Matura, 40 për qind e pyetjeve në teste për nivelin e dobët
Testet e Maturës Shtetërore këtë vit do të jenë me tre nivele vështirësie dhe 40 për qind e pyetjeve do të jenë të thjeshta. Kjo është bërë e ditur nga drejtori i Agjencisë Qendrore të Vlerësimit dhe Arritjeve, (AVA) Edmond Lulja. Sipas tij ky model testesh do t’u japë mundësi maturantëve për t’iu përgjigjur pyetjeve të cilësuara si të lehta apo edhe të vështira. Gjithashtu, në test do të ketë hapësirë për nxënësit e dobët, ata mesatarë dhe nxënësit e mirë dhe shumë të mirë. Lulja ka sqaruar se AVA do të përgatisë në masën 40 për qind, pyetje për nivelin e dobët të nxënësve. Ndërsa për nivelin e dytë do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella. Niveli i tretë i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë do të ketë 20 për qind hapësirë në test. Sipas drejtorit të AVA-së, maturanti i nivelit të dobët do të marrë 40 për qind të pikëve, niveli i mesëm i nxënësit 80 për qind, dhe maturantët e nivelit të lartë, 100 për qind të pikëve. Ai bën të ditur se aktualisht në AVA kanë mbërritur rreth 33 mijë kërkesa të maturantëve për të marrë pjesë në provimet e detyruara të Maturës Shtetërore.
MASH: Mbetësit në provimet e lirimit, nxënës në klasën e IX-të
Të gjithë nxënësit, të cilët gjatë vitit të kaluar nuk kanë mundur të shpallen kalues në provimet e lirimit, përmes një udhëzimi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, u jepet e drejta për të vazhduar studimet e arsimit 9-vjeçar. Sipas Drejtorisë Arsimore të Tiranës, kjo kategori nxënësish përfiton në kuadër të kalimit të sistemit nga 8-vjeçar në atë 9-vjeçar. Nisur nga udhëzimi, nxënësit mbetës mund të ndjekin klasën e IX-të dhe t’i japin sërish provimet e lirimit. Me përfshirjen e sistemit 9-vjeçar do të reformohet edhe sistemi i provimeve ë lirimit, që do të quhet ndryshe “Matura e Lirimit”, pasi provimet do të funksionojnë njësoj si ato të Maturës Shtetërore në procedura. Kjo procedurë, sipas Drejtorisë Arsimore të Tiranës, është efektive, pasi do të eliminojë fiktivitetin e notave.
29 Maj 2008