E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca, me në një dinamikë të re me NATO-n



Artan Kutra

Rikthimi i Francës në Komandën Ushtarake Qendrore të Integruar të NATO-s mund të konsiderohet si një lëvizje strategjike, e cila ka synim kryesor përparimin e mëtejshëm të Europës në fushën e mbrojtjes. Ky është mendimi i shumë ekspertëve, të cilët theksojnë se prej këtij hapi Parisi zyrtar nuk pretendon të nxjerrë përfitime ushtarake të menjëhershme në gjirin e Aleancës. Pas një mungese prej 43 vjetësh, Franca kërkon të rizërë përsëri vend në karrigen e lënë bosh prej saj, gjatë gjithë kësaj periudhe. Në fakt, anëtare dhe themeluese e NATO-s, në vitin 1949, Franca e gjeneralit Sharl Dë Gol (Charles De Gaulle) u largua në vitin 1966 nga Komanda Ushtarake e Integruar, e cila dominohej prej amerikanëve. Për t’u larguar nga Komanda, Franca nxorri si shkak pavarësinë e saj bërthamore, për prodhimin dhe përdorimin e armës atomike, sipas interesave të saj dhe e pa kushtëzuar prej të tjerëve. Por Franca ka ruajtur gjithnjë vendin e saj politik në radhët e Aleancës Atlantike.
Nëse deri dje Franca këmbëngulte për zhvillimin e një “Force Europiane të Përbashkët për Mbrojtjen”, nën kuadrin e BE-së, sot ajo ndryshon strategji. Në qendër të kësaj strategjie të re është vetë Presidenti i ri Nikola Sarkozi (Nicola Sarkozy), i cili ndryshon në këtë pikëpamje nga pararendësi i tij Zhak Shirak. “Parisi prej dhjetëra vitesh ka dëshiruar krijimin e Mbrojtjes së Përbashkët Europiane. Pikërisht kjo ide bënte që anëtarët e tjerë të NATO-s të dyshonin se Franca kërkonte dobësimin e rolit të saj. “Por, kjo nuk është aspak e vërtetë”, – theksonte një javë më parë vetë presidenti francez Nikola Sarkozi, gjatë një konference për sigurinë të mbajtur në Mynih të Gjermanisë.
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, në vitin 1989, Parisi zyrtar dyfishoi përpjekjet për zhvillimin e kësaj ideje të “Mbrojtjes evropiane”. Përpjekjet u intensifikuan, sidomos në vitin 1996, por Franca nuk arriti të bindë aleatët e saj.
Ardhja në pushtet e Presidentit francez Nikola Sarkozi provokoi një dinamikë të re. Në vitin 2007, ai premtoi se do të rikthente Francën edhe në Komandën Ushtarake Qendrore të Integruar të NATO-s nëse ideja e “Mbrojtjes së Përbashkët Evropiane” do të përparonte paralelisht.

Në spektrin e brendshëm politik të Francës, këto deklarime nuk u mirëpritën aspak nga partitë e opozitës. Opozita e majtë është kundër këtij rikthimi dhe akuzon Presidentin Sarkozi se po shet me çmim shumë të ulët sovranitetin e Francës. Ndaj kësaj akuze, Nikola Sarkozi argumentoi se Aleanca me amerikanët dhe europianët në fushën ushtarake nuk vë aspak në dyshim pavarësinë e Francës. Ai theksoi se rikthimi në Komandën e Lartë Ushtarake të Integruar të NATO-s do të bëhet gjithnjë me kushtin se Franca do të mbetet një aleate e pavarur, një partner i lirë nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Nikola Sarkozi deklaroi se për këtë çështje, ai do të organizojë një debat të hapur me francezët mbi normalizimin e marrëdhënieve me NATO-n. Kjo, sipas tij, do të kryhet përpara mbajtjes së Samitit të Aleancës së Atlantikut, më 3 dhe 4 prill të këtij viti, përkatësisht në Strasburg të Francës dhe në Kehl të Gjermanisë.

Sipas informacioneve të publikuara ditët e fundit nga shtypi në Francë dhe të konfirmuara edhe nga burime diplomatike në Bruksel, Parisi dhe Uashingtoni kanë rënë dakord në parim që Franca të marrë në duar dy komanda të NATO-s. Kjo marrëveshje duhet të miratohet më pas edhe nga anëtarët e tjerë të organizatës ushtarake më të madhe të botës.
Agjencia Franceze e Lajmeve AFP njoftoi se, sipas marrëveshjes, Franca pritet të marrë një degë të Komandës së Lartë të NATO-s, me bazë në Norfolk të SHBA-së, si dhe Komandimin Rajonal të vendosur në Lisbonë të Portugalisë.

Ndonëse marrëveshjet janë kryer në nivele diplomatike, disa zyrtarë ushtarakë francezë janë gjithsesi të pakënaqur pasi mendojnë se këto dy poste komanduese të lëna për ushtarakët francezë nuk kanë ndonjë përgjegjësi të madhe. Sipas tyre, më të rëndësishëm janë posti i zëvendëskomandantit Suprem të Forcave të Aleancës në Europë, i cili mbahet nga një britanik apo edhe posti i Komandimit të Aleancës në Napoli, i cili mbahet nga një amerikan, që është përgjegjës edhe për rajonin e Mesdheut Lindor.

Sipas ekspertëve, ambiciet e “beteja” për pushtet ushtarak në gjirin e Aleancës do të ngelen të hapura për më vonë, sidomos për postet e tjera të shkallëve më të ulëta, të cilat kanë gjithsesi rëndësi të veçanta. Sigurisht, nuk duhet harruar se këto poste komanduese dytësore funksionojnë mbi bazën e një rrotacioni 3-mujor duke i lënë vend të gjithëve të shprehin fjalën e talentin e tyre në artin ushtarak.

NATO sot numëron 60 mijë trupa, të shpërndarë në misione të ndryshme në të gjithë botën, si dhe 20 mijë ushtarakë të përhershëm, të udhëhequr nga një gjeneral amerikan. NATO ka një buxhet prej 2 miliardë eurosh në vit.

Shqipëria në NATO

Pas 45 ditësh, në takimin e Nivelit të Lartë të Aleancës së Atlantikut, i cili do të mbahet më 3 dhe 4 prill në Strasburg të Francës dhe në Kehl të Gjermanisë, pritet që dy vende të marrin emocionet më të forta. Ato janë Shqipëria dhe Kroacia, të cilat shpresojnë të bëhen anëtare me të drejta të plota në këtë strukturë ushtarake. Sikundër ishte përcaktuar në Samitin e Bukureshtit, në prill të vitit 2008, përpara se të pranohen në NATO, Shqipëria dhe Kroacia duhet të marrin edhe votëbesimin, veç e veç, nga të 26 vendet anëtare të Aleancës. Prova e radhës u kapërcye në javën e parë të muajit shkurt, kur Parlamenti i Sllovenisë hapi dritën jeshile, duke votuar pro aderimit të Shqipërisë e të Kroacisë. Në fakt, Sllovenia e Kroacia, këto dy republika të ish– Jugosllavisë, kanë divergjenca në mes tyre lidhur me vijën e përbashkët kufitare. Për këtë arsye, Sllovenia ka shprehur gjithnjë rezerva për futjen e Kroacisë edhe në Bashkimin Europian. Por, më në fund, rruga për në NATO gjeti një kompromis. Për aderimin e Shqipërisë në Aleancë, Parlamenti slloven u shpreh njëzëri, me të gjitha votat pro. Ndërsa për aderimin e Kroacisë, 86 deputetë sllovenë votuan pro, kundrejt 11 deputetëve me orientime të theksuara nacionaliste që votuan kundër. Vetë kryeministri socialdemokrat slloven, Borut Pahor, ishte shprehur pozitivisht për aderimin e Kroacisë në NATO, por pa u shprehur lidhur me futjen e saj në BE. Sipas tij, ky aderim nuk e kërcënonte aspak Slloveninë, por përkundrazi do të shërbente për forcimin e marrëdhënieve më të mira dypalëshe. Tashmë Shqipëria dhe Kroacia, këto dy vende ballkanike, kanë më tepër shpresa për të hyrë në NATO. Kroacia shpreson se ratifikimi i Protokollit për Zgjerimin e NATO-s do të miratohet edhe nga ato vende, të cilat ende nuk janë shprehur deri tani.
5 vendet, të cilat nuk kanë aprovuar akoma hyrjen e Kroacisë në NATO, janë: Greqia, Islanda, Luksemburgu, Hollanda dhe Portugalia.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›