E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura Shtetërore, më 24 maj ‘ngujohen’ hartuesit e tezës finale

TIRANE- Java e ardhshme do të shënojë sezonin e përgatitjeve finale për provimet e maturës shtetërore 2012, që fillojnë më 1 qershor me provimin e parë të detyruar në letërsi e gjuhë shqipe. Duke iu referuar të dhënave të zbardhura nga plotësimi i formularëve A-1, bëhet me dije se në testimin e parë të maturës do të marrin pjesë rreth 43600 maturantë nga të gjitha shkollat e mesme të vendit.

Burime pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se është hartuar tashmë fondi i pyetjeve, nga ku do të përzgjidhen në fshehtësi të plotë 25 pyetjet finale që do jenë në tezën e provimit. Më datën 24 maj në ambientet e AVA-s do të ngujohet grupi i ekspertëve të lëndës së letërsisë, të cilët në izolim të plotë për një javë rresht do të përgatitin testet e provimit.

Ekspertët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit kanë detajuar skemën e pyetjeve që do të përmbajë testi së bashku me temat përgatitore që nxënësi duhet të përvetësojnë për të siguruar kështu të drejtën e vijimit të garës për pranimet në universitetet publike si dhe mbarimin e shkollës së mesme me sukses. Teza e provimit edhe për këtë vit do të ndahet në dy pjesë, ku përfshihet testimi i njohurive për dy fragmentet e shkëputura nga veprat e autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Testi do të ketë në përbërje fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo domosdoshmërisht të punuara në klasë.

Struktura e pyetjeve do të ndërtohet në mënyrë të tillë ku të jenë të përfshira të tria nivelet e vështirësisë. Njëra nga pyetjet me zhvillim është ese. Për të marrë vlerësimin maksimal maturanti duhet të mbledhë 50 pikë. Specialistët shtojnë më tej se maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm që gjatë periudhës përgatitore dhe të mos mbështeten vetëm në perceptimin e fragmentit të tekstit, pasi testi do të përmbajë edhe pyetje rreth tërësisë së veprës. Ekspertët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve (AVA) gjatë vlerësimit të testeve në vitet e shkuar kanë përcaktuar edhe gabimet më të shpeshta që penalizojnë maturantët. Këto të fundit kanë të bëjnë me mosleximin e plotë të veprës letrare, çka bën që përgjigjet të mos jenë në nivelin e duhur.

Një tjetër problematike e konstatuar është edhe puna me një fragment që shihet dhe si objekt. Kështu, fragmenti i zgjedhur për test është një pjesë e shkëputur nga trupi i veprës së plotë. Nxënësit duhet të kenë kujdes që të mos dalin nga natyra e përgjigjes së kërkuar, pasi humbasin pikë. Maturantët do të mbyllin procesin mësimor më 22 maj dhe pas kësaj date do të zhvillojnë përgatitjet finale për testimin e parë të maturës në letërsi. Për një jave rresht mësuesit e shkollave të mesme do të zhvillojnë konsultime për të orientuar nxënësit mbi paqartësisë ose mangësitë që kanë për këtë provim. Rreth 60 për qind e pyetjeve të testit i përkasin lëndës së letërsisë, ndërsa pjesa tjetër rreth gjuhës. Ndërkohë më datën 24 maj do të ngujohen në AVA hartuesit e tezës së provimit.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›