Arsimi parauniversitar, rregullat e transferimit nga privat në shtet
Ministria e Arsimit u kërkon të gjithë administratorëve dhe drejtorëve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme private që të bëjnë kujdes me transferimet e nxënësve. Nëpërmjet një njoftimi të posaçëm zyrtar, MASH sqaron se për këtë procedurë duhet të ndiqen dispozitat normative në fuqi dhe udhëzimet e ministrit të Arsimit. “Në të kundërtën, do të dëmtoni nxënësit dhe do të ndëshkoheni për shkelje të ligjit, deri në pezullim të licencës”, - thuhet në njoftim, ndërkohë që MASH ka publikuar edhe udhëzimin nr.23, datë 30.07.2010 “Për njëvlershmërinë e studimeve në shkollat e mesme me kohë të plotë dhe me kohë të shkurtuar, në sistemin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”. Në këtë udhëzim janë detajuar procedurat, periudha dhe modalitetet e transferimit të nxënësit. Sipas udhëzimit, nxënësit që mbarojnë klasën e 10-të dhe të 11-të, në shkollat profesionale me strukturën 3-vjeçare ose 3+2-vjeçare, nivelin e parë dhe të dytë të strukturës 2+1+1 dhe nivelin e parë të strukturës 2+2 mund të vazhdojnë studimet në gjimnazet me kohë të plotë. Për këtë, ata duhet të plotësojnë planin mësimor të gjimnazit, duke dhënë si provim jo më shumë se 6 lëndë. Njëherazi, ata duhet të plotësojnë kriterin e moshës të përcaktuar në nenin 11 të Dispozitave Normative të Arsimit Parauniversitar. Nxënësit, të cilët kanë përfunduar tre vite të shkollës profesionale, mund të regjistrohen në klasën pasardhëse të shkollës së mesme me kohë të shkurtuar. Në këtë rast, këta nxënës janë të detyruar të bëjnë njëvlershmërinë e planit mësimor të kryer në shkollën e tyre, me planin mësimor të shkollës së mesme me kohë të shkurtuar. Nxënësit regjistrohen në të njëjtin vit, kur kanë më shumë se 6 lëndë për të ekuivalentuar. “Për nxënësit e gjimnazit transferimet bëhen në fillim të semestrit II dhe në fillim të vitit shkollor. Kur një nxënës transferohet nga një gjimnaz në një tjetër, plani mësimor që ai ka zhvilluar duhet të përputhet me shkollën pritëse. Në rastin kur shkolla pritëse nuk siguron vazhdimësinë e lëndëve me zgjedhje dhe moduleve kurrikulare të nxënësit që kërkon të transferohet, atëherë transferimi bëhet vetëm në përfundim të vitit shkollor. Transferimi i nxënësit nga një shkollë e mesme profesionale ose gjimnaz, në një shkollë tjetër të të njëjtit profil ose të profileve të ndryshme, bëhet me kërkesë të prindit ose kujdestarit të nxënësit dhe me miratim të drejtorive arsimore rajonale/zyrave arsimore. Të dyja shkollat (pritëse dhe transferuese) mbajnë shënimet përkatëse në amzë mbi bazën e dokumentacionit dëftesë ose vërtetim notash, si dhe datën e largimit/ardhjes së nxënësit”, përcaktohet në udhëzim. Për nxënësit të cilët janë në shkolla me konkurrim (shkollat sportive, shkollat e mesme të muzikës dhe shkollat koreografike), lejohet transferimi i studimeve brenda së njëjtës degë dhe në marrëveshje mes dy drejtorive të shkollave. Ndërsa transferimi i studimeve për nxënësit që vazhdojnë shkollën e mesme me kohë të shkurtuar, nuk mund të realizohet në asnjë rast. Së fundi, sipas udhëzimit, dokumentacioni i transferimit ruhet në sekretarinë e shkollës dhe është objekt monitorimi i Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar.