Matura, Universiteti i Tiranës rikthen mesataren
• Publikohen koeficientet për Universitetin e Tiranës.zirina llambroRektori Dhori Kule, me anë të një konference për shtyp ka bërë me dije dje edhe një sërë propozimesh lidhur me pedagogët, kuotat e pranimit në fakultete apo vendosjen e mesatares si kusht pranimi në disa prej degëve të shkollave të larta. Këto propozime i janë dërguar Ministrisë së Arsimit, e cila është në fazë shqyrtimi dhe nuk i ka miratuar ende. Kështu fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë propozuar që koeficientet e lëndëve me zgjedhje, të jenë 1 (një) për të gjitha shkollat e mesme përjashtuar Fakultetin e Mjekësisë, që ka përcaktuar disa koeficiente. “Ky propozim është dhënë si pasojë e pamundësisë së diferencimit të shkollave të mesme sipas tipit apo vendndodhjes. Këtë e realizojmë indirekt, vetëm nëpërmjet diferencimit të koeficienteve të lëndëve me zgjedhje apo të detyrueshme, pasi gjykojmë se rezultatet e provimeve të detyrueshme dhe provimeve me zgjedhje na japin edhe informacion për nivelin e shkollave të mesme”, sqaroi rektori i UT-së, Dhori Kule. MesatarjaKule sqaroi se, Fakulteti i Mjekësisë propozon që kandidatët për studentë të kenë notën mesatare të katër viteve për grup-lëndët Biologji, Kimi, Fizikë e Matematike mbi 8.5. Ndërsa Fakulteti i Ekonomisë propozon që lënda e detyruar Matematikë të ketë koeficientin 1.3, ndërsa lënda Letërsi të ketë koeficientin 1 (një). Një tjetër propozim ka ardhur edhe nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, i cli ka propozuar që kandidatët për studentë të kenë notë mesatare të katër viteve mbi 8. Kandidatët në programin e studimit në gjuhën angleze dhe në programin e studimit në gjuhën frënge duhet të japin si lëndë me zgjedhje, respektivisht në gjuhën angleze dhe gjuhën frënge (ku duhet të jetë niveli B sipas Kuadrit Evropian të Referencës). Kule tha se, kandidatët për studentë në programet e tjera të studimit të këtij fakulteti duhet të testohen paraprakisht në gjuhët që nuk përfshihen në lëndët me zgjedhje (gjermanisht, italisht, greqisht, rusisht, spanjisht dhe turqisht) dhe të pranohen ata studentë, që kapin nivelin B të gjuhës sipas Kuadrit Evropian të Referencës.KuotatFakultetet e Universitetit të Tiranës, në kuadrin e zbatimit të politikës së qeverisë për masivizimin e universiteteve, kanë propozuar kuota në rritje, rreth 350 vende më shumë se një vit më parë, ku u shpallën 4.840 kuota pranimi. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, theksoi se në këtë kontekst “maturantët do të kenë vitin e ardhshëm më shumë mundësi pranimi për të ndjekur studimet”. “Për sistemin me kohë të plotë ne kemi propozuar 350 kuota më shumë, nga të cilat 250 janë për studentët shqiptarë dhe 99 janë për kandidatët nga trojet shqiptare, kryesisht për studentët që vijnë nga Kosova”, deklaroi rektori. Sipas tij, fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë propozuar edhe 850 kuota part-time në dy fakultetet Histori-Filologji dhe ai i Juridikut. Gjithashtu, do të ketë edhe kuota pa limit në fakultetin e Ekonomisë në degët Biznes-Financë dhe në degën e Biologjisë në fakultetin e Shkencave të Natyrës. “Pra, ky është një tjetër sistem i ligjshëm, që krijon hapësira për të gjithë maturantët që mbarojnë studimet në këtë vit shkollor”, vlerësoi Kule, duke publikuar edhe disa specifika në lidhje me degën e Gjuhëve të Huaja. Në degën e Anglishtes, Universiteti i Tiranës ka propozuar nga 25 kuota secili në filialet e universiteteve në Sarandë dhe Kukës. Eshtë propozuar që në proces të miratimit të strukturave në Universitetin e Tiranës, dega e Infermierisë të ketë 60 studentë në filialin e Kukësit. Sa i përket pedagogëve të rinj që duhet t’i shtohen shkollave të larta rektori Dhori Kule sqaroi se, fluksi në rritje i studentëve që do të pranohen vitin e ardhshëm akademik 2008-2009 në Universitetin e Tiranës, kërkon minimalisht shtimin deri në 200 të pedagogëve. Kule theksoi se, se Universiteti i Tiranës, duke mos pasur mundësi plotësimi me pedagogë të brendshëm, ka gjithsej 950 pedagogë të jashtëm. “Por ne mendojmë se shtimi i tyre do të përmirësojë raportin student- pedagog në Universitetin e Tiranës”, nënvizoi ai.