E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vitore Tusha bën betimin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dorëzoi dje, gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Presidencë, dekretin e emërimit anëtares së re të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, duke i uruar punë të mbarë dhe suksese në ushtrimin e detyrës së saj të rëndësishme. Në këtë ceremoni merrnin pjesë dy nënkryetarët e Kuvendit të Shqipërisë, Fatos Beja dhe Ylli Bufi, Enkelejd Alibeaj, ministër i Drejtësisë; Thimio Kondi, kryetar i Gjykatës së Lartë; Ermir Dobjani, Avokat i Popullit; Ina Rama, prokurore e Përgjithshme; Ardian Fullani, guvernator i Bankës së Shqipërisë; Robert Çeku, kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Fatmira Laska, kryetare e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Gjithashtu ishin të pranishëm edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese: kryetari Vladimir Kristo, Gjergji Sauli, Fehmi Abdiu, Kujtim Puto, Petrit Plloçi, Xhezair Zaganori, Sokol Sadushi dhe Sokol Berberi. Presidenti i Shtetit, Bamir Topi, e ka dekretuar që më 12 shkurt të këtij viti Vitore Tushën në detyrën e anëtares së Gjykatës Kushtetuese. Tusha është personazh i njohur jo vetëm për Drejtësinë, por edhe për politikën. Për Drejtësinë ajo ka një CV të pasur, duke pasur në karrierën e saj edhe emërimin si gjyqtare në Gjykatën e Lartë, detyrë që e dëshiron çdo jurist që ka ambicie. Tusha ka qenë pedagoge e Procedurës Civile në Fakultetin e Drejtësisë dhe në të njëjtën kohë ka titullin avokate. Për politikën është personazh i njohur, pasi në vitin 2004 emri i saj u lakua po për emërimin në Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi nuk e miratoi emrin e saj dhe dha mospëlqimin për këtë kandidaturë. Tusha dekretohet pak muaj pas zëvendësimit të tre anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese, që u kishte mbaruar mandati.

Ndryshohet drejtori i Burgut të Burrelit

Ndryshohet drejtori i Burgut të Burrelit. Dje, Shyqyri Dushku ka lënë zyrtarisht detyrën e tij zyrtare si drejtor i Burgut të Burrelit duke u zëvendësuar nga Eduard Brahimlika. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pohuan se kreu i burgjeve, Gazmend Dibra, i pati propozuar ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për largimin nga detyra të Dushkut. Propozimi i Dibrës është firmosur nga Alibeaj dhe që nga dita e djeshme Brahimlika ka marrë postin e drejtorit të një prej burgjeve të sigurisë së lartë në vend. Dushku do të kujtohet si drejtori që pati më shumë përplasje me eprorin e tij që në atë periudhë ishte Saimir Shehri.

11 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›