E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri për sigurimet, spitalet, në sitë për çmimet

Ligji i ri për sigurimet shëndetësore, që do të hyjë në fuqi pas 2 vjetësh, do t’i hapë rrugën një reforme të madhe shëndetësore në vendin tonë, pasi të drejtën për të ofruar shërbime do ta kenë vetëm ato spitale publike ose private që plotësojnë kriteret. Ndryshe nga tani, sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, ligji i ri krijon një treg real shëndetësor të bazuar në konkurrencë, cilësi dhe kosto-efektivitet. Për këtë arsye, para procesit të kontraktimit, do të ketë një proces të rreptë monitorimi për çmimet e shërbimeve që do të blihen nga ISKSH, që do të shndërrohet në Fond sigurimesh, si përsa i përket barnave, ashtu edhe paketave në tërësi. Pas kalimit të projektligjit të ri edhe nga Parlamenti, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, dhe fondacioni gjerman “Konrad Adenauer”, kanë organizuar një konferencë, që kishte si synim të diskutonte mbi zhvillimet e fundit në drejtim të financimit të shërbimeve shëndetësore. Drejtoresha e ISKSH-se, u ndal në faktin se ligji i ri krijon të gjitha hapësirat që Fondi të ketë rol aktiv dhe më fleksibël në hartimin dhe financimin e paketave shëndetësore, të ofruara popullatës, të cilat bazohen në kritere mjaft të qarta mjekësore, ekonomike dhe sociale. “Ndërmjet të tjerave, Fondit në këtë mënyrë i jepet fleksibilitet dhe në hartimin e listës së barnave të rimbursueshme e cila është një çështje sa ekonomike për vetë skemën, po aq dhe sociale për përfituesit. Kjo e obligon skemën që, duke hulumtuar dhe nga vendet me skema të ngjashme me ne, të bëjë të mundur që çmimet e barnave në listat që do të hartohen të jenë të krahasueshme me vendet e rajonit”, - ka pohuar Hana. Bazuar në domosdoshmërinë e përmirësimit të aksesit të klientëve, në kosto-efektivitetin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, organet drejtuese të Fondit, sipas ligjit të ri, do të miratojnë procedurat dhe kriteret për lidhjen e kontratave dhe të financimeve si për ofruesit publik ashtu edhe për ata privat të shërbimeve shëndetësore në Shqipëri. Drejtoresha e ISKSH-së ka sqaruar më tej se, megjithëse ligji i ri nuk parashikon rritje të masës së kontributeve shëndetësore, ai sjell ndryshime në bazën e llogaritjes së tyre për kategoritë e personave ekonomikisht jo-aktivë, për të vetëpunësuarit si edhe për sigurimin vullnetar, duke reflektuar në këtë mënyrë transparencë dhe stabilitet financiar në financimin e shërbimeve nga ana e Fondit. Sipas saj, ky përcaktim i ri krijon hapësira më të mëdha për Fondin në financimin e të gjitha llojeve të shërbimeve dhe në të njëjtën kohë mundëson ndërtimin e raporteve më korrekte me ofruesit e shërbimeve për plotësimin e nevojave të tyre, si edhe për ofrimin e shërbimeve tashmë edhe mbi kritere më të qarta profesionale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›