E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, përjashtohen 1000 nxënës mbetës

Rreth 1000 nxënës janë përjashtuar nga Matura Shtetërore. Gjithçka e bëri me dije dje drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj. Sipas tij, këta maturantë kanë rezultuar mbetës në një nga lëndët e tjera të shkollës mesme e për rrjedhojë nuk mund të bëhen pjesë e procesit. Sipas rregullores së Maturës, dje na kanë mbërritur listat nga drejtoritë arsimore. Nga të dhënat e grumbulluara na rezulton se 1000 maturantë nuk do të futen në provime, tha Harizaj. Ai sqaroi edhe mënyrën si do të përzgjidhet testi për provimin e Letërsisë, që zhvillohet më 2 qershor. Një ditë përpara datës së provimit ne bëjmë shpërndarjen e materialeve të provimit, që më kryesori është testi. Më pas, me mbylljen e ditës së provimit, me të njëjtën procedurë materialet kthehen mbrapsht dhe bëhen gati nga ne për fazën e dytë, që është vlerësimi i testeve, sqaron Harizaj. Bashkë me maturantët e viteve të shkuara, këtë vit provimeve të Maturës do ti nënshtrohen 42 mijë nxënës. Sipas Harizajt, për të marrë notë maksimale në provim një kandidati do ti duhen 50 pikë. Provimi i Letërsisë do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Do të përmbajë 25 pyetje gjithsej, nga të cilat 13 me alternativa dhe 13 me zhvillim. Lloji i parë i pyetjeve do të vlerësohet me 1 pikë për secilën. Duke iu përgjigjur saktë, nxënësit mund të grumbullojnë në total 13 pikë. Pyetjet me zhvillim do të kenë peshë tri herë më të lartë. Në total, duke dhënë përgjigjen e drejtë për këtë grup, maturanti merr 37 pikë. Sa i përket vlerësimit, Harizaj shpjegoi se vlerësimi i testeve do të realizohet në 6 qendra vlerësimi. Testet e një profili të të njëjtit mjedis provimi nuk shpërndahen në qendra të ndryshme vlerësimi. Çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, të pavarur nga njëri-tjetri. Testet kodifikohen nga përgjegjësi i vlerësimit me numra arabë. Vlerësuesit, pasi marrin në dorëzim testet, konfirmojnë sasinë dhe kodifikimin e tyre, tha Harizaj.
Ai bëri të ditur se formulari A2 për pranimet në universitetet publike do të plotësohet pasi maturantët të kenë në duar të gjitha notat e provimeve të Maturës. Vitin e kaluar, 6000 nxënës nuk arritën të merrnin një ose më shumë nga provimet e Maturës Shtetërore. Ata do të kenë mundësi të mbartin rezultatet e lëndëve me zgjedhje. Rreth 4000 maturantë, që kanë plotësuar formularin A1, kanë zgjedhur 3 lëndë me zgjedhje. Mundësinë që u jepet për herë të parë gjimnazistëve, sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve, e kanë shfrytëzuar rreth 1/6 e tyre në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Ndryshimi i kurrikulave ka bërë që ky brez të mos ketë në dispozicion formulën standarde të përdorur 6 vitet e shkuara për llogaritjen e pikëve. Do të jenë dy të tilla. Matura e këtij viti përfundon shkollën e mesme me një grup lëndësh që përfshin kurrikulën bërthamë dhe atë me zgjedhje. Pasi të japin të gjitha provimet, ata do të plotësojnë formularin A2, me anë të së cilit do të zgjedhin 10 degët e preferuara të universitetit.

UT do pranojë 6180 studentë
Universiteti i Tiranës do të presë këtë vit 6180 studentë të rinj. Pas propozimeve të fakulteteve, Rektorati ka dorëzuar prej disa javësh  zyrtarisht kërkesën në Ministrinë e Arsimit. Janë 560 studentë më tepër se vitin e kaluar, për të cilët UT ka konkluduar se ka kapacitetet ti presë në auditorët e tij. Në shumë prej degëve janë shtuar nga 10-20 kuota. Fakulteti i Histori-Filologjisë ka propozuar me tepër pranime se një vit më parë. Degët e Historisë, Gjeografisë, Letërsisë dhe Gazetarisë kanë përkatësisht rreth 20 kuota më shumë se vjet. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka propozuar për të pranuar thuajse po aq studentë sa dhe vjet.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›