Kompania INSIG, e dyta në treg në 2008-n
Ministria e Financave: Privatizimi i INSIG-ut, transparent
Treguesit financiarë tregojnë ecuri të mirë të kompanisë
Ministria e Financave ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga PS-ja se INSIG-u ka tregues financiarë negativë dhe se procesi i privatizimit të tij nuk ka qenë i hapur. Në një deklaratë publike të Ministrisë së Financave, jepen treguesit e nxjerrë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2008, ku INSIG-u u rendit e dyta nga kompanitë e sigurimeve. Në reagimin e Ministrisë së Financave thuhet se Partia Socialiste dhe zyrtarë të saj, në monologun e radhës kundër qeverisë, e përfshirë nga ethet elektorale, ka vënë në shënjestër të saj kompaninë INSIG dhe vlerën e saj në treg, duke folur për një rrënim të kësaj kompanie. Referuar reagimit të Ministrisë së Financave, ndryshe nga ç’pretendon Partia Socialiste dhe zyrtarët e saj, për të ashtuquajturin “rrënim” të biznesit të INSIG-ut, sipas të dhënave zyrtare të AMF-së, konfirmohet se kompania INSIG për vitin 2008 renditet e dyta në treg nga 10 kompani që operojnë për sigurimet e jetës dhe jo jetës në Shqipëri, duke zotëruar mbi 16% të këtij tregu. “A mund të quhet INSIG - sha një shoqëri e “rrënuar” apo në “rrënim” me këto rezultate? Një tjetër e dhënë që flet kundër mashtrimeve të Partisë Socialiste është fakti se ndërsa në vitin 2003 kur kompania INSIG u vlerësua vetëm 25 milionë dollarë për 100% të aksioneve, në vitin 2008 vlera e tij ishte 53.2 milionë dollarë ose dy herë me lartë se periudha kur qeveriste partia e zotit Beqja”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave. Në këtë deklaratë theksohet: “Është mirë që kur të flitet për shifra – për të respektuar publikun të cilit i drejtoheni, si më e pakta – t’u referoheni treguesve kryesore të performancës se një shoqërie biznesi dhe të mos manipulohet opinioni publik me shifra të rreme dhe të sajuara për interesa të ngushta partiake”. Ndërsa lidhur me pretendimet mashtruese të PS-së për transparencën e procesit, Ministria e Financave kujton se publiku është informuar për të gjitha e fazat e tij dhe për këtë mund t’i referohen deklaratës më të fundit për shtyp që Ministria e Financave ka lëshuar për këtë qëllim. Sipas Ministrisë së Financave, deri tani kanë qenë në proces negocimi me kompaninë amerikane ARLI. Procesi ka qenë i gjatë dhe i vështirë për shkak të krizës financiare botërore, e cila ka goditur më shumë SHBA-të. Kompania nuk është shprehur akoma zyrtarisht për heqjen dorë nga privatizimi dhe për këtë arsye komiteti i privatizimit të INSIG-ut nuk ka bërë akoma njoftim publik për këtë qëllim. Meqenëse BERZH-i dhe IFC-ja ekzekutuan të drejtën e rishitjes së aksioneve, e cila skadonte në fund të vitit 2008, tashmë INSIG-u zotërohet 100% nga shteti dhe po menaxhohet në mënyrë shumë efektive.
INSIG-u sipas shifrave të AMF-së
Sa i përket “rrënimit” të biznesit të INSIG-ut, sipas të dhënave zyrtare të AMF-së, kompania INSIG për vitin 2008 renditet e dyta në treg nga 10 kompani që operojnë për sigurimet e jetës dhe jo jetës së bashku në Shqipëri, duke zotëruar mbi 16% të këtij tregu. Në tregun e sigurimeve të jetës operojnë tri kompani sigurimesh: INSIG, SIGAL Life dhe SICRED. Për periudhën janar-dhjetor 2008 rezultatet e këtij tregu sigurimesh e rendisin kompaninë INSIG në vend të dytë në treg. Sikurse vërehet, kompania e sigurimeve INSIG zë 31.60% të tregut të sigurimeve të jetës, duke u renditur e dyta nga kompanitë e sigurimit. Gjatë periudhës janar-dhjetor 2008 janë realizuar 163,570 mijë lekë prime ose 23,525 mije lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007.
TAB
Ndarja e tregut të sigurimeve të jetës për 12-mujorin 2008
Shoqëria e sigurimit Vlera (në mijë lekë) Pjesa ndaj Totalit në (%)
2008 2008
Periudha janar - dhjetor
Primi i Shkruar Bruto / Gross Written Premiums
SIGAL Life 208,843 40.34%
INSIG 163,570 31.60%
SICRED 145,240 28.06%
TOTAL 517,653 100