E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore 2008, rezultatet e provimit të Gjuhë-Letërsisë

Shpallen rezultatet e testit të parë të Maturës Shtetërore 2008. Pas përfundimit me sukses të procesit të korrigjimit të testeve në të katër Qendrat e Vlerësimit në Tiranë, Shkodër, Elbasan e Fier, qysh dje pasdite ka filluar afishimi i notave të nxënësve në shkolla. Bëhet me dije se në provimin e parë të detyruar të Maturës Shtetërore 2008, Letërsi dhe Gjuhë shqipe, morën pjesë 31.880 nxënës. Nga të gjithë maturantët që morën pjesë në provim rreth 91.89 % kanë marrë notë kaluese, ndërsa pjesa tjetër kanë marrë notë jokaluese. Mësohet se nota të nivelit 5-6 kanë marrë gjithsej 12.483 maturantë pra 39.15% e sasisë totale. Ndërsa me nota të nivelit 7-8 janë vlerësuar gjithsej 13.011 maturantë, pra 40.81% e sasisë totale. Ndërsa maturantë që janë vlerësuar me nota të nivelit 9-10 janë gjithsej 3.800 maturantë, pra 11.92% e totalit të tyre. Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve bëri me dije se rezultatet e këtij viti në provimin e Gjuhë-Letërsisë të Maturës Shtetërore 2008 janë më të mira se ato të vitit të kaluar në cilësi. Sipas drejtorit të kësaj agjencie, një nga treguesit që dëshmon për këtë është rritja e numrit të nxënësve të vlerësuar me notën 10, në krahasim me vitet e mëparshme. Ndër të tjera, drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, Edmond Lulja, tha se “mund të them vetëm që maturantët kanë dalë më mirë sesa një vit më parë dhe ka sidomos një rritje të ndjeshme në notat cilësore". Bëhet me dije se për të gjithë ata që nuk janë dakord me vlerësimin e bërë, mund të depozitojnë një ankimim dhe të kërkojnë të shikojnë fletën e tyre të provimit. Për të gjithë këtë kategori maturantësh, ministria do t'u japë shpjegime një për një, të gjithë ankimuesve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›