E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajzat e këqija

Ndodh çdo të premte mbrëma. Rreth 50 vajza të moshës 14-15 vjeçe mbushin rrugët e qytezave të Anglisë, duke shtyrë një karrocë supermarketi me rrota, të mbushur plot me shishe alkooli. Gjatë gjithë rrugës vetëm pijnë deri sa alkooli i zë, më pas vjellin, zihen dhe rrihen. Thyejnë dritare, banka, dyqane e çfarë t‘u dalë përpara. Banorët e zonës kanë frikë të dalin nga shtëpitë gjatë fundjavave. Në muajin janar, në Edinburg një grup gangsteresh të vogla, veshur me kambale dhe taka të larta, rrahën për vdekje një grua 47 vjeçe, pa asnjë shkak. Për shumë vende situata nuk ndryshon shumë. Pak javë më parë, në një stacion autobusi, në një qytezë të vogël jo shumë larg nga Parisi, shpërtheu një luftë mes dy bandave rivale femrash. Nga njëra anë ishte grupi i Noisel, i armatosur me shkop gome dhe thika, nga ana tjetër adoleshentet e vendit. Policia, e cila mbërriti në vendngjarje pak minuta para se të mbyllej përleshja, u shokua nga dhuna e tyre që përfshiu qindra vajza të moshës nga 13-18 vjeçe. Tetë prej tyre përfunduan në komisariat.

Problemi që deri më sot ka qenë një fenomen i përhapur më tepër në Shtetet e Bashkuara, ka filluar të shqetësojë edhe Evropën. Sipas "Observatorëve kombëtarë të kriminalistikës" në Paris, numri i minoreneve përgjegjëse për "veprimet me paramendim kundër dhunës fizike ndaj personave të tjerë" në Francë është dyfishuar mes viteve 2002-2007, ndërkohë që në të njëjtën periudhë shtimi në rastin e meshkujve ka qenë 33%.

Nga statistikat e ndryshme, enti që kujdeset për të rinjtë në rrezik tregon se gjatë periudhës 2005-2006 numri i krimeve të kryera nga vajzat me moshë nga 10-17 vjeçe është rritur 38 për qind, kundrejt përqindjes së djemve që është 6,6.

Krimi më i përhapur mes adoleshenteve angleze është vjedhja (më shumëse 19 mijë raste) dhe dhuna kundër personave të ndryshëm në rrugë (15525 raste), dhunë e cila ndonjë herë edhe mund të ndalohet.

Në mars të 2007-ës, shtatë adoleshente nga Londra rrahën për vdekje një bashkëmoshatarin e tyre, duke e detyruar të zhvishej dhe të kryente akte seksuale, ndërkohë që ato e filmonin. Pas pak kohësh videoja ra në duart e familjarëve të djalit, i cili nga turpi që ndiente vendosi të tregonte gjithçka që kishte ndodhur.

Në Danimarkë, në fillim të vitit, një pesëmbëdhjetëvjeçare u rrëmbye për dy ditë nga tre bashkëmoshatare që e dogjën me cigare dhe e spërkatën me urinë. Vajza, pasi e mori veten nga ajo çka kishte ndodhur, vendosi t‘i denonconte abuzueset, të cilat u dërguan në qendrat e specializuara për rikuperimin e të rinjve kriminelë dhe u dënuan me gjashtë muaj deri në dy vjet heqje lirie.

Me sa duket këto janë raste të rralla, por "policia është e vendosur t‘i marrë seriozisht krimet e kryera nga vajzat e vogla", pohon një sociologe nga një shkollë ekonomike në Londër.

"Vajzat pijnë e drogohen më shumë në krahasim me të kaluarën dhe kryejnë vjedhje që lidhen me abuzimin ndaj alkoolit dhe substancave narkotike. Por problemi i vërtetë vazhdojnë të mbeten bandat". Nga një kërkim i entit anglez vërehet se pjesa më e madhe e vajzave që bëjnë pjesë në një bandë gangsteresh kanë pas shpine një familje të dhunshme dhe një jetë të vështirë. Grupi u jep atyre mbrojtje dhe bëhet modeli i vetëm pozitiv, bazuar në lidhje të forta.

Një studente e liceut, e cila quhet Louis Lumière dhe është mikeshë e një prej të arrestuarave të policisë, thotë: "Në shkollë janë krijuar klane të ndryshme, të cilat shpesh herë kanë fërkime mes tyre". Vajzat lënë takim përmes mesazheve duke zgjedhur vendin se ku do të "luftojnë".

Shpesh herë incidentet janë nxitur nga xhelozitë, apo si në këtë rast nga një flirt "i ndaluar" mes një adoleshenteje të vendit dhe një bashkëmoshatareje të një qyteti rival.

Edhe fërkimet mes klaneve etnike (afrikane, indiane, kineze) mund të shndërrohet në një betejë femrash. Për një sociologe angleze, vajzat tregojnë autoritetin e plotë të tyre "duke riprodhuar gjeste të rënda kundër individëve të tjerë".

Vajzat nga getot e periferisë së Francës, të cilat deri tani kanë qenë viktima të dhunës, kanë filluar të tregohen agresive. "Kujtojnë se kjo do të thotë të jesh e emancipuar. Ekziston një dëshirë për të kopjuar sjelljet mashkullore: arrogancën, inatin, dhunën", shprehet një nga pjesëtarët e entit. "Kjo është edhe një mënyrë për të treguar se ekzistojnë, për të pohuar se as gratë dhe as emigrantët nuk konsiderohen më elementë të padobishëm të shoqërisë".

Ndërsa në Gjermani, arsyet që i çojnë vajzat të ndërmarrin akte aq makabre janë racizmi dhe ekstremizmi politik. Në vitin 2006, 22 për qind e personave të denoncuar apo të fajësuar për krime të vazhdueshme neonaziste ishin kryer nga femrat.

"Në ambientet naziste vajzat kanë pasur gjithmonë një rol të parëndësishëm. Sot ato frekuentojnë kampet paramilitare, marrin pjesë në rrahjet e grupit, veprimet ndëshkuese dhe atentatet ndezëse", thekson eksperti i të djathtës ekstreme, Klaus Farin.

Kjo është tendencë e konsoliduar shumë kohë më parë në Shtetet e Bashkuara, ku bandat më të famshme hispanike dhe zezake, si "Latin Kings", "Crips" apo "Bloods", kanë variantin femëror: "Latin Queens", "Cripettes" dhe "Blondettes". "Në moshën 12-vjeçare isha në krye të bandës së lagjes sime, ‘Latin Queens‘, po m‘u desh të hiqja dorë në moshën 14-vjeçare për shkak se mbeta shtatzënë me fëmijën tim të parë", tregon me krenari në "YouTube" një grua e re e mbushur me tatuazhe.

Një studim i "National youth gang center" (Nygc) ka treguar se pothuajse 10 për qind e pjesëtarëve të bandave të Amerikës janë femra, një përqindje kjo që rritet në qytetet e vogla dhe zonat rurale.

Vajzat, kriminelet e zgjuara, preferojnë më shumë armët e ftohta se sa ato të zjarrit dhe për këtë arsye përfundojnë në burg më pak herë se meshkujt, të cilët i lënë për t‘u kujdesur për drogën dhe prostitucionin, deri sa të kthehen ato.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›