E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi i mbushur i LSI trondit PD dhe PS, Meta: Kemi 34 deputetë të sigurt

 

Aristir Lumezi

Mijëra qytetarë të Tiranës mbështetën dje Lëvizjen Socialiste për Integrim në sheshin “Skënderbej” në mitingun mbyllës të fushatës elektorale. Në një shesh të tejmbushur ku valëviteshin mijëra flamuj dhe numri 24, i cili është numri i LSI-së në fletën e votimit, Ilir Meta siguroi pjesëmarrësit se Plani për Veprim do të ndryshojë vendin. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh dje i bindur se në 28 qershor kjo parti do të dalë forcë e parë politike në disa qarqe, ndërsa premton mbi 40 deputetë deri në 28 qershor. “Sot do t’ju them me garancinë më të plotë, se Lëvizja Socialiste për Integrim ka arritur numrin e 34 deputetëve dhe diskuton 15 mandate më shumë, deri të dielën. Sot Lëvizja Socialiste për Integrim, është forca e parë në 4 qarqe në radhë të parë në Fier dhe në Berat. Sot në qarkun e Tiranës, LSI dhe koalicioni ynë ka të sigurtë 8 mandate dhe luftojnë për 11 deri të dielën. Kuçedrave të korrupsionit që i vranë shqiptarët në Gërdec dhe që i vrasin çdo ditë me korrupsionin dhe makutërinë e tyre, po i vjen fundi nga zgjimi i popullit”, tha Meta. Kreu i LSI-së u shpreh se kjo parti ka një program konkret dhe të qartë. “Ne do të fitojmë sepse jemi e vetmja alternativë që kemi dalë në këtë fushatë me një program dhe me një plan veprimi përpara gjithë shqiptarëve, që jetojnë një krizë të rëndë ekonomike dhe sociale. Ne do të fitojmë sepse Sali Berisha nuk pati kurajën të dilte një herë të vetme në debat televiziv me Ilir Metën”, tha Meta. Kreu i LSI-së akuzoi kryeministrin Berisha se e ka kthyer vendin në çiflig të të huajve dhe miqve të tij. “Shqiptarët do të votojnë për alternativën që i duhet Shqipërisë, për alternativën e Ilir Metës që i bën zot shqiptarët në Shqipëri dhe që nuk e kthen Shqipërinë në çiflig të Fazliçëve siç ka bërë kryeministri në largim Sali Berisha. Ne do të fitojmë sepse Shqipëria është në krizë dhe ka nevojë për një program që e nxjerr Shqipërinë nga kriza. Shqipëria nuk ka nevojë as për një doktor që e sëmur popullin me marrëzitë e tij. Nuk ka nevojë as për njerëz, të cilët nuk kanë idenë e shtetit, nuk kanë idenë e institucioneve dhe që i urrejnë shqiptarët e thjeshtë”, tha Meta. Sipas tij, shqiptarët me votën e tyre për LSI-në votojnë për largimin njëherë e mirë të Sali Berishës nga pushteti dhe nga politika dhe voton më 28 qershor për fitoren e LSI dhe të Aleancës Socialiste për Integrim dhe për fitoren e të gjithë socialistëve kudo që ndodhen, të cilët me Ilir Metën do të nënshkruajnë antarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2013. Duke shpalosur programin qeverisës të LSI-së Meta tha se: “Ne do të fitojmë sepse e kemi programin më të thjeshtë, kemi programin më të qartë, kemi atë që i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve, kemi programin e punësimit të qëndrueshëm të 100 mijë shqiptarëve në 4 vitet që vijnë”. “Kryeministri ynë mashtrues i cili për 3 ditë largohet me votën tuaj dhe të gjithë Shqipërisë nga zyra, ku nuk i takon dhe ku ka bërë vetëm mëkate. Ai premtoi pasi ne shpallëm programin tonë për 100 mijë vende pune, 300 mijë vende pune”, tha Meta në fund të fjalës së tij.

Ambasadorët në ndjekje të mitingut
Ambasadorë të akredituar në Tiranë dhe përfaqësues të trupit diplomatik kanë treguar interes për mitingun e djeshëm përmbyllës të LSI-së. Janë parë në tarracën ‘Pergola’ të “Hotel Tirana” disa nga ambasadorët e njohur në Tiranë, të cilët ndiqnin me vëmendje mesazhet që jepeshin nga përfaqësuesit e LSI-së gjatë këtij mitingu. Pjesëmarrja e madhe e mbështetësve të LSI-së në sheshin ‘Skënderbej’ ka bërë që kjo të binte në sy tek përfaqësuesit e trupit diplomatik në Tiranë. Kanë qenë deklaratat e fundit të Ilir Metës dhe angazhimi i tij për fitoren e një numri të konsiderueshëm deputetësh në zgjedhjet e 28 qershorit, por dhe kërkesa e tij për një vëzhgim sa më të madh ndërkombëtar të këtyre zgjedhjeve, që kanë rritur interesin e ndërkombëtarëve. Pak muaj më parë në mitingun e LSI-së për tragjedinë e Gërdecit i organizuar në sheshin “Nënë Tereza” dhe para Kryeministrisë është parë dukshëm interesimi i ambasadorëve perëndimorë. Ambasadori gjerman në Tiranë, Bern Bohard ishte bashkë me protestuesit duke dalë jashtë petkut diplomatik dhe me një veshje sportive ndoqi nga afër protestën e simpatizantëve të LSI-së që denonconin tragjedinë e Gërdecit. Por ardhja e vëzhguesve të huaj në Tiranë për të parë dhe monitoruar nga afër në terren standardet e zgjedhjeve, bën që ata të ndjekin nga afër dhe të shohin konkretisht përkrahjen popullore për partitë politike që garojnë kanë në elektorat. LSI nga ana e saj i ka bërë apel OSB dhe ODIHR, por dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të monitorojnë me sa më shumë vëzhgues zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, pasi sipas saj, standardet e tyre kanë rëndësi më të madhe tani, që vendi është anëtar me të drejta të plota në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›