MSH-ja dhe Banka Islamike për Zhvillim, bashkëpunime në fushën e shëndetësisë
Banka Islamike për Zhvillim (BIZH) do të vazhdojë të investojë në Shëndetësinë shqiptare, veçanërisht në ndërtimin e godinave të spitaleve dhe sigurimin e pajisjeve të nevojshme mjekësore.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, mori mbështetjen për këto investime gjatë një takimi me përfaqësues të Misionit të Bankës Islamike për Zhvillim në Shqipëri. “Në këtë takim u diskutua mbi programim e projekt-propozimeve për tre vitet e ardhshme, 2010-1013, për investime në fushën e shëndetësisë”, - bëri të ditur zyra e shtypit e MSH-së. Gjatë takimit, ministrja e Shëndetësisë parashtroi projekte të rëndësishme investimi, si ai për rindërtimin e spitalit të Fierit. Ndërsa, në sistemin shëndetësor parësor, si një nga prioritetet e investimeve të Misionit të BIZH, ministrja Godo paraqiti projektet për ndërtimin e qendrave të reja shëndetësore në disa zona rurale të vendit. Ndërkohë, investimi në aparatura mjekësore dhe laboratorike në të gjithë spitalet rajonale mbetet prioritet i MSH-së në bashkëpunimin me Misionin e BIZH. Gjatë takimit, ministrja Godo, falënderoi Misionin për ndihmën e vazhdueshme ndaj sistemit tonë shëndetësor, ndërsa shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshme dypalësh. Banka Islamike për Zhvillim është një nga donatoret më të mëdha në fushën spitalore në vendin tonë. Sipas të dhënave, ky Mision ka investuar në projekte të rëndësishme, si faza e parë e Spitalit të Përgjithshëm të Durrësit, financuar me 5 milionë USD, faza e dytë e Spitalit të Përgjithshëm të Durrësit, me 7 milionë USD, si dhe Spitali i Përgjithshëm i Kavajës, me afërsisht 6 milionë USD.
MSH-ja, edukimi shëndetësor i popullatës shmang sëmundjet
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se edukimi shëndetësor i popullatës është një element i rëndësishëm, i cili shmang prekjen nga disa sëmundje. Kështu, edukimi shëndetësor dhe promovimi i shëndetit konsiderohen nga Ministria e Shëndetësisë ndër faktorët që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shëndetit të popullatës. Sipas specialistëve të MSH-së, është vërtetuar se sa më shumë informacion të ketë popullata, apo i sëmuri në lidhje me sëmundje të caktuara, aq më mirë është e suportuar sëmundja dhe aq më pak pasoja lë ajo. Ky objektiv synohet të realizohet përmes proceseve sociale dhe politike në nivel kombëtar dhe lokal, të drejtuara drejt krijimit të kushteve sociale, mjedisore dhe ekonomike që rezultojnë në shëndetin e njeriut. Edukimi shëndetësor dhe promovimi i shëndetit përbën një paketë shërbimesh që u ofrohet të gjithë individëve, pavarësisht nga aftësia e tyre për të paguar, në të gjitha nivelet e sistemit të kujdesit shëndetësor. Si pjesë e programit për promovimin e shëndetit, me fokus grupet me akses të ulët në shërbimin shëndetësor, një rol të rëndësishëm luan dhe informacioni që ata marrin nga media.
18 Shkurt 2009