E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura Shtetërore, të dhënat e maturantëve, të hënën në AVA



Me mbarimin e mbledhjes së të dhënave të maturantëve, pritet të përcaktohet edhe fondi i pyetjeve për tezat e provimeve

Komisionet e maturës pritet t'i dorëzojnë zyrtarisht të hënën Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) të dhënat e formularëve të plotësuar nga maturantët e shkollave të vendit, pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore 2009. Vetëm Drejtoria Arsimore e Tiranës ka shpërndarë rreth 5 mijë formularë A1 në të gjitha shkollat e mesme të qytetit për maturantët që do të marrin pjesë në provimet e Maturës Shtetërore.

Me mbylljen e këtij procesi, MASH-i pritet të miratojë më 1 prill formularin A2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë), plotësimi i të cilit duhet të bëhet nga maturantët deri më 30 qershor.

Me mbarimin e mbledhjes së të dhënave të maturantëve, pritet të përcaktohet edhe fondi i pyetjeve prej të cilave do të përzgjidhet teza përfundimtare për secilin nga provimet e maturës shtetërore.

Fillimisht, do të nisë puna për hartimin e testeve, që do të jenë për dy provimet e detyruara, ku edhe për këtë vit një numër i caktuar specialistësh do të "ngujohen" në AVA për të formësuar modelin përfundimtar të tezës së provimit.

Këshillimi

Nga ana tjetër, ekspertë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë nisur në shkollat e mesme të kryeqytetit zhvillimin e Këshillimit të Karrierës, një nismë që nisi një vit më parë si një udhërrëfyese për maturantët në zgjedhjen e degës së arsimit të lartë.

Pas aplikimit të formularit A1 për provimet e Maturës Shtetërore nga maturantët, në të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit janë shpërndarë në shkolla grupe ekspertësh të Maturës Shtetërore për informimin e maturantëve lidhur me përcaktimin e saktë të degëve që do të listojnë kur të plotësojnë formularin e preferencave A2, që pritet të miratohet nga MASH-i më 1 prill.

Fushata e këshillimit do të zgjasë deri në mbyllje të vitit shkollor, pra deri më 22 maj. Më pas nis faza e përgatitjeve për provimet e detyruara, që do të jepen në fillim të qershorit, sipas datave të përcaktuar. Dhënia e provimeve me zgjedhje do të jetë për të gjithë maturantët në një ditë, më 10 korrik.

MASH: Formulari A2, gati më 1 prill

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në kuadër të përgatitjeve për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2009, bën të ditur se formulari A2 do të miratohet deri më 1 prill.

Ky formular përmban të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshirojnë të studiojnë.

Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, duhet të plotësojnë edhe formularin A2 brenda datës 30 qershor. Sipas rregullores së provimeve, citohet se kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në universitetet publike të vendit vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore (në dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje të përcaktuara në formularin A1). Nxënësi që është mbetës, qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të sezonit të parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky kandidat duhet të japë riprovim lëndët e detyruara në sezonin e vjeshtës, por humbet të drejtën e konkurrimit për në shkollë të lartë gjatë këtij viti. Regjistrimi i çdo kandidati për provimin me zgjedhje konsiderohet i plotë, në qoftë se krahas plotësimit me saktësi të çdo të dhëne të kërkuar, formularit A2 i bashkëngjitet mandatarkëtimi origjinal që vërteton pagesën e tarifës së Maturës Shtetërore. Formulari A2 pranohet vetëm i shoqëruar me mandatarkëtimin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›