej kur në kartën e tyre të kreditit ndodheshin shumë pak para, rreth 280 lekë të reja, ndërsa pak orë më vonë, sapo vajza mbërrin në Vlorë në njërin nga bankomatët, bashkë me shokun e saj tërheqin rreth 300 euro, me të cilat kalojnë fundjavën, për t'u kthyer sërish në Tiranë. Është një nga episodet e kryera nga grupi i "hackersave" të arrestuar në operacionin "Matrix", të cilin hetimi e ka zbardhur tërësisht duke marrë indicie nga telefonatat që shkëmbenin me njëri-tjetrin. Në fakt kjo është e vetmja mënyrë me të cilin grupi hetimor ka arritur të zbardhë pjesën më të madhe të episodeve të vjedhjeve inteligjente të bankave të kryera, nga 17 të arrestuarit e tri ditëve më parë. Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se, adresat e-mail të të arrestuarve, si dhe ueb-sitet e tyre apo dhe adresat e komunikimit online janë survejuar për një kohë të gjatë, për pjesën më të madhe të tyre duke filluar që nga dhjetori i vitit të kaluar, por ka qenë e pamundur që të gjendet në to ndonjë veprim i kundërligjshëm. Të gjitha komunikimet mes tyre dhe "kolegëve" në Angli, Kanada dhe Rusi kryheshin online nëpërmjet dhomave të bisedave që ofrojnë ueb-site të ndryshme. Paraprakisht është konstatuar nga hetimi se skema funksiononte në mënyrë të tillë: "Hackerat" shqiptarë punonin për "kolegët" e tyre kryesisht në Angli, ndërsa ata iu kthenin në të njëjtën mënyrë mirësjelljen duke u karikuar kartat "Visa" dhe "Mastercard", me të cilat këta tërhiqnin shuma të ndryshme nëpër bankomatë, bënin blerje online, ose duke përdorur kartat e kreditit. Në një bisedë tjetër celulare të zhvilluar mes të pandehurve, dy prej tyre pohojnë se, ndodhen në bodrumin e një qendre tregtare në kryeqytet ku po "fëlliqen se nuk kanë para dhe duan të blenë një "Lap-top", i cili kushton 850 euro". Bashkëbiseduesi u thotë se, te një dyqan pajisjesh elektronike te "Kullat Binjake" në qendër të kryeqytetit ka parë një më të mirë. Ky u thotë të shkojnë atje, pasi ai do mundohej të bënte diçka për t'i nxjerrë nga situata. Pak minuta më vonë këta gjenden në dyqanin ku u orientuan dhe blejnë "Lap-top"-in, duke përdorur kartën e kreditit në të cilën, pak minuta më parë e kishin bosh. Burime pranë hetimit pohojnë gjithashtu se, për të klonuar apo rimbushur kartat fiktive këta blinin informacione nëpër kompani të ndryshme kryesisht austriake, natyrisht duke shfrytëzuar pasurinë "online" të biznesmenëve të ndryshëm, të cilëve më parë u kishin vjedhur kodet.

Klonimi i kartave të kreditit, grupi i bankomateve, 45 ditë në përgjim

TIRANE - Banda prej 17 anëtarësh të arrestuar për vjedhjen e bankomateve në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë, mësohet se është mbajtur në përgjim për 45 ditë me radhë. Interceptimi i bisedave është kryer me autorizim nga Gjykata e Tiranës për interesa të hetimit dhe zbardhjes së dosjes penale të mashtrimit dhe vjedhjes së qindra mijëra eurove, nga 400 bankomate të ndryshme në të gjithë Shqipërinë gjatë tetë muajve të fundit. Gjatë përgjimeve telefonike jo vetëm që është lokalizuar secila zonë e veprimit të anëtarëve të grupit, por është arritur të përfitohen biseda që hedhin dritë mbi aktivitetin kriminal të 17 personave të arrestuar. Sipas Prokurorisë, Njësia Task-Force ka arritur të transkriptojë momente të porosive që bëheshin për kartat e kreditit, të cilat më pas shkruheshin me të dhënat e personave të dëmtuar në një pajisje të sofistikuar që mbante në shtëpinë e tij, "truri" i grupit kriminal, Endrit Gjergjani. Përgjimet kanë zbardhur faktin se pasi i prodhonte kartat e klonuara të kreditit, ai komunikonte me bashkëpunëtorët e tij, të cilëve ua jepte "mjetet e krimit" që përdoreshin më pas në bankomate të ndryshme të disa bankave për të ndërhyrë në llogaritë bankare të personave të dëmtuar dhe për të tërhequr prej tyre sasi të konsiderueshme financiare. Në ditë të caktuara sipas veprimeve të personave të arrestuar dhe aktivitetit të tyre kriminal, me dy autorizime nga gjykata, hetuesit kanë përgjuar të arrestuarit duke siguruar kështu të dhëna që i implikojnë ata në veprimtarinë e falsifikimit dhe klonimit të kartave të kreditit "Visa" dhe "Mastercard", si dhe në vjedhjen e pasurisë së 400 personave.             tr.so

Arresti
Gjykata e Tiranës i kërkoi dje zyrtarisht policisë së kryeqytetit për të shoqëruar në këtë institucion në orën 09:00 të së hënës 17 të arrestuarit e operacionit "Matrix". Kërkesa iu drejtua Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit nga gjyqtarja e gatshme në bazë të kërkesës së prokurorit, që ka drejtuar hetimet paraprake. Përfaqësuesi i akuzës i ka kërkuar gjykatës vleftësimin e masave të sigurisë për të gjithë të pandehurit dhe komunikimin e masës "burg pa afat" për të gjithë ata, masë e cila është firmosur pak ditë më parë në mungesë.

Aktiviteti
Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se, veprimtaria e "hackersave" shqiptarë ka nisur të vihet re në Tiranë në fund të gushtit të vitit të kaluar, por denoncimi i parë ndaj tyre mbërriti në Prokurori në muajin dhjetor 2007. Më pas në janar të këtij viti mbërriti një denoncim i dytë, që iu bashkua të parit. Në bazë të hetimeve të kryera në ngarkim të dy të dyshuarve Prokuroria, duke përdorur përgjimet dhe metoda speciale të hetimit arriti të zbardhë aktivitetin dhe rrjetin me dhjetëra "hackersa".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›