Matura shtetërore, mbaron provimi i letërsisë

Ka përfunduar provimi i parë me detyrim i Maturës Shtetërore , ai i Letërsisë.
Rreth 37.500 maturantë kanë shpalosur njohuritë e tyre të marra gjatë katër viteve të shkollës në 25 pyetjet e paraqitura në test.
Provimi ka nisur në orën 10:00 dhe ka përfunduar në 12:30. Disa maturantë të pyetur nga "Ora News" thanë se provimi nuk ishte i vështirë, por disa prej pyetjeve ishin të vështira për t'u kuptuar.
Sipas tyre, gjatë provimit nuk u lejua asnjë lëvizje e nxënësve.
Edhe në Vlorë testi ka përfunduar. Korrespondenti i "Ora News" në Vlorë informon se nga maturantët nuk ka pasur asnjë ankesë.
Tashmë të gjitha testet do të mblidhen dhe do të shpërndahen në qendrat e korrigjimit në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Shkodër.
Pas mbarimit të testit dhe korrigjimit të tij, të gjitha notat mblidhen në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve (AVA), ku më pas do të bëhet shpërndarja e të gjitha notave në të gjitha shkollat e vendit.