Mbipopullimi, mësimi në gjimnaz sërish me turne
Mbipopullimi i klasava do të jetë një problem me të cilin gjimnazistët e kryeqytetit do të përballën sërish edhe gjatë vitit të ri shkollor. Një pjesë të fajit për këtë situatë e kanë edhe vetë të rinjtë, të cilët preferojnë që ta ndjekin shkollën e mesme në gjimnazet më të njohura të Tiranës, si: “Ismail Qemali”, “Sami Frashëri”, “Petro Nini Luarasi” apo “Qemal Stafa”. Duke marrë shkas nga radhët e gjata para dyerve të gjimnazve të mësipërme, autoritetet e arsimit thonë se për këtë çështje ende nuk ka një zgjidhje, sepse të gjithë duan të regjistrohen sipas preferencave dhe jo sipas vendbanimit. Sipas drejtuesve të sistemit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, nëpër gjimnazet e Tiranës janë 23 klasa që rrinë bosh, të pashfrytëzuara as turni i parë dhe as i dytë. Ndërkohë që nga regjistrimet e deritanishme, gjimnazet e lakmuar rezultojnë të mbipopulluar, ku vetëm vite të para, sivjet do të ketë 13 deri 20 klasa dhe për kapacitetet e shkollave ky fluks përballohet vetëm me turne.