E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi, hiqet neni për trashëgiminë e borxheve

• Borxhet tatimore të një biznesi nuk do të trashëgohen te pasardhësit e tij.

Fabiola Çela

Në rastin kur biznesmeni humb jetën, këto detyrime do të paguhen nga ortaku i tij. Por nëse biznesi është pa ortak, atëherë shoqëria duhet të shpallë falimentimin. Më pas tatimet sekuestrojnë asetet dhe paratë që do të merren nga shitja e tyre do të përdoren për shlyerjen e borxheve. Deputetët e Komisionit parlamentar të Ekonomisë kanë miratuar dje disa ndryshime në projektligjin “Për procedurat tatimore”. Sipas projektit fillestar të këtij projektligji, në rast se një biznesmen nuk jeton më, atëherë borxhet e tij i mbartin fëmijët apo nipërit. Por për këtë nen të projektligjit të gjithë deputetët kanë qenë kundër, ndaj në mbledhjen e djeshme vendosën që këto detyrime të paguhen nga ortaku.
Projektligji
Komisioni i Ekonomisë ka nisur dje shqyrtimin nen për nen të projektligjit “Për procedurat tatimore”. Në fakt ky është një ndër draftet më të debatuar. Pak ditë më parë gjatë një seancë dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë, përfaqësuesit e biznesit e kanë kundërshtuar fort miratimin e këtij projektligji. Drafti i ri u jep të drejtën tatimorëve të bllokojnë dhe sekuestrojnë pasuritë e bizneseve debitorë ndaj shtetit, duke anashkaluar gjykatën. Drafti heq një shkallë të apelimit tatimor dhe le në fuqi vetëm Drejtorinë e Apelimit në Drejtorinë e Tatimeve, pasi ka shkrirë komisionin e apelimit në Ministrinë e Financave. Të gjitha këto ndryshime janë kundërshtuar nga biznesi. Pika më e debatuar e këtij projektligji mbetet neni që përcakton se përveç parapagimit të detyrimit tatimor të ankimuar, duhet të parapaguhet edhe 15 për qind e shumës së gjobave e të interesave. Këto detyrime biznesi duhet t’i paguajë përpara se të depozitojë kërkesë-padinë për shqyrtim gjyqësor. Biznesi ka kërkuar që ky nen të hiqet. Sipas tyre, aplikimi i këtij neni do të ashpërsonte marrëdhëniet shtet-biznes. Heqja e këtij neni bëhet edhe më e domosdoshme po të merret parasysh edhe fakti që është hequr si shkallë apelimi, Komisioni i Apelimit të Tatimeve në Ministrinë e Financave, i cili kishte një farë pavarësie relative në vendimmarrje, pasi biznesi kishte përfaqësuesit e tij në të. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar pak ditë më parë, biznesi i ka kërkuar Kryeministrit Berisha dhe Kuvendit që ta rikthejnë edhe një herë këtë projektligj. Kjo pasi, sipas biznesit, nëse këtij projektligji nuk i bëhen përmirësimet e nevojshme, atëherë zbatimi i tij do të ketë pasoja të rënda për sipërmarrësit.
Dështimi
Financat kanë pranuar dështimin e ligjit “Për procedurat tatimore”. Ky ligj daton që në dhjetor të vitit 1999. Që nga kjo kohë e deri më tani qeveritë i kanë bërë goxha ndryshime. Por këto ndryshime nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse e kanë vështirësuar edhe më tej zbatimin e këtij ligji. Në këto kushte, ekspertët e Ministrisë së Financave kanë hartuar projektligjin e ri “Për procedurat tatimore”, por që edhe ky draft është kundërshtuar nga biznesi.

Detyrimi tatimor

Ishte
Detyrimi tatimor për individë të vdekur ose shoqëri të likuiduara përcaktohet:
a) në rastin e një personi të vdekur, detyrimi tatimor pushon në datën e vdekjes dhe trashëgimtarët ligjorë janë përgjegjës për llogaritjen dhe pagesën e tatimeve të personit të vdekur;
b) në rastin e një personi juridik të likuiduar, detyrimi tatimor pushon në datën e likuidimit dhe likuidatori ose përfaqësuesi i caktuar ligjërisht është përgjegjës për llogaritjen dhe pagesën e tatimit të këtij personi.
c) Detyrimet tatimore llogariten dhe paguhen në lekë, përveç rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe.
Bëhet
Detyrimet tatimore nuk do të trashëgohen tek pasardhësit, por do të paguhen nga ortakët.
Kur shoqëria nuk ka ortak, shpallet falimentimi, tatimet sekuestrojnë asetet dhe paratë e mbledhura nga shitja e tyre do të përdoren për shlyerjen e borxheve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›