ISHP: “Ndotja, më shumë të prekur fëmijët”
Studimi më i fundit ka dhënë alarmin për moshën që rrezikohet më shumë nga ndotja e ajrit. Sipas specialistëve, stina e pranverës dhe e verës më problematiket nga tymrat
Emanuela Sako
Tirana, me ajrin më të ndotur që ka, rrezikon më shumë banorët e vegjël të saj. Sipas një studimi të ISHP-së, kryeqyteti është më i ndoturi nga të gjitha rrethet e tjera dhe detyrimisht ka më tepër persona që vuajnë nga mushkëritë. Por këtë vit, ndryshe nga studimet e tjera, ka rezultuar se më të prekurat janë mushkëritë e fëmijëve të vegjël. Një studim i ISHP-së, i kryer 8 vite më parë, tregonte se Tirana është 4 deri në 8 herë më e ndotur se normat e përcaktuara nga BE-ja për ajrin, ndërsa edhe pas 8 viteve studimet tregojnë se asgjë nuk ka ndryshuar dhe situata është po e njëjtë. Sipas një konstatimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shqiptarëve u shkurtohen 2 vjet jetë për shkak të ajrit të ndotur. Ndërkohë që ata që janë më të prekur nga sëmundjet e mushkërive janë fëmijët, por shkak për shtimin e problemeve të shumta shëndetësore janë edhe të moshuarit. Shkaktarët e ndotjes së ajrit janë të shumtë, por një ndër faktorët kryesorë janë edhe gazrat e makinave që çdo ditë shkarkohen në natyrë.
Shkaktarët
Ndër qytetet me ajrin më të ndotur nuk është vetëm kryeqyteti, por të gjitha qytetet e tjera me një numër të lartë të popullsisë dhe me qarkullim të madh të automjeteve dhe infrastrukturë të dëmtuar. Ka disa shkaqe që kanë stimuluar degradimin e ajrit të qyteteve më të mëdha. Rritja e shkarkimeve të lëndës të grimcuar e të gazeve në mjediset e banuara si rezultat i intensifikimit të transportit lidhet drejtpërdrejt me shtimin e numrit të makinave brenda një periudhe kohore disavjeçare, duke stimuluar fuqishëm ndotjen e ajrit. Ndërkohë, bumi i ndërtimeve urbane, është shkaku tjetër i cili ka alternuar në mënyrë të padëshiruar treguesit e cilësisë së jetës, duke reduktuar sipërfaqen e gjelbëruar. Për pasojë, rritet ndjeshëm sasia e pluhurit që qarkullon në natyrë. Ndërkohë që infrastruktura rrugore ende mbetet larg parametrave që mundësojnë fluksin normal të trafikut.
Dëmtimet
Më të dëmtuarit nga ndotja e lartë e ajrit janë fëmijët, mushkëritë e të cilëve duhet të thithin çdo ditë oksigjenin e ndotur. Pasojat që lë gjendja e ajrit janë të mëdha dhe të vështira për t’u riparuar, pasi shkak për këtë janë sëmundjet të ndryshme të mushkërive që shfaqen tek ata. Edhe të moshuarit nuk ngelen pas, sepse mushkëritë e tyre e kanë të vështirë të përballojnë ajrin e ndotur, që pengon frymëmarrjen. Po kështu, gratë shtatzëna e kanë të vështirë të përballojnë periudhën e shtatzënisë në kushtet mjedisore të metropolit. Ministrisë së Mjedisit i ngelet mjaft punë për t’u bërë dhe do të jetë tepër e vështirë për të marrë masa për parandalimin e situatës dhe përmirësimin e kushteve të higjienës mjedisore.
Udhëzues klinikë për njohjet shëndetësore të pacientëve
Pacientët do të njihen me udhëzuesit klinikë për njohuri të përgjithshme shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka nisur krijimin e një platforme të hartimit dhe zbatimit të udhëzuesve të shkruar të praktikës klinike më të mirë. Ato do të jenë tekste të përpiluara në mënyrë periodike për të ndihmuar mjekët dhe pacientët në marrjen e vendimeve të sakta në lidhje me shëndetin e tyre në situata të përcaktuara. Ky vendim është bërë publik nga Edmond Stojku, drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, gjatë Konferencës së Parë Kombëtare për Udhëzuesit e Praktikës Klinike të Bazuar në Evidencë. Sipas specialistëve, kjo nismë është imediate dhe menjëherë do të fillojë përpilimi i 5 udhëzuesve të parë si dhe shpërndarja e tyre. “Në vendin tonë është planifikuar që të fillojë njëherë përgatitja e pesë udhëzuesve: si mjekësia familjare, sëmundjet ishemike të zemrës, hipertensioni, diabeti dhe astma. Pas përfundimit me këto fusha, puna do të vazhdojë hap pas hapi me patologjitë e tjera”, - theksoi Stojku. Ministria e Shëndetësisë përgjegjësitë organizative, koordinuese dhe financuese për hartimin e udhëzuesve të tillë në nivel kombëtar. Nga ana tjetër, dikasteri i Shëndetësisë garanton se do të respektojë rigorozisht pacenueshmërinë e pavarësisë profesionale duke siguruar që përmbajtja teknike, profesionale e rekomandimeve për aspektet konkrete të diagnozës, terapisë dhe riaftësimit të hartohen nga vetë personeli mjekësor, akademikët dhe specialistët më të mirë.
11 Mars 2008