Demagogë tavolinash
Nga Luan Shtëpani
Shoqëria shqiptare prej vitesh ka “notuar” mes dilemës t’i dëgjojë ata që na udhëheqin, apo t’i bojkotojë. Kjo pyetje e thjeshtë për t’u kuptuar, por e vështirë për t’u realizuar ka munduar dhe po mundon deri në stres intelektualët, punëtorët, njerëzit e thjeshtë, etj. Tashmë është bërë e modës që njerëzit e veshur me pushtet dhe ata të shoqërisë civile të kapardisen në tryezën e debatit në ambiente luksoze të Tiranës dhe më gjerë për “popullin” që sipas tyre ka nevojë për më shumë përkrahje dhe për një jetë më të mirë. Teksa i dëgjon këto oratorë të krijohet ideja se sa shumë janë të përkushtuar dhe se sa shumë ky vend ka nevojë për mendimtarë të tillë të cilët përpos misionit të tyre kanë dhe një të dytë të fitojnë sa të munden me demagogji. Të ndarë në fronte kundërshtare, duke zbatuar strikt rregullat e kopjuara nga të tjerët ata hedhim për diskutim idetë të tilla që për momentin duken të realizueshme, por në fakt poshtë tryezës së debatit të tjera lojëra bëhen në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.
Në fillimet e demokracisë në Shqipëri u tha se kemi nevojë për mendjen e atyre që kanë themeluar institucionet e shkencës, kemi nevojë të integrohemi dhe të mësojnë për sistemin, kemi nevojë për shumë punë dhe barazi dhe në fund për më shumë mirëqenie. Në morinë e zhurmshme të demagogëve u kristalizuan mendime të qarta këtë radhë jo në fushën e shkencës, por atë të politikës ku për fatin e keq shumë shkencëtarë, bashkudhëtarë të sistemit të kaluar mohuan veten e tyre, sepse ashtu e kërkonte filozofia e njerëzve me pushtet. Ata po rrotullohen brenda organogramës së politikës dhe në fund po dalin me konkluzione që nuk shërojnë plagët e papunësisë dhe të varfërisë, përkundrazi po i shtyjnë shtresat në nevojë të binden se vetëm ato kanë të drejtë dhe se fjala e tyre bëhet “ligj” dhe për ata që kanë mendime të kundërta dhe racionale. Tryeza dhe vetëm tryeza, njerëz që vijnë dhe që ikin, sepse ashtu e do politika e ditës, të tjerë që përgjumen dhe nuk flasin, zyrtarë që transmetojnë mendimet e shefave të tyre, kundër vullnetit personal, kjo është tabloja e hidhur dhe që ka gjasa të vazhdojë për shumë kohë sepse vetëm kështu do të krijohet aveniri i tyre i prishur dhe i përmirësuar nga politikëbërja e cila ka sjellë në këto vite tranzicioni jo pak fenomene negative.
Politikanët, me përjashtime dhe raste të shkëputura nuk kanë mundur të thonë të vërtetën që sado e hidhur të jetë mbetet e vërtetë. Ata bëjnë lojën e tyre sa herë që ka probleme, dalin në sheshe dhe mitingje duke u shkëputur përkohësisht nga tryeza e debatit për të realizuar qëllimin final t’i mbushim mendjen qytetarëve të vuajtur dhe me pak shpresë se po përpiqen për jetën e tyre se Shqipërinë e duan ata dhe se vetëm ata dinë të drejtojnë. Qytetari më i thjeshtë i cili ka humbur besimin për punë dhe jetë më të mire ngërdheshet me fatkeqësinë e tij kur dëgjon premtime dhe vetëm premtime nga të djathtët dhe të majtët, në tryeza, mitingje apo salla të mbyllura. Kush do t’i ndihmojë të varfrit, të papunët, pensionistët, minatorët, naftëtarët ata që e shitën dhe po e shesin pasurinë kombëtare apo thjeshtë pritja e pafund. Shpeshherë shoqëria civile e cila për të thënë është në nivele të dobëta ngre zërin e arsyes, pak dëgjohet, nuk respektohet dhe më e keqja anashkalohet. Vetë ata nuk janë në pozicionin e tyre të oponencës, politika i ka vendosur para faktit të kryer, ndërkohë misioni i tyre është vetëm të firmosin se në të kundërtën revolta do të jetë shumë e madhe dhe pasojat dihen. Pritet gjithçka nga “pushteti i katërt” a thua se dhe ai në vetvete i ka zgjidhur problemet e tij. Media e fokusuar sipas interesave politike dhe ekonomike, pavarësisht evolucionit është mbërthyer në darët e të bërit politikë për interesa të ngushta pronësore. Nga ana tjetër shoqëria në përgjithësi firmos dhe vulos të ardhmen e tij pa ditur se brezat që do të vijnë do të vuajnë pasojat. Pushtohet e papushtueshmja mendimi i lirë, flitet shumë pak dëgjohet, heshtet dhe kur duhet folur, bëhet politikë kur nuk ka nevojë, injorohet e përditshmja e hidhur. Krijohet ideja e të qenit partner, veprohet ndryshe. Së fundi mund të thuhet se sa herë dështohet aq herë kamuflohet e vërteta, jepen ide në drejtime të tjera, të krijohet përshtypja se po vendoset shteti ligjor dhe rregulli në këtë vend. Pozita dhe opozita për hir të interesave të çastit e shtrijnë dorën e bashkëpunimit dhe sapo ky cikël të mbyllet sërish dalin në fushën e betejës politike, qytetarëve nuk u mbetet gjë tjetër vetëm të komentojnë deklarimet e tyre.
6 Qershor 2008