E Diel, 1 Nëntor 2026

“Humbasin” ankesat në numrat e publikuar nga institucionet zyrtare

MSH, linja jeshile për ankesat nuk i zgjidh problemet e qytetarëve. Denoncimet e qytetarëve janë më tepër për korrupsionin e mjekëve

Emanuela Sako

Çdo institucion i lartë, si Kryeministria apo ministritë, kanë vënë në dispozicion të qytetarëve nga një numër telefoni për të paraqitur ankesat. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve në numër telefoni, por pjesa më e madhe e ankesave nuk gjejnë zgjidhje. Madje, një pjesë e qytetarëve që rrinë në pritje të punonjësve të MSH-së shprehen se kanë denoncuar raste të mjekëve që marrin ryshfete nëpërmjet numrit të telefonit që është vendosur në muret e spitaleve. Por ata shpjegojnë se ende nuk kanë marrë një përgjigje. Në këtë mënyrë, qytetarët janë bërë mosbesues ndaj numrave që vihen në qëllim të denoncimeve të tyre.
Denoncimet
Ministria e Shëndetësisë prej disa kohësh ka vendosur “linjën jeshile”, numrin 069 20 24 322, për të denoncuar dhe luftuar korrupsionin në Shëndetësi. Burime nga kjo ministri bëjnë të ditur se mënyra se si ka funksionuar kjo linjë lidhet me aftësinë dhe eksperiencën e punonjësve për të tërhequr publikun. Sipas tyre, kjo është një eksperiencë e re dhe për këtë arsye ka vështirësitë e veta edhe në zgjidhjen e çështjeve të paraqitura nga qytetarët. Numri i qytetarëve që ankohen çdo ditë në këtë linjë telefonike mund të konsiderohet i lartë. Por jo të gjithë qytetarët mund të marrin iniciativën për të paraqitur ankesat, pasi një pjesë e tyre kanë mungesë besimi ndaj institucioneve për zgjidhjen e problemit. Ajo çka mbetet shqetësim është se ankesat që bëhen nuk mund të identifikohen të nesërmen. Qytetarët në disa raste nuk duan të identifikohen me emrat e tyre për arsye të ndryshme.
Kontaktet
Të gjitha institucionet kryesore në vend kanë vendosur disa pika kontakti ku qytetarët të mund të paraqesin ankesat e tyre. Ankesat që drejtohen nëpërmjet linjës telefonike janë të larta. Por zgjidhja që ata marrin nuk është aspak e kënaqshme. Qeveria, prej disa vitesh ka vënë në dispozicion të qytetarëve numra telefonikë për të qenë në koherencë me ngjarjet që ndodhin dhe ankesat e qytetarëve. Ka pasur raste kur numrat e vënë në dispozicion nuk punojnë apo nuk përgjigjet njeri nga ana tjetër e receptorit. Këto raste janë bërë publike herë pas here nga qytetarët apo mediat. Ndërkohë që linja e parë telefonike antikorrupsion u përurua nga kryeministri i vendit.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›