Tani divorcet i kërkojnë gratë
• SHKODER - Thyhet tabuja në Shkodër. Numri i grave që kërkojnë divorc është rritur në krahasim me kërkesat që depozitojnë meshkujt.Burime të Gjykatës së Shkodrës pohojnë se gjatë 6 muajve të fundit janë depozituar për shqyrtim 200 kërkesa për zgjidhje martese, pjesa më e madhe e të cilave me iniciativë të grave. Emigracioni, keqtrajtimi, konfliktet e përditshme për problemet ekonomike në familje dhe në veçanti tradhtia bashkëshortore, kanë çuar në shtimin e numrit të divorceve në qytetin më të madh verior. Por ndryshe nga pesë vite më parë, shumica e kërkesave për ndarjen në çift vijnë nga gratë. Ndonëse në këtë gjykatë aplikohen seancat e dëgjimit dhe të pajtimit mes palëve, për të bindur çiftet për t'iu rikthyer jetës bashkëshortore, rastet kur situata i kthehet normales në jetën çift janë shumë të rralla. Specialistët pohojnë se shtimi i kërkesave për ndarje nga ana e grave lidhet ngushtë me sensibilizimin që ka pasur vitet e fundit lufta ndaj keqtrajtimit dhe denoncimi i këtyre rasteve. r.d