Milan, balotazh ndërmjet Luis Fabianos e Adebajor pas Xhekos
Milani i ka dhënë kohë Edin Xhekos që të diskutojë me trajnerin Armin Veth (edhe me drejtuesit e Volfsburgut) dhe janë të gatshëm të ulen në tryezën e bisedimeve me një ofertë prej 25 milionë eurosh për sulmuesin boshnjak. Por, në të njëjtën kohë, vazhdojnë të përfliten edhe disa hipoteza, të cilat shihen si alternativa nëse nuk realizohet afrimi i talentit të kampionëve të Bundesligës. Në Angli, Emanuel Adebajor vazhdon të përflitet si kandidat për fanellën kuqezi, por sulmuesi nga Togo përfiton 4.5 milionë euro në sezon tek Arsenali, ndërsa Luis Fabiano vetofrohet nga grumbullimi i përfaqësueses së Brazilit në Afrikën e Jugut. Milani ka tentuar ta blejë sulmuesin e Seviljës përpara tre-katër viteve. Nga Kupa e Konfederatave, "O‘ Fabuloso" deklaroi: "Ëndërroj të luaj për Milanin. Do të ishte e mrekullueshme". Gjithsesi, edhe blerja e tij nuk është aspak e lehtë. "Kam kontratë me Seviljan deri në vitin 2011", shpjegoi lojtari për "Sky". Klubi spanjoll nuk i lejon lehtësisht largimet e yjeve dhe marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse oferta është e kënaqshme: momentalisht, kartoni i Luis Fabianos kushton jo më pak se 30 milionë euro. Edhe një tjetër lojtar i "seleçaos", 26-vjeçari Andre Santos ka bërë "deklarata dashurie" për skuadrën e drejtuar nga tekniku Leonardo. "Do të isha krenar të luaja për Milanin. Fakti që Leonardo më kërkon më lumturon dhe aty do të luaja sërish përkrah Tiago Silvës dhe Patos", tha mbrojtësi i majtë i Korinthiasit. Ndërkohë, Milani ka bërë një tjetër ofertë për mbrojtësin e Portos, Sisoko: 3 milionë euro për huazimin, të cilave do t‘u shtohen 12 milionë euro për blerjen e plotë të kartonit, nëse lojtari do të ketë luajtur të paktën 50 për qind të ndeshjeve sezonale.