Përnocaj fyen mediat: S’na bëhet vonë se nuk pasqyroni punën tonë
• "Mediat nuk pasqyrojnë aspak punën tonë, por edhe neve nuk na bëhet vonë për këtë".Fyerja për mediat u bë nga Gjovalin Përnocaj, gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda, ish-anëtar i KLD-së, dje gjatë analizës së punës njëvjeçare të institucionit të tij, në prani edhe të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Me një fjalor të ulët dhe fyes Përnocaj, shprehu xhelozinë për artikujt e shumtë të gazetave dhe kronikat televizive për procese të zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, krahasuar me heshtjen totale përsa i përket Apelit të Krimeve të Rënda, ku bën pjesë ai. Gazetarët e pranishëm duke reaguar pas fjalës së Përnocaj i bënë të ditur Spahiut se, në godinën ku ndodhen Apeli i Tiranës, Apeli i Krimeve të Rënda dhe Apeli Ushtarak punonjësit e mediave e kanë shumë të vështirë për të hyrë. Kjo, sipas gazetarëve, mbase jo për faj të Përnocajt, por për faj të të gjithë punonjësve të atyre institucioneve, përfshi edhe krerët, që çdo ditë ngrenë zërin për transparencë në gjyqësor, kur janë vetë ata që censurojnë deri në bllokim total informacionet nga këto tre gjykata. Në raportin e Apelit të Krimeve të Rënda për vitin e kaluar, Përnocaj rezulton se ka marrë pjesë vetëm në 49 seanca gjyqësore, nga të cilat në 23 seanca ka relatuar 5 dosjet e veta, 14 seanca masash sigurimi dhe 12 seanca për çështje të ndryshme. Shifrat, krahasuar me nivelin e punës së kolegëve të tij në Gjykatën e Tiranës janë më pak se 1.5%, pasi çdo gjyqtar kryeqytetas zhvillon çdo ditë mesatarisht 10 seanca. fa.ma