E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sektori Privat i Shëndetësisë do të përfshihet në skemën e sigurimeve shëndetësore



Eljona Lata

Spitalet private së shpejti do të përfshihen në skemën e sigurimeve shëndetësore. Drejtoresha e ISKSH-së Elava Hana, pohoi dje, se të gjitha spitalet private që do të ofrojnë shërbime me kosto të arsyeshme, por, cilësore do t’u ofrohet një paketë shërbimesh. Kjo paketë do mbulohet gjysmë nga ISKSH-ja dhe gjysma nga vetë pacientë që do përfitojnë këto shërbime. “Nëse së afërmi, ligji i ri i financimit të skemës së sigurimeve shëndetësore do të konkretizohet, standardet do të bëhen obligative për blerjen e shërbimeve, ndërkohe që për herë të parë, do të mundësohen kontrata me sektorin privat për shërbime të caktuara. Ne jemi të bindur se konkurrenca do të shkojë në të mirë të pacientëve dhe njëherësh, do të forcojë shërbimin shëndetësor publik" u shpreh Hana. Specialistët e ISKSH-së shprehen se shërbimi shëndetësor privat do të përfshihet në skemën privatizimit. Ndërsa Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili u shpreh se në këtë reformë luajnë rol të rëndësishëm një sërë aktorësh. "Pavarësisht se reforma quhet shëndetësore, ajo është një përzierje kompetentësh ku secili prej tyre mund të lëvizë ekuilibrat të cilët janë të rrezikshëm dhe e pengojnë zhvillimin e reformave", u shpreh ministri Petrit Vasili. Ministri tha se shëndetësia është konsideruar gjithmonë si sektor jo produktiv ku vetëm shpenzohet dhe nuk sjell para, ndaj dhe procesi i ndryshimit është një sfide sa vlerësueshme aq dhe e vështirë.
Privati
Sektori shëndetësor privat në vendin tonë aktualisht është më i preferuari dhe më i kushtueshmi për pacientët. Klinikat private ofrojnë shërbime më të shpejta dhe cilësore kundrejt tarifave fikse. Njëkohësisht, në këto shpejtë klinika nuk mungon asgjë dhe shërbimet ofrohen në një kohë rekord. Sipas statistikave, sot marrin shërbimet shëndetësore të skemës së sigurimeve rreth 1.2 milionë Shqiptarë. Shifra është rritur me ritme të shpejta 3 vitet e fundit, por pritet që shtrirja e mbulimit shëndetësor për 80% të popullatës në vitet në vijim. "Sektori shëndetësor tashmë po i nënshtrohet një reforme të thellë ku mirëqenia shëndetësore e qytetarit është në plan të parë", tha Ministri i Shëndetësisë. Duke u ndalur në ndryshimet kryesore që kërkohen si pjesë e reformës në sektorin e shëndetësisë, ai përmendi zbatimin në një shkallë më të gjerë të mjekësisë së familjes/kujdesit shëndetësor parësor, shoqëruar me elementë të rëndësishëm strukturorë, si dhe transformimin e ISKSH-së në një burim të vetëm financimi për kujdesin shëndetësor parësor dhe sekondar.
Strategjia
Përgatitja e një strategjie rikonfigurimi për shërbimin spitalor për të riorientuar sistemin e ofrimit të shërbimit shëndetësor drejt atij parësor, rritjen e efiçencës së spitaleve, institucionalizimin e sistemeve të llogarive. Sipas projektit për shkrirjen e skemës edhe në privat, përfituesit do të jenë edhe pacientët, edhe klinikat. Por, kur të vendoset të ndodhë kjo reformë, klinikat private do të përzgjidhen nga specialist e MSH-së, sipas kritereve të përcaktuara me ligj. Ndërkohë që shtrirja e skemës edhe te privati kërkon një afat të gjatë kohor, pasi në janar nis shtrirja e skemës së sigurimeve shëndetësore në sektorin shtetëror. Pacientët përfitojnë një numër të caktuar shërbimesh falas apo me një pagesë tepër të ulët nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shëndetësore. Për 12 ekzaminime të shtrenjta ISKSH-ja u siguron që të paguajnë një tarifë tepër të ulët, në varësi të tarifave reale. Kështu, nga 12 ekzaminimet e shtrenjta pacienti duhet të paguajë vetëm 10 për qind të vlerës reale. Pra, nëse një vizitë për kryerjen e koronografisë kushton 40.000 lekë, atëherë pacienti duhet të paguajë vetëm 10 për qind të kësaj vlere. Njëkohësisht, falas përfitohen shërbimet si shërbimin e mjekut të familjes apo shërbimin farmaceutik. Por duke qenë i siguruar futesh në të gjithë sistemin e shërbimeve shëndetësore dhe përfiton, vizitën falas tek mjeku i përgjithshëm (MP/MF), të drejtën e zgjedhjes MP/MF, si mjek personal vizitën në banesë, kur gjendja e të siguruarit nuk lejon paraqitjen në ambulance, recetën e rimbursuar nga MP/MF, të drejtën e vizitës pa pagesë tek mjeku specialist (MS) i shërbimit ambulator etj. Në ekzaminimet e shtrenjta, përfshihen rezonanca magnetike pa kontrast, kostoja reale e të cilës është 20.000 lekë, rezonanca magnetike me kontrast, me vlerë reale 35.000 lekë, CT Scann, 12.500 lekë, CT Scann koke, kolonë me kontrast, 12.500 lekë, etj.

Ndryshimi temperaturave, shtohet rastet e prekura nga virozat e stinës

Ndryshimi i temperaturave dhe ndërrimi i stinëve pritet të sjellin në vend qarkullimin e virozave të stinës, të cilat kanë simptoma të ngjashme me gripin. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, thanë se rastet e raportuara me grip të zakonshëm gjatë ditëve të shkurtit kanë qenë rreth 13 mijë çdo javë, ndërkohë që më shumë e prekur nga këto viroza ka qenë grupmosha mbi 60 vjeç. Specialistet e ISHP-së thonë se përsa i përket virusit A/H1N1, tashmë që prej tre javësh nuk është izoluar asnjë rast, ndërkohë që numri i mostrave që analizohen në laboratorin e virologjisë po reduktohet nga dita në ditë. Përsa i përket vaksinës së A/H1N1, kontingjenti që ndodhet në ISHP, skadon në fund të vitit 2010, por i takon strukturave të shëndetësisë se çfarë do të bëhet me to.

26 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›