E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk miratohen taksat, buxheti shtyhet për në mars

25/01/2011  Debate mbi protestat e PS-së, e majta mban 1 minutë heshtje për viktimat, të djathtët jo

ELBASAN-Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka filluar mbledhjen e muajit janar mes debatesh dhe akuzash. Eugen Isai kryetar i Këshillit Bashkiak, përfaqësues i të djathtës ka marrë fjalën duke publikuar braktisjen e institucioneve dhe abuzimin flagrant të detyrës nga ana e Administratës së Bashkisë. Isai kishte fotografuar të premten më 21 janar shumë zyra të bashkisë të mbyllura, që sipas tij punonjësit e të cilave kanë shkuar në të ashtuquajturën protestë paqësore, e cila mori përmasat e një grushti shteti.

Debatet

“I bëj thirrje Bashkisë Elbasan të ruajë dinjitetin dhe të realizojë detyrën për të cilën paguhet e jo të bëhet pjesë e skenarëve për grushte shteti”. Por kjo deklaratë e tij ka hasur në kundërshtime të fuqishme nga ana e të majtës dhe Këshillit Bashkiak. Kjo e fundit një zëri e ka cilësuar këtë deklaratë provokuese në një situatë kur në protestë kanë humbur jetën tre protestues. Të majtët madje kanë thënë se sa herë që PD bën festa mbledh mësuesit, mjekët dhe të gjitha ndërmarrjet për ti nisur drejt Tiranës. Kryebashkiaku Sejdini theksoi se kryetari i Këshillit duhet të merret me aktivitetin e Këshillit dhe se nuk është kujdestar i administratës së Bashkisë. Socialistët kanë vazhduar një zëri kundërshtimet ndaj deklaratës së kryetarit të Këshillit Isai duke e quajtur atë të pamoralshme. Në këtë kohë është ngritur kreu i grupit të këshilltarëve socialistë Arben Kamami që ka theksuar se pjesëmarrja në protestë ishte e drejtë dhe legjitime e çdo shqiptari. Ato çfarë duhet të dënojmë ne tha ai është vrasja e 3 protestuesve. Në këtë moment ai ka kërkuar nga Këshilli një minutë heshtje për tre demonstruesit e vrarë. Heshtja është respektuar vetëm nga këshilltarët e majtë dhe nga kreu i Bashkisë Qazim Sejdini. Të djathtët nuk janë ngritur në këmbë, ndërkohë që kryetari i Këshillit Eugen Isai tha se këshilltarët mbajnë një minutë heshtje për ata që bien në krye të detyrës. Mbledhja ka vazhduar me pikat e rendit të ditës ku sërish nuk janë miratuar taksat për vitin 2011 për shkak se nuk plotësohej kuorumi i nevojshëm nga e djathta, e cila ka kundërshtuar disa pika të saj. Duke qenë se edhe këtë muaj nuk u miratuan tarifat dhe taksat e bashkisë edhe buxheti kalon për në muajin mars.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›