E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, MASH nxjerr përgjigjet e sakta të Letërsisë

Rezultatet e provimeve pritet të shpallen rreth datës 23 shtator, ndërkohë që do të ketë vetëm një qendër vlerësimi, që do të jetë shkolla “Kostandin Kristoforidhi”

Ministria e Arsimit publikon përgjigjet e sakta të testit të Letërsisë, për maturantët që iu rinënshtruan këtij provimi ditën e premte. Pasditen e djeshme, MASH ka publikuar në faqen e saj zyrtare përgjigjet e testeve sipas shtatë drejtimeve të gjimnazeve. Gjatë sezonit të parë të Maturës, në provimin e Letërsisë rezultuan ngelës 2.8% e maturantëve, ose 1106 nxënës. Një pjesë e këtyre të rinjve janë futur në sezonin e vjeshtës për të ridhënë këtë provim, dhe në rast të kalimit të tij me sukses, si dhe nëse nuk kanë lëndë të tjera të pamarra, ata mund të aplikojnë që këtë vit për studimet e larta. Mbi 6 mijë maturantët që rezultuan mbetës në Maturë, edhe pse do t’i nënshtrohen provimeve të vjeshtës, do të mund të zënë një vend në auditorët e universiteteve vetëm nëse do të mbeten kuota bosh. Megjithëse ata mund t’i marrin të gjitha provimet, do të kenë të drejtë të ndjekin studimet e larta vetëm në ato degë që kanë vende të lira, pavarësisht preferencave të tyre. Pikët që ata do të marrin nga testet kanë të drejtë t’i përdorin edhe vitin tjetër për t’u regjistruar në shkollën e lartë. “Në rast se ata nuk dëshirojnë të vazhdojnë këtë vit dhe dëshirojnë t’i transferojnë vitin tjetër, kjo është çështje e tyre. Jemi të detyruar t’u qëndrojmë me seriozitet të gjitha çështjeve që ata kanë, t’u japim një mundësi dhe pastaj u takon atyre si e shfrytëzojnë këtë mundësi”, - thotë Ndriçim Mehmeti, specialist në MASH. Rezultatet e testeve pritet të shpallen rreth datës 23 shtator, ndërkohë që do të ketë vetëm një qendër vlerësimi, që do të jetë shkolla “Kostandin Kristoforidhi”, ambientet e së cilës do të mbikëqyren edhe nga uniformat blu.

Pas provimit të Letërsisë, maturantët mbetës do të testohen në datën 13 shtator për Matematikën dhe më 17 shtator për lëndët me zgjedhje. Rreth 9% e maturantëve rezultuan mbetës në një nga provimet e Maturës 2011. Me ritestimin këta maturantë mund të ndjekin studimet e larta në një universitetet publik, duke aplikuar me Formularin A3, në një universitet privat, ose studimet e pjesshme në universitetet publike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›