17 sekretet për t’i mbrojtur sytë nga dëmtimi
Të moshuarit, të cilët kanë disa gjene të caktuara, janë më të rrezikuar nga një lloj humbjeje e shikimit, veçanërisht kur janë të kombinuar me faktorë të tjerë si pirja e duhanit dhe mbipesha. Ky është përfundimi i disa studimeve të bëra kohët e fundit nga Shoqata Amerikane e Shëndetësisë, sipas së cilës kjo sëmundje është e pashërueshme dhe shpesh shkakton verbim. Një mjek amerikan, dr. Stephen Pappas, viziton të paktën 150 pacientë të moshuar çdo javë në klinikën e tij pranë Uashingtonit. Pothuajse gjysma e tyre janë diagnostikuar me një formë të rënies së theksuar të shikimit. Dr. Pappas i kuron ata me një ilaç të ri të quajtur Lucentis, përdorimi i të cilit u miratua në vitin 2006 nga Agjencia për Ushqim dhe Ilaçe.
Kërkimi
Lucentis u krijua posaçërisht për të kuruar këtë sëmundje, që prek retinën e syrit, duke shkaktuar një zgjerim anormal të enëve të gjakut. Athena Cokenias, një paciente e diagnostikuar me këto gjene, thotë se nuk e kishte kuptuar se enët e gjakut prapa retinës po rridhnin. Humbja e shikimit qendror mund të jetë e përhershme, kështu që dr. Pappas thotë se një diagnostikim i shpejtë është kritik dhe i domosdoshëm, sepse, sipas vonesave, mund të hasen edhe pengesa të pakapërcyeshme. Dyqind mijë amerikanë, kryesisht të moshës mbi 55 vjeç, diagnostikohen me këtë sëmundje të shikimit çdo vit. Në shkallë botërore, ajo radhitet e treta nga sëmundjet që shkaktojnë humbjen e vështrimit. Tani për tani është e pashërueshme, por disa gjëra dihen për këtë sëmundje. Ajo prek kryesisht njerëzit e racës së bardhë, zakonisht me sy me ngjyrë të hapur. Duket se sëmundja është shpesh edhe e trashëguar.
Identifikimi
Studiuesit identifikuan gjene specifike dhe anomalitë e grupit më të vogël, që rrezikonin ata më shumë. Rreziku rritej tek njerëzit që pinin duhan, ishin mbi peshë ose vuanin nga tensioni i lartë. Mes faktorëve të tjerë ishin ekspozimi ndaj rrezeve ultraviolet dhe mungesa e një diete të ekuilibruar me perime dhe peshk. Deri tani, ilaçi Lucentis ka qenë një formë efektive kurimi. Por një ilaç tjetër, i quajtur Avastin, po provohet për të parë efektet. Avastin ka një kohë më të gjatë që qarkullon në treg, si pjesë e kurave për kancerin e zorrës së trashë dhe është më i lirë për t’u prodhuar. Derisa të vërtetohet se cili ilaç është më i mirë se tjetri, dr. Pappas thotë se i ka bërë përshtypje efektiviteti i Lucentisit. “Është një ilaç që u krijua pikërisht për të depërtuar në retinë. U bënë shumë studime për të. Ai mund të injektohet direkt në sy, mund të depërtojë në retinë dhe është shumë i fortë”, - thekson ai. Pacientët që fillojnë kurën me Lucentis shpesh fillojnë me një injeksion në muaj dhe pastaj i rrallojnë dozat, ndërsa shikimi i tyre stabilizohet ose përmirësohet. Por studimet tregojnë se ilaçi duhet të vazhdojë, ose përndryshe shikimi i pacientit keqësohet, ose mund të arrijë në verbim.
Rrezet ultraviolet dëmtojnë sytë
Ekspozimi i përzgjatur, ose jo i duhur nën rrezet e diellit mund të shkaktojë dëmtim të syve. Rrezatimi nga rrezet ultravjollcë B rrezikon pjesët e jashtme të syrit, korenën, konjunktivën dhe lenten kristaline, duke shkaktuar irritim, tharje, skuqje dhe plakje të parakohshme. Rrezatimi nga rrezet ultravjollcë A është më i rrezikshëm për lëkurën dhe sytë, sepse rrezet janë më të shkurtra dhe kanë aftësinë të penetrojnë më thellë në sy, duke dëmtuar retinën. Kataraktet dhe degjenerimi okular janë sëmundjet më të zakonshme të shkaktuara nga dielli. Përdorimi i syzeve të diellit për mbrojtje duhet të fillojë gjatë fëmijërisë. Duke minimizuar ekspozimin nën rrezatimin diellor, është e mundur që të parandalohet dëmtimi i indeve okulare nga rrezet ultravjollcë.
Gjenet përgjegjëse për ngjyrën e syve
Nëse do të donit të bënit llogaritje për ngjyrën e syve të fëmijëve tuaj (me përafërsi), ku duhet të bazoheni? Përgjigjja do të ishte e thjeshtë: nëse do të kishim një gjen të vetëm në një kromozom të vetëm, por kur kemi shumë gjene që karakterizojnë të njëjtin tipar, prandaj vështirësia rritet. Ngjyra e syve është një tipar që kontrollohet nga disa lloj gjenesh që ndodhen në kromozome të ndryshme, sepse ka akoma gjene të pazbuluar që mund të ndikojnë në ngjyrën e syve. Një ndër ta është gjeni i quajtur "bey2", i cili ka dy lloj alelesh përgjegjëse për ngjyrat blu dhe kafe, si dhe gjeni qendror “bey1” përgjegjës për ngjyrën kafe. Gjeni i quajtur “key” ka dy lloj alelesh për ngjyrat blu dhe jeshil. Aleli jeshil është dominant mbi alelin blu, por recesiv mbi alelin kaf.
Joga e syve, sekreti për t’i mbrojtur
Sekreti për t’i ruajtur sytë është joga e syve, duke mbajtur kokën drejt, filloni duke përplasur qepallat. Merri frymë thellë dhe zhvendosni bebet e syve në skajin sa më djathtas, sa më të majtë, pa u sforcuar pastaj, lart dhe poshtë. Ushtrimi duhet përsëritur afërsisht 10 herë, në fillim ngadalë, pastaj shpejtë. Sy të kuq dhe dhimbje koke. Kush lexon, shkruan apo shikon shumë televizor, e ka provuar se ç’janë këto dhimbje. Zhvillimi teknik ka bërë që të shtohen shkaqet për të vuajtur nga sytë. Fëmijë që luajnë me orë të tëra me lojëra elektronike, studentë që lexojnë gjatë sezoneve më shumë se kurrë dhjetëra faqe duke kulluar sytë mbi dispensa të shtypura si mos më keq, të rritur që punojnë në kompjuter apo që për orë të tëra në darkë nuk i ndajnë sytë televizorit. Dhe së fundi, një numër i madh miopësh që dorëzohen në dyert e mjekëve okulistë, duke marrë prej tre receta apo numra syzesh optike. Sipas mjekësisë tradicionale, nuk mund të shërohet miopia dhe sëmundje të tjera të syrit. Por a është e vërtetë kjo? Në Kinë mendojnë ndryshe: në shumë ndërmarrje dhe shkolla, dy herë në ditë, studentë, punëtorë dhe nëpunës ndalojnë punën për një çerek ore dhe nën tingullin e një muzike çlodhëse, kryejnë, të gjithë së bashku, ushtrimet e dixhitodepresionit. Autoritetet shkencore të Pekinit nuk kanë dyshim: metoda vlen për të shmangur problemet pamore. Dhe ka mjaft studime që tregojnë se si gjimnastika pamore mund të përmirësojë dhe shumë madje, cilësinë pamore dhe pse kush është miop mbetet i tillë. Ushtrimet nuk bazohen vetëm mbi një numër lëvizjesh. Për të shfrytëzuar sa më shumë mundësinë e gjimnastikës pamore, duhet të jesh i qetë. Sipas mjekëve, duke folur për miopinë është harruar që të parit është një proces shumë më i ndërlikuar që fillon në sy por mbaron në tru. Studiuesit kanë arritur në përfundim që të konvergosh për një kohë të gjatë shikimin mbi një libër apo ekran kompjuteri, si bëjnë studentët, shkaktohet miopia, e cila varet edhe nga gjendja psikofizike e përgjithshme.
Sekretet për të ruajtur sytë
Në lashtësi njerëzit lexonin pa problem edhe në moshë të thyer, sepse nuk e njihnin skllavërinë e kompjuterit. Por nëse ndiqni këto 10 rregulla, mund të lexoni si ata
Mos i ulni asnjëherë sytë shumë pranë kur lexoni dhe shkruani
Ruani pjerrësinë e tastierës. Për të pasur një qëndrim të mirë, krijoni pjerrësinë në lexim ose shkrim, të ngjashme me bankat e shkollës. Pjerrësia duhet të jetë 20 gradë.
Sfondi përtej ekranit të mos jetë asnjëherë krejt i errët
Të mos ketë reflekse në ekran
Kontrasti dhe drita e ekranit të rregullohen në vlera mesatare
Ekrani duhet të jetë rreth 50-60 cm larg syve
Mundësisht të përdoret filtër për ekranin kundër reflekseve
Të pastrohet shpesh ekrani
Gjatë punës para kompjuterit është mirë që disa herë në orë të shkëputet shikimi nga ekrani për rreth një minutë
Të rrotullohen sytë në ambientin përreth ose të paktën çdo një orë të bëhet një pushim prej 15 minutash
Këmbët në tokë. Zgjidhni një karrige që t’ju lejojë të mbështesni mirë këmbët në tokë që ta shpërndani peshën kudo
Dritë natyrale sa më shumë. Punoni vetëm gjatë ditës dhe me dritën e diellit që sjell gëzim dhe energji
Është më e mirë llamba e zakonshme sesa ajo me neon. Nëse punoni në dritë artificiale, përdorni vetëm llambat, sepse neoni skuq sytë dhe shkakton dhimbje koke
Drita të vijë nga ana e majtë. Por nëse jeni mëngjarashë, duhet të vijë nga e djathta
Shmangni fotokopjet. Përpiquni të lexoni libra të shtypur me germa të mëdha
Vështroni peizazhin. Vëreni tryezën pranë dritares për të hedhur vështrimin larg herë pas here. Më mirë nëse është në natyrë
Shpërqendrohuni. Largojeni vështrimin vazhdimisht nga libri apo ekrani i kompjuterit
Shikohuni në pasqyrë. Nëse keni pranë jo dritaren, por një mur, atëherë vini një pasqyrë ku të shiheni herë pas here
Masazhi i fytyrës: Fërkoni lehtë me mollëzat e gishtërinjve pjesën e sipërme të syve pastaj të poshtme. Duke nisur nga ana e brendshme, drejt hundës, rrëshqisni gishtat për nga ana e jashtme. Përsëriteni ushtrimin për të paktën dhjetë herë
Dixhitopresioni: Vini gishtat e mëdhenj mbi tëmtha dhe gishtërinjtë e tjerë mbi ballë. Pastaj vini treguesit pak më poshtë se tëmthat dhe gishtat e mëdhenj nën mjekër dhe fërkojeni shumë herë
Përgatiti: JONIDA TASHI
Të rejat nga shkenca/ Tingujt dhe zhurmat “nxisin” shikimin
Për të perceptuar sende apo ngjarje të botës që na rrethon njeriu vë në punë shqisa të ndryshme. Shkencëtarët kanë gjetur dëshmi mbi atë që shqisat e të parit dhe dëgjimit janë të lidhura në mënyrë të pandashme me njëra-tjetrën. Neurologët kanë zbuluar se kur tingulli i një sendi të tërheq vëmendjen, atëherë të shtohet edhe aftësia për ta shquar këtë send. Mund të thuhej se, nëse një send apo ngjarje lëshon një tingull apo zhurmë që përpara, atëherë ne do të ishim në gjendje ta shikonim atë më qartë. Studiuesit eksperimentuan me 33 vullnetarë duke dërguar dritë dhe zhurmë në fillim nga i njëjti drejtim e pastaj nga drejtime të ndryshme. Ky zbulim hedh dritë mbi mënyrën se si truri e vlerëson ambientin që na rrethon. Po ashtu ndihmon në zbulimin e llojeve të reja të kurimit për shqetësimet nervore.
11 Mars 2008