E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet komisioni i Ref. Zgjedhore, diskutohen çështjet 'e nxehta'

TIRANE-Sot finalizohet puna për reformën elektorale. Mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore që nisi rreth orës 17:30 duket se do të përcakojë fatin e kodit të ri elektoral. 

Partitë politike të cilat u mblodhën në kryesinë e Kuvendit po diskutojnë çështjet e "nxehta" siç është formatimi i KQZ-së, mënyra si do procesohet për ankimimet zgjedhore dhe veçanërisht përdorimi i teknologjisë në zgjedhje.

Mësohet se mbledhja është shoqëruar me debate mes PD e PS për KQZ, pasi të dyja palët nuk tërhiqen nga qëndrimet e tyre. Partia Socialiste ka deklaruar se “Anëtari i 7-të i KQZ-së duhet të vijë nga institucione të pavarura”. Ky propozim është kundërshtuar nga të djathtët.

Burime pranë mbledhjes që po zhvillohet me dyer të mbyllura sqarojnë, se nuk do të ketë shtyrje të afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ndërkohë që, nesër raporti i Komisionit të Reformës do t’i dorëzohet Kuvendit.

Të dyja palët ndahen në një pikë sa i përket kapitullit të KQZ-së. PS-ja propozon që KQZ-ja e re të nisë punën menjëherë sapo të miratohet në Parlament. Por, demokratët kujtojnë faktin se shtatë anëtarët aktualë të KQZ-së kanë mandat deri në dhjetor dhe nëse atyre u ndërpritet mandati më përpara, kjo është një shkelje e Kushtetutës.

Komisioni i Reformës Zgjedhore pritet që sot të ketë një ditë të gjatë, në afatin e e fundit të përfundimit të tij që skadon në orën 24:00. Kështu të dyja palët, do të kenë vetëm 24 orë në dispozicion për të miratuar edhe ndryshimet e fundit në Kod, përpara se drafti t`i kalojë Parlamentit. 

PALËT NË KOMISIONIN E REFORMËS ZGJEDHORE S’BIEN DAKORD PËR ANKIMIMIN
Pas rreth dy orësh diskutime palët në komisionin e Reformës Zgjedhore nuk kanë rënë dakord për ankimimin. PS kërkon që të hapen kutitë pas kërkesës të bërë nga 2 anëtarë të KQZ-së, ndërsa PD kërkon që hapja e kutive të bëhet pas fakteve dhe provave të mbledhura për shkelje.

MBLEDHJA DJE
Në mbledhjen me dyer të mbylluara, të zhvilluar dje rreth orës 18:00 (e cila zgjati përreth 1 orë e 30 minuta) komisioni nuk ka diskutuar çështje të ‘nxehta’ siç është ajo mbi formatimin e KQZ-së. Në përfundim të mbledhjes, eksperti i PS-së pranë komisionit, Bledar Çuçi bëri me dije se u miratuan disa kapituj të rëndësishëm të OSBE, që kanë të bëjnë me regjistrimin e subjekteve zgjedhore, fushatën, financimin e partive, dhe kuaotat gjinore. Ndërkohë, që sot do të diskutohen çështjet lidhur me administratën zgjedhore dhe ankimimin e palëve. “Nesër (sot) kemi një takim tjetër dhe do jemi të impenjuar bashkë me bashkëkryearët për çështje që janë të nxehta dhe të ngeluara, lidhur me administratën zgjedhore dhe ankiminin e palëve. Nesër (sot) siç thashë është ditë punë dhe do diskutohen çështjet në frymën e sugjerimeve, që kanë të bëjnë me përdorimin e teknologjisë dhe mënyrën e numërimit. Nuk e di nëse do ketë shtyrje afati. Kemi konsensus, madje palët kanë miratuar për teknologjinë dhe përdorimin e paisjeve për numërimin, por do rishikojmë dhe një herë me frymën e OSBE. Pra do diskutohet për administratën zgjedhore dhe ankimimin e palëve”,- sqaroi Çuçi.
(ma.ar/d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›