E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Shkencave, kriteret për tu bërë anëtar i saj



Jonida Tashi

Beteja për tu bërë anëtar i Akademisë Shkencave, akademik, tashmë ka tre ditë që ka nisur. Ndërkohë që Komisioni Përzgjedhës i akademikëve të rinj ka përcaktuar kriteret në të cilat do të bazohet përzgjedhja e kandidatëve, dokumentet që duhen dorëzuar si dhe vendet vakante për të cilat do të konkurrohet. Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit Përzgjedhës, Gudar Beqiraj, ka sqaruar të gjitha procedurat se si do të realizohet konkurrimi për tu bërë anëtar i rregullt ose i asociuar i Akademisë. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se vetëm dje, që ishte dhe dita e parë e aplikimit në Akademi janë paraqitur pesë konkurrues. Ndërkohë që të gjithë të interesuarit duhet të kenë parasysh se është vetëm një muaj kohë në dispozicion për këtë konkurrim. Sipas ligjit “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, (Nr.9853, datë 26.12.2007): “Anëtarët e rregullt të Akademisë së Shkencave zgjidhen nga radhët e shkencëtarëve të shquar me titull “Profesor” me shtetësi shqiptare, të cilët përmjet punimeve origjinale, veprave përgjithësuese me një nivel të lartë shkencor, kanë zgjidhur teorikisht dhe praktikisht probleme të një rëndësie të veçantë në fushën e shkencës, të ekonomisë, të artit dhe të kulturës, si edhe kanë dhënë ndihmesë të madhe në formimin universitar e pasuniversitar të shkencëtarëve të rinj”. Po sipas këtij ligji, në raste të veçanta anëtarë të Akademisë mund të zgjidhen edhe personalitete, që kanë merita të shquara në fushën e krijimtarisë letrare dhe artistike.
Kriteret
Kriter themelor në përzgjedhjen e anëtarëve të rregullt të Asamblesë të Akademisë së Shkencave në Republikën e Shqipërisë është aftësia krijuese e zbatuese, si dhe vizioni i kandidatëve për zhvillimin e shkencës në fushën përkatëse. Kandidati duhet të jetë drejtues i spikatur brenda fushës së ngushtë të kërkimit shkencor; të ketë udhëhequr kërkime në fusha të rëndësishme të shkencës, të kulturës e të ekonomisë; të ketë treguar aftësi në përgatitjen e kualifikimin e specialistëve, të studiuesve dhe të shkencëtarëve të rinj. Duke synuar përzgjedhjen e kandidatëve me cilësitë e mësipërme, me përvojë dhe njëkohësisht dinamikë, brenda ndihmesave të krahasueshme parapëlqehet kandidatura në moshë më të re. Tregues të vlerës së plotë të kandidatit do të jenë: Botimet shkencore origjinale (artikuj, monografi etj.), të pranuara si të tilla nga opinioni shkencor brenda dhe jashtë vendit; Projekte e programe të rëndësishme kërkimi e zhvillimi brenda dhe jashtë vendit. Kërkesë thelbësore në vlerësim është rritja në 10 vjetët e fundit e prodhimtarisë shkencore të kandidatëve në sasi, veçanërisht në cilësi, si tregues i përparimit profesional. Në dobi të kandidimit është ushtrimi i veprimtarisë shkencore në qendra te kërkimeve të përparuara shkencore dhe universitare, si dhe veprimtaria shkencore në këto qendra.
Dokumentet
Dokumenti i parë i konkurrimit për tu bërë anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave është formulari i aplikimit. Ky formular përmban të dhënat vetjake të aplikuesit, njohuritë gjuhësore, edukimin parauniversitar, edukimin universitar, edukimin pasuniversitar, specializimet dhe projektet tre mujore jashtë shtetit, të dhënat për projektet kërkimore gjatë specializimeve, karriera profesionale, etj. Formulari i aplikimit mund të tërhiqet në zyrën e protokollit të Akademisë së Shkencave, ose të nxirret nga faqja e Akademisë së Shkencave në Internet në adresën: www.akad.edu.al. Formulari duhet plotësuar në gjuhën shqipe dhe angleze. Një tjetër dokument që duhet të dorëzohet për konkurrim është bibliografia e botimeve e ndarë në: monografi, artikuj në revistat shkencore qendrore shqiptare dhe të huaja, tekste universitarë. Lista duhet t’i përmbahet renditjes kohore, duke veçuar qartë botimet e 10 vjetëve të fundit. Po ashtu bibliografia duhet t’i përmbahet sistemit ndërkombëtar të citimit (autori/autorët, titulli i librit ose i artikullit: për artikujt-titulli i revistës; për librat-shtëpia botuese, viti i botimit, numri i faqeve; për revistat-faqja e fillimit dhe e mbarimit). Tre artikuj ose kapituj librash në shqip dhe përkthimi i përmbledhjeve të tyre në një gjuhë ndërkombëtare janë një tjetër dokument për të konkurruar. Dosja e aplikuesit e shoqëruar me listën e përmbajtjes dhe me një CD të materialit, duhet të dorëzohet dorazi në Protokollin e Akademisë së Shkencave me shënimin “Për Komisionin Përzgjedhës të Akademikëve të Asamblesë së Akademisë së Shkencave” në adresën: Akademia e Shkencave/Zyrës së Protokollit, Sheshi Fan S.Noli, nr.7, Tiranë. Afati maksimal i dorëzimit të dosjes me dokumentet e aplikimit është një muaj pas shpalljes së fushave dhe kritereve, pra data 26 qershor 2008.

Asambleja e Akademisë së Shkencave
(Anëtarët e rregullt aktualë, vendet vakante dhe shpërndarja e tyre sipas fushave)
Anëtarë të rregullt 30 vetë
Nga këto ekzistues 7 vetë
Të ndarë sipas fushave
Shkencat shoqërore, albanologjike dhe humanitare 3 vetë
Shkencat natyrore, ekologjike dhe teknike 4 vetë
Anëtarë të përhershëm mbi 75-vjeç 3 vetë
Vende vakante 20 vetë
Prej tyre: për figura të shquara në fusha
të ndryshme të krijimtarisë 2 vetë Vende vakante për akademikë të asociuar 15 vetë

29 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›