Frika nga kontrollet, hidhen në bregdet 2 ton pije
VLORË - Mijëra shishe me pije freksuese, të cilat u gjetën të hedhura nga subjekte të paidentifikuara në bregdetin e Triportit, 5 kilometra larg qytetit të Vlorës, pasi iu kishte kaluar afati i përdorimit, do të groposen për të evituar rrezikshmërinë që ato paraqesin për banorët e zonave përreth. Pronarët e Drejtoresha e Shëndetit Publik në Vlorë, Bruna Ndreu, tha se "hedhja e shisheve me pije freskuese në këtë zonë, një veprim i paligjshëm i kryer nga persona të paidentifikuar, mund të ketë ardhur pas disa kontrolleve që ka nisur inspektorët e DSHP-së ndaj njësive tregtare në Vlorë, të cilat mes të tjerash kanë si objekt edhe verifikimin e cilësisë dhe afatit të përdorimit të produkteve ushqimore e pijeve të llojeve të ndryshme". Ajo nënvizoi se groposja e pijeve freskuese do të bëhet në bashkëpunim me bashkinë dhe Inspektoriatin e Sigurisë Ushqimore. Sasia e mësipërme e pijeve freskuese, u zbuluan nga kalimtarë të rastit, të cilët njoftuan drejtuesit e DSHP-së. Inspektorët e kësaj strukture vlerësuan gjendjen në vend, ndërkohë që drejtoresha Ndreu kërkoi bashkëpunimin e bashkisë dhe të Inspektoriatit të Sigurisë Ushqimore, pranë Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për groposjen e pijeve freskuese, si një masë e domosdoshme. Pak ditë më parë, Drejtoria e Shëndetit Publik, vendosi një gjobë prej 500 mijë lekësh për pronarin e një lokali në bregdetin e Rradhimës, ku u gjetën 200 shishe me pije freskuese, të cilave u kishte kaluar afati i përdorimit.
6 Qershor 2008