E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shpronëson pronarët, zgjerohet fusha e mbeturinave në Sharrë



Qeveria vendos të shpronësoj pronarët që kanë pasuri të paluajtshme pranë fushës së hedhjes dhe grumbullimit të mbeturinave në Sharrë. Kjo bëhet për efekt zgjerimit të sheshit për grumbullimin e mbeturinave apo mbetjeve të qytetit të Tiranës. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u vendos që të bëhet shpronësimi, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga rehabilitimi dhe zgjerimi i fushës së mbetjeve urbane të qytetit të Tiranës, në fshatin Sharrë. Ky shpronësim do të bëhet në favor të komunës Vaqarr. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse. Në bazë të këtij vendimi, për sipërfaqen 4 237 (katër mijë e dyqind e tridhjetë e shtatë) m2 tokë arë, të vlerësuar me çmimin 537 (pesëqind e tridhjetë e shtatë) lekë/ m2, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 2 275 269 (dy milionë e dyqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë.
Ndërsa, vlera e shpenzimeve procedurale, në shumën 128 810 (njëqind e njëzet e tetë mijë e tetëqind e dhjetë) lekë, është vendosur që të përballohet nga komuna Vaqarr. Po kështu, për vlerën e përgjithshme e shpronësimit, në shumën e 2 275 269 (dy milionë e dyqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë, do të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave pranë Bankës së Shqipërisë “Fondi i shpronësimeve”. Përsa i përket kohëzgjatjes së procedurave të shpronësimit është vendosur që të fillojë më 1.6.2008 dhe të përfundojë më 31.8.2008. Pronarët që do të shpronësohen do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë komunës Vaqarr.

29 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›